Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Veliu: Nëse LDK-ja dëshiron ta rikthejë besimin, ndryshimi duhet të fillojë nga maja e saj

Agim veliu

Ish-nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu, ka kërkuar zgjedhje të brendshme në parti. 

Veliu ka thënë se rezultati i zgjedhjeve të parakohshme të 7 qershorit s’mund të paraqitet si sukses. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

LDK-ja në zgjedhjet e 7 qershorit siguroi 16.69 për qind të votave, apo 18 ulëse. 

Janë tri mandate më tepër se në zgjedhjet e 28 dhjetorit. 

Listës së LDK-së iu bashkua ish-presidentja Vjosa Osmani, që ishte madje bartëse e listës. 

Veliu ka thënë se për dështimin përgjegjësia bie mbi kreun e LDK-së, Lumir Abdixhikun dhe mbi Vjosa Osmanin.  

“Ishin arkitektët kryesorë të këtij projekti politik, i nisur në fillim me hile. Prandaj, kur kërkohen meritat për çdo sukses, duhet të merret edhe përgjegjësia për dështimet. U shpërfillën paralajmërimet e veprimtarëve, aktivistëve dhe figurave të shumta të LDK-së për centralizimin e partisë, margjinalizimin e mendimit ndryshe, largimin nga baza elektorale dhe së fundmi përzgjedhjen e kandidatëve sipas shijes dhe interesave personale e grupore. Rezultati zgjedhor dëshmoi se ato shqetësime nuk ishin të pabaza. Lidershipi aktual duhet ta pranojë dështimin e projektit të tyre për transformimin dhe përvetësimin e partisë sepse e morën përgjigjen  nga elektorati. LDK-ja ka nevojë për më shumë se reflektim formal. Ka nevojë për përgjegjësi konkrete. Prandaj, është momenti i fundit të niset një proces zgjedhor i rregullt dhe transparent, duke hapur rrugë për figura politike që janë të dëshmuara, që gëzojnë mbështetje të gjerë dhe që interesin e partisë e vendosin mbi interesat personale apo grupore”, ka shkruar Veliu në Facebook. 

Veliu ka thënë se një parti serioze s’mund të ringrihet “duke festuar humbjet si fitore morale”. 

“Ajo ringrihet duke analizuar gabimet, duke rikthyer demokracinë e brendshme dhe duke vendosur standarde të qarta të llogaridhënies. Nëse LDK-ja dëshiron të rikthejë besimin e humbur, ndryshimi duhet të fillojë nga maja e saj. Sepse partitë nuk dobësohen nga humbjet zgjedhore, por nga refuzimi për të nxjerrë mësime prej tyre. LDK duhet t'i kthehet LDK-së dhe LDK-istëve të saj. Zoti e bekoftë Lidhjen Demokratike të Kosovës!” – ka shkruar Veliu. 

Dega e LDK-së në Podujevë kishte propozuar Veliun për t’u përfshirë në listën për deputetë, por Veliu e refuzoi këtë propozim. 

Zgjedhje të brendshme në LDK kërkoi të mërkurën edhe Arben Gashi, i cili siguroi mandatin e deputetit në zgjedhjet e 7 qershorit.