Arbëri

Një muaj paraburgim të dyshuarve për vrasjen e policit Muhamed Lika

Foto: KSP

Foto: KSP

(E përditësuar 17:10) - Gjykata Themelore në Ferizaj të martën u ka caktuar një muaj paraburgim të dyshuarve H.B., R.M., V.Ç., E.L., Sh.K., dhe D.G., për vrasjen e rreshterit policore Muhamed Lika më 1 prill në Kaçanik. Ata akuzohen për veprën penale “vrasje e rëndë”.

Njoftimi i Gjykatës se si ndodhi rasti:

Ekziston dyshimi i bazuar, se më datë 01.04.2025 rreth orës 23:00 në një rrugë të Kaçanikut, përkatësisht në hyrje të një ndërtese, të pandehurit duke vepruar në bashkëkryerje, me dashje dhe përgatitje paraprake kanë planifikuar për ta privuar nga jeta tani të ndjerin zyrtarin e policisë – rreshter M.L., me detyrë në Stacionin Policor në Kaçanik, në atë mënyrë që më pas i mituri, me dashje dhe përgatitje paraprake ka privuar nga jeta tani të ndjerin zyrtarin e policisë – rreshter M.L., ku viktima pas përfundimit të orarit të punës në ora 22:53, rrugës për në banesën e tij, i njëjti ishte përcjellë në vazhdimësi nga madhorët deri te hyrja e banesës së tij, ku pasi që hynë në objektin e banesës ku ka jetuar, duke u ngjitur shkallëve, i mituri i shkon nga mbrapa  dhe pasi që viktima hynë në objektin banesor pas tij hyn edhe i mituri, ku me të takuar të ndjerin ka shtënë në drejtim të tij me armë zjarri.

Në vend ngjarje janë gjetur katër gëzhoja të kalibrit 9.19 mm dhe nga plafët e marra, viktima M.L., në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Kaçanik nga ekipet mjekësore është konstatuar vdekja e tij, e cila ka ardhur si pasojë e plagëve të marra nga predhat e armës së zjarrit, pastaj i mituri pas kryerjes së vrasjes ik nga vendi i ngjarjes në drejtim të lokalit “D.”, ku bashkohet me të pandehurin R.M., i cili kishte qenë duke e pritur dhe së bashku largohen përmes rrugës “M.D.”, ku ishin duke vrapuar i mituri dhe i pandehuri, paraprakisht nga pamjet e kamerave vërehet i pandehuri H.B., i cili e përcjellë zyrtarin policor prej momentit të daljes nga stacioni duke i shkuar mbrapa  e pas kryerjes së veprës penale nga i mituri rreth 14 minuta mbrapa vije në afërsi të vendit të ngjarjes duke qëndruar një kohë dhe duke u larguar.

I pandehuri V.Ç., është parë në shoqëri të të pandehurve R.M. dhe të miturin ku të njëjtit para kryerjes së veprës penale vërehen duke vëzhguar vendin e ngjarjes. I pandehuri E.L., në bazë të video incizimeve është parë në shoqëri të të pandehurve ku së bashku me të pandehurin Sh.K., e përcjellin rreshterin M.L., nga daja nga Stacioni Policor, ku i pandehuri E.L., derisa ka qenë në veturën “Opel Astra” me të kaluar viktima del nga vetura pronë e të pandehurit Sh., dhe vazhdon me veturën “Golf II” në përcjellje të viktimës, ndërsa i pandehuri Sh., vazhdon me veturën “Opel Astra” duke përcjellë viktimën, i pandehuri D.G., përmes telefonit kontakton të pandehurin H.B. dhe i njëjti e strehon dhe i ofron ndihmë në ushqim dhe gjëra tjera të miturit.


Të dyshuarit për vrasjen e rreshterit Lika dërgohen në gjykatë

Të dyshuarit për planifikimin dhe kryerjen e vrasjes së rreshterit policor, Muhamed Lika, të shoqëruar nga Njësia Speciale Operative e Policisë së Kosovës janë dërguar në Gjykatën Themelore në Ferizaj.

Të arrestuarit H.B, E.L, Sh.K, R.M, D.G dhe V.Ç., të martën do të dalin para gjykatës në seancën dëgjimore, e cila do të mbahet e mbyllur për media.

