Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Tre anëtarë të KPK-së distancohen nga deklaratat e Isufajt dhe Lumezit ndaj BE-së

Agron Qalaj - KPK

Foto: Driton Paçarada

Tre anëtarë të Këshillit Prokurorial të Kosovës janë distancuar nga deklaratat që Blerim Isufaj dhe Aleksandër Lumezi i kanë bërë ndaj përfaqësuesve të Bashkimit Evropian, e të cilat janë publikuar nëpërmjet një incizimi. Ata e kanë cilësuar gjuhën e përdorur të papranueshme dhe në kundërshtim me standardet profesionale, ndërsa reagim ka pasur edhe nga Ministria e Drejtësisë

Tre anëtarë të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) janë distancuar nga gjuha e kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj dhe ish-kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, ndaj përfaqësuesve të zyrës së Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë. 

Një ditë më parë, “Betimi për Drejtësi” ka publikuar një incizim nga mbledhja e kolegjiumit që është mbajtur më 28 janar dhe është thirrur nga ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj, e në të cilën Isufaj dhe Lumezi dëgjohen duke kritikuar qasjen e BE-së ndaj KPK-së.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Anëtarët Arian Gashi, Dardan Vuniqi dhe Visar Krasniqi, nëpërmjet një letre dërguar ambasadorit të BE-së në Kosovë, Aivo Orav, kanë theksuar se gjuha e përdorur nga dy eksponentë është e papranueshme, e cenon integritetin institucional dhe bie ndesh me standardet profesionale dhe etike që duhet të karakterizojnë sistemin prokurorial.

“Ne distancohemi plotësisht nga deklarime të tilla dhe, me respekt, kërkojmë që veprimet apo masat e mundshme të mos adresohen ndaj sistemit prokurorial në tërësi, pasi ato do të ishin të pajustifikuara dhe disproporcionale. Gjuha e përdorur nuk përfaqëson institucionin, por qëndrime individuale të disa personave që nuk përkrahin proceset reformuese në Këshillin Prokurorial të Kosovës”, thuhet në letër.

Për këtë çështje ka reaguar të mërkurën edhe ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla. 

Në një postim në Facebook, ajo e ka dënuar “gjuhën denigruese”, e cila “është në kundërshtim me etikën dhe standardet profesionale të prokurorëve”. 

“Gjuha dhe diskutimet denigruese të krerëve dhe ish-krerëve të sistemit prokurorial, kundërshtimi dhe rezistenca e tyre e vazhdueshme ndaj reformave dhe mungesa e vullnetit për zbatimin e tyre, paraqesin rrezik serioz dhe cenojnë rëndë integritetin dhe funksionimin profesional të sistemit prokurorial”, ka shkruar Gërvalla.

KOHA ka tentuar që t’i kontaktojë të mërkurën Isufajn, Qalajn dhe Lumezin, porse nuk ia ka dalë.
Kryeprokurori Besim Kelmendi është shkarkuar nga detyra në nëntor të vitit të shkuar, ndërsa në vendin e tij është caktuar Agron Qalaj. 

Shkarkimi i Kelmendit është shpallur i kundërligjshëm nga Gjykata Supreme, e cila ka konstatuar se vendimi është marrë në mënyrë arbitrare dhe pa kuorum. Pas vendimit të Supremes, Kelmendi është tërhequr nga ushtrimi i detyrës. 

E Elza Bajrami-Kastrati, e cila i ka fituar zgjedhjet në konferencën e përgjithshme të prokurorëve në nëntor e shkuar, ende nuk e ka marrë certifikimin nga Këshilli, ndonëse për të ka dy vendime të Gjykatës Supreme e të cilat ia hapin rrugën për t’u bërë anëtare e KPK-së. 

Në mbledhjen e kaluar, të mbajtur më 16 shkurt, certifikimi i saj ka dështuar, meqë nga salla është larguar anëtari Milot Krasniqi, duke e pamundësuar kuorumin.