Arbëri

Veriu del nga Asociacioni i Komunave të Kosovës

Pas rikthimit të Listës Serbe në pushtet, katër komunat e veriut të Kosovës të banuara kryesisht me serbë kanë nisur t’i zhbëjnë vendimet që janë marrë gjatë mandateve të kryetarëve shqiptarë. Të enjten, Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zveçani dhe