Të hënën në Kaçanik janë arrestuar shtatë persona të cilët dyshohen për planifikimin dhe kryerjen e vrasjes së rreshterit policor, Muhamed Lika.

Seanca dëgjimore mbahet sot me fillim nga ora 13:00.

Prokuroria e Ferizajt ka kërkuar një muaj paraburgim për gjashtë të arrestuarit.

Ndërkaq dje, Gjykata Themelore në Ferizaj, Departamenti për të mitur, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës prej një muaj paraburgim kundër të miturit R.B, si i dyshuar kryesor për vrasjen e rreshterit Muhamed Lika, më 1 prill në Kaçanik.

Muhamed Lika u vra në shkallët e ndërtesës ku jetonte në Kaçanik, më 1 prill derisa po kthehej nga puna.


Avokatët e dy të akuzuarve për vrasjen e policit mohojnë përfshirjen e klientëve të tyre

Avokati i të akuzuarit R.M, Musa Konxheli dhe avokatja Fehmije Gashi e të akuzuarit D.G. kanë mohuar përfshirjen e klientëve të tyre në planifikimin e vrasjes së rreshterit policor Muhamed Lika më 1 prill në Kaçanik.

Në prononcim për media, Konxheli ka thënë se klienti i tij e ka përdorur alibinë se gjatë kohës së vrasjes, ai ka qenë me të fejuarën.

“Duke u bazuar në ato prova që i kemi, klienti im nuk është i përfshirë fare në veprën penale, edhe pse Prokuroria po pretendon se ai ka qenë anëtar i grupit, që në bashkëpunim me anëtarët e tjera, kanë përgatitur veprën penale për të cilën akuzohen. E refuzon se ka të bëjë me çfarëdo forme me këtë krim. E ka përdorur si alibi që prej orës 22 deri 3 mëngjesit, në kohën kur na ndodhur vrasja, ka qenë me të fejuarën e tij. S’ka fare grup, s’ka pasur as planifikim për vrasjen”, ka thënë ai, duke shtuar se kanë kërkuar që masa e sigurisë për të jetë arrest shtëpiak.

Fehmije Gashi, avokate e D.G., ka thënë se do të kërkojnë sqarime rreth kërkesës për paraburgim të klientit të saj. Sipas saj, në kërkesë nuk përmendet askund lidhja me motivin fetar.

Ajo ka theksuar se deri në provimin e fajësisë së klientit të saj, ai konsiderohet i pafajshëm.

“Është kërkuar që të caktohet paraburgimi në bazë se në bashkëkryerje ka kryer vrasjen e rëndë. Gjatë gjykimit është kërkuar edhe nga prokurori i çështjes që së bashku me kryeprokurorin e Ferizajt të dalin edhe një herë të japin sqarime se kjo vrasje askund nuk është përmend kërkesa për caktim të paraburgimit se ka lidhmëri ideologjike, fetare, islamiste, siç po e përdorin, sepse është edhe një rrethanë tjetër me Kodin Penal, konventa ndërkombëtare, Kushtetutë, ekziston rregulli i prezumimit të pafajësisë deri sa të provohet ndryshe”, ka thënë ajo.

VIDEO:


KOHA ka siguruar kërkesën e Prokurorisë për paraburgimin e R.B. si të dyshuar për vrasje të rëndë. Ai dyshohet se veprën e ka kryer në bashkëkryerje me H.B., R.M., V.Ç., E.L, Sh.K. dhe D.G. 

Sipas Prokurorisë, R.B. e ka përcjellë gjatë natës policin Muhamed Lika deri tek hyrja e banesës dhe pasi është nisur shkallëve, i dyshuari ka shtënë në drejtim të policit. Në vend të ngjarjes janë gjetur katër gëzhoja. Pas kryerjes së veprës, i pandehuri R.B. dyshohet se ka ikur në drejtim të një lokali ku ka takuar R.M., që dyshohet se po e priste dhe bashkë më pas kanë ikur. Duke vrapuar është dëgjuar një zë që thotë “bravo, ik”. 

Sipas Prokurorisë, nga incizimet prej vendit të ngjarjes dhe kamerave të sigurisë përreth janë kuptuar lëvizjet e të dyshuarve para, gjatë dhe pas aktit.

I pandehuri H.B. dyshohet se 14 minuta pas rastit ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe dy minuta pas qëndrimit aty është larguar.