Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

U.d. i sekretarit të Kuvendit u shkarkua, pasi doli i pari në konkursin për pozitë të rregullt

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu

Foto: Driton Paçarada

Organizata të shoqërisë civile kanë reaguar të enjten lidhur me mosemërimin e ushtruesit të detyrës së sekretarit të Kuvendit në pozitën e sekretarit, ndonëse, sipas tyre, ai i ka kaluar procedurat e rekrutimit duke marrë më së shumti pikë. Përveçse nuk është emëruar, Arben Loshi edhe është shkarkuar nga kjo pozitë, të cilën e ka mbajtur si ushtrues detyre nga viti 2023. Në vend të tij, është emëruar Xheladin Hoxha, po ashtu si ushtrues detyre

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e ka shkarkuar Arben Loshin nga pozita e ushtruesit të detyrës së sekretarit të këtij institucioni. 

Në vend të tij, Haxhiu të enjten e ka emëruar Xheladin Hoxhën, pavarësisht se Loshi ka dalë i pari në konkursin për sekretar, e i cili proces është monitoruar nga shoqëria civile. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) e ka kritikuar shkarkimin e Loshit në momentin kur ai e ka fituar garën për ta marrë pozitën kryesore të administratës së Kuvendit. 

“Shkarkimi i ushtruesit të detyrës së sekretarit të përgjithshëm ditën e djeshme, i cili njëkohësisht është edhe njëri nga kandidatët fitues, në vend që të pasohej me emërimin nga procesi i rekrutimit, përbën një praktikë shqetësuese në raport me respektimin e procedurave të rekrutimit në administratën publike. GLPS, përmes iniciativës CorrWatch, ka monitoruar këtë konkurs në të gjitha fazat e tij, që nga shpallja e konkursit e deri te faza e intervistave. Bazuar në monitorimin tonë të drejtpërdrejtë, procesi është zhvilluar në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe nuk janë identifikuar shkelje që do të cenonin meritokracinë, profesionalizmin apo ligjshmërinë e procesit”, kanë thënë në GLPS. 

Ky grup i ka vlerësuar si absurde dhe të kundërligjshme veprimet e Haxhiut. 

“Për ne mbetet shqetësues dhe absurd fakti që janë tejkaluar edhe afatet për mbajtjen e një pozite me ushtrues detyre duke shkelur Ligjin për zyrtarët publikë, aq më shumë kur procesi i rekrutimit për këtë pozitë ka përfunduar me ligjshmëri të plotë”, kanë vlerësuar në këtë organizatë të shoqërisë civile.

E në reagimin e Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD) për këtë çështje, është thënë se Arben Loshi është kandidati që në konkurs i ka marrë më së shumti pikë - 90.2 nga 100 pikë të mundshme, dhe se procesi ka kaluar pa ankesa. 

Haxhiut dhe nënkryetarëve të Kuvendit, IKD-ja u ka bërë thirrje që t’i vënë vulë rezultatit të një procesi legjitim të rekrutimit. 

“IKD u bën thirrje nënkryetarëve të Kuvendit, të cilët së bashku me kryetaren Albulena Haxhiu përbëjnë Kryesinë e Kuvendit, që të veprojnë në përputhje me ligjin dhe të procedojnë me përzgjedhjen e sekretarit të përgjithshëm të Kuvendit, në përputhje me raportin e dërguar Kryesisë nga Komisioni për rekrutimin e sekretarit të përgjithshëm, sipas Ligjit për zyrtarët publikë dhe të përmbahen nga propozimet e kundërligjshme për anulimin e konkursit. Kjo është e domosdoshme për të garantuar integritetin e procesit të rekrutimit dhe respektimin e parimeve të meritokracisë dhe ligjshmërisë në administratën publike”, kanë thënë në IKD.

Sipas IKD-së, sekretari “është personi përgjegjës për përgatitjen dhe hartimin e procedurës së votimit, çka e bën këtë zhvillim edhe më problematik nga aspekti institucional dhe procedural”.

Kryeparlamentarja Haxhiu dhe as Loshi nuk janë përgjigjur në pyetjet e KOHËS lidhur me shkarkimin. 
Në pozitën e ushtruesit të detyrës së sekretarit të Kuvendit, Loshi ka qenë që nga viti 2023. E mbajtja e gjatë e pozitave me ushtrues detyre, sipas organizatave të shoqërisë civile, i mban nën presion personat me pozita të këtilla.