Analisti politik, Blerim Vela, ka thënë se partitë politike janë aktualisht në “luftën” se kujt t’i lihet faji nëse vendi shkon sërish në zgjedhje të jashtëzakonshme. Megjithatë sipas tij nuk priten ndryshime pas 45 ditësh sepse janë liderët e njëjtë politikë.
Vela në emisionin “Interaktiv” në KTV, e ka quajtur brengosëse qasjen e opozitës dhe mungesën e një analize nga ana e saj për humbjen që e ka pësuar që nga viti 2021.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Mirëbesimi nuk do të ndryshoj pas 45 ditësh, do të jenë akterë të njëjtë politikë. Veprimet e sotme dhe të ditëve të fundit janë të drejtuara drejt opinionit, lufta për narrativin se kush i ka fajet që po i shkakton këto zgjedhje të reja. Ajo çka më brengosë në qasjen e opozitës është se nuk e kanë bërë një analizë pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit e as të atyre të vitit 2021 se pse janë në ato pozicione, pse nuk po arrijnë ta mundin hegjemoninë politike të LVV-së. Ajo çka po shohim janë pretendime se si votuesi është mashtrues apo votuesi nga diaspora ka qenë faktor determinues”, ka thënë Vela.
Sa i përket propozimit të Feride Rushitit si kandidate për presidente nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje, Vela ka theksuar ajo i plotëson kushtet ligjore për të qenë kandidate në këtë pozitë dhe presidencës do t’i jepte një profil më tepër.
“Punën që e bën e konsideroj fisnike dhe në mënyrë efikase. E ka promovuar angazhimin e saj edhe në nivel ndërkombëtar. Një profil i tillë i plotëson kriteret ligjore për t’u konsideruar kandidate për presidente. Natyrisht do t’i jepte presidencës një profil më tepër që të fokusohet më shumë në këto çështjet e trashëgimisë së luftës dhe të drejtat e njeriut”, ka thënë Vela.
Dy kandidate për presidente të propozuara nga Lëvizja Vetëvendosje për të cilat votoi sonte Kuvendi i Kosovës ishin Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha.
Feride Rushiti mori 63 vota në raundin e parë ndërsa kandidatja Hoxha asnjë votë. Një votë tjetër ishte e pavlefshme.
Partitë opozitare nuk morën pjesë në këtë seancë të jashtëzakonshme për zgjedhjen e presidentes së Republikës së Kosovës.