Ilmi Gashi kryetar i Sindikatës së Trafikut Urban ka thënë se greva do të vazhdojë edhe të martën.
Ai ka treguar për Kohën se pas mbledhjes së përbashkët me transportuesit privatë, kanë arritur në përfundim që greva të vazhdojë.
Për formën e grevës ai ka thënë se nuk do të jetë e njëjtë sikur sot, por mund të ketë edhe bllokim të rrugëve me autobusë.
Transportuesit: Murati kërkon veprim nga Kuvendi Komunal për bartjen e mjeteve vetanake
Përfaqësuesi i shoqatës së transportuesve privatë, Avdyl Brajshori, ka thënë se ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, u ka thënë se duhet mbledhur Kuvendi Komunal i Prishtinës e ta kalojë bartjen e mjeteve.
Brajshori ka thënë se po shkojnë sërish ta takojnë kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama.
Transportuesit publik dhe privatë në Prishtinë janë takuar me ministrin në detyrë të Financave, Hekuran Murati.
“Ministri Murati na njoftoi qe Komuna duhet te mblidhet e ta kalojë bartjen e mjeteve në Asamble. E kur kjo të ndodhë, ai mund t’i transferojë të hyrat vetanake. Jemi duke shkuar sërish të takohemi me kryetarin Përparim Rama”, tha Brajshori për KOHËN.
Transportuesit në takim me Muratin, pa Përparim Ramën
Transportuesit publik dhe privatë në Prishtinë janë në takim më ministrin në detyrë të Financave, Hekuran Murati.
Në takim janë përfaqësuesi i shoqatës së transportuesve privatë, Avdyl Brajshori dhe kryetari i sindikatës në “Trafikun Urban”, Ilmi Gashi.
Ndrkohë që nuk Murati nuk ka pranuar që të takohet me kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama.
Rama ka shkruar në Facebook se Kurti dhe Murati kanë refuzuar ta takojnë.
“Në këtë ditë kur cenohen shërbimet jetike të qytetarëve të kryeqytetit. Cenohet mirëqenia e punëtorëve dhe e familjarëve të tyre! Unë vazhdojë të jem i gatshëm 24/7 për çdo takim që siguron mbrojtjen e të drejtave dhe dinjitetin e qytetarëve dhe punëtorëve të kryeqytetit!”, ka shkrua Rama.
Protestojnë transportuesit në Prishtinë, bashkë me Ramën kërkojnë t’i takojnë Kurtin e Muratin
Transportuesit privatë dhe ata të “Trafikut Urban” në Prishtinë kanë protestuar para Komunës së Prishtinës, pasi që kanë marrë vendim që t’i pezullojnë të gjitha linjat në Prishtinë, për shkak të mospagesës nga Komuna.
Protestës i është bashkuar edhe kryetari i Prishtinës Përparim Rama.
Së bashku me ta ka marshuar deri te ndërtesa e Qeverisë, ku kanë kërkuar që të takohen me kryeministrin në detyrë Albin Kurti, e ministrin në detyrë të Financave, Hekuran Murati.
Protestuesit janë shpërndarë pasi që kanë thënë se nuk kanë marr konfirmim për takim.
Javën që shkoj edhe transportuesit privatë e edhe “Trafiku Urban” kanë njoftuar se ofrimi i shërbimit të transportit publik do të pezullohen plotësisht nga e hëna (sot), për shkaqe financiare.
Transportuesit privatë drejt Qeverisë, protestës i bashkohet edhe Rama
Punëtorët e “Trafikut Urban” janë nisur drejt objektit të Qeverisë për ta vazhduar protestën atje.
Në mesin e tyre është edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, pas kërkesës që ata i bënë për t’u bashkuar.
“E ndjej shumë, për të gjithë këta punëtorë këtu që janë të papaguar, faleminderit për të gjithë punën që e keni bërë për tërë këta muaj për t’i shërbyer qytetarët e kryeqytetit përkundër sabotazhave, përkundër bllokadave”, ka thënë Rama.
Për gjithë situatën ai e ka fajësuar Qeverinë në detyrë.
“E dini edhe ju, sikurse ne, sikur t’i keni pagat në bankë, e një zyrtar i bankës atje mos t’i lëshojë paratë, ashtu edhe Qeveria po vepron ndaj Komunës. Paratë tona që i kemi në gatshme nuk na i lëshon, për t’i kryer detyrimet tona ndaj jush”, është shprehur Rama.
Derisa e ka akuzuar pushtetin se po bën lojë, Rama ka thënë se janë alokuar rreth 3.2 milionë euro, ndërsa borxhi ndaj komunës është 35 milionë.
“Në orën 3 e gjysmë pasdite i kanë alokuar 3.2 milionë, ndërsa neve na i kanë borxh rreth 35 milionë. Në orën 3 e gjysmë i kanë alokuar, në 15:45 i kanë mbyllur, pra kjo është loja e tyre. Edhe kjo ka ndodhur. Ju lutemi edhe një here edhe ministrit të Financave, edhe kryeministrit që të ndalen me këto lojëra, nuk ka nevojë më për lojë, zgjedhjet janë kryer. Fondet janë tonat, janë të kryeqytetit. Janë të detyruar t’i transferojnë ato fonde te ne. Po punojnë jashtëligjshëm”, ka theksuar ai.
Rama më pas largua me arsyetimin se do t’i vazhdojë punët në komunë derisa të marrë një përgjigje për takim nga Murati dhe Kurti.
“Mua më duhet t’i vazhdoj punët, por jam këtu afër. Në rast se ka një përgjigje pozitive për takim, unë vetëm 2 minuta larg jam do të vijë menjëherë. Ne mund të vazhdojmë të qëndrojmë këtu mirëpo nuk po marrim asnjë përgjigje nëse po na pranojnë apo jo. Kështu që kërkoj mirëkuptim”, ka thënë Rama.

Punëtorët e trafikut të gatshëm t'i kthehen menjëherë punës nëse marrin përgjigje pozitive nga Rama
Kryetari i Sindikatës së “Trafikut Urban” në Prishtinë, Ilmi Gashi, ka thënë se janë të gatshëm të rifillojnë punën menjëherë nëse marrin përgjigje pozitive nga komuna.
Në paraqitjen e tij para mediave, para takimit me kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, Gashi ka thënë se tash e dy muaj punëtorët e “Trafikut Urban” nuk marrin paga, ndërsa borxhi i tyre ndaj furnitorëve ka kaluar mbi 1.6 milionë.
Ai tutje ka vlerësuar se kjo nuk është çështje politike, por çështje e mbijetesës së ndërmarrjes.
“Me keqardhje i drejtohem qytetarëve të Prishtinës. Na falni për këtë gjendje që ndodhemi sot, jo me dëshirën tonë. Punëtorët e Trafikut Urban kanë 1 milionë euro borxh për naftën, dy rroga nuk i kanë marrë akoma. Tre milionë euro Trafikut Urban ia ka borxh komuna, 1 milion e 600 mijë ne ua kemi furnitorëve tonë. Nuk kemi mjete për të punuar, nuk ka rroga. Nuk është çështje politike, është çështje e mbijetesës së Trafikut Urban ndaj qytetarëve të Prishtinës. Me kryetarin do të tentojmë të flasim nëse na pranon, nëse ka mundësi e nëse jo, greva do të vazhdojë tash e tutje. Por nëse përgjigjet pozitivisht komuna, atëherë sot ndërpritet greva dhe në orën 10:00 apo 11:00 fillon puna”, ka thënë Gashi.
Teksa kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka kërkuar takim me kryeministrin në detyrë Albin Kurti dhe ministrin e Financave, Hekuran Murati.
Pezullohen të gjitha linjat e trafikut në kryeqytet, transportuesit privatë në protestë
Transportuesit privatë janë duke protestuar para Komunës së Prishtinës, pasi që kanë marrë vendim që të pezullojnë të gjitha linjat në Prishtinë, për shkak të mospagesës nga Komuna e Prishtinës.
Protestës pritet t’i bashkohen edhe punëtorët e ndërmarrjes “Trafiku Urban” të cilës gjithashtu e kanë pezulluar punën.
Javën që shkoj edhe transportuesit privatë e edhe “Trafiku Urban” kanë njoftuar se ofrimi i shërbimit të transportit publik do të pezullohen plotësisht nga e hëna (sot), për shkaqe financiare.
Problemet me pagesat e shërbimeve në Komunën e Prishtinës janë pasojë e mosmiratimit të buxhetit të komunës së Prishtinës për vitin 2025.
Me arsyetimin se është bllokuar buxheti nga Qeveria në detyrë, edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, të dielën ka njoftuar se “Trafiku Urban” nga e hëna (sot) do të ndërpresë shërbimet e transportit.
Në anën tjetër ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati ka thënë se Thesari të premten ia ka alokuar Komunës së Prishtinës mjetet për dhjetor.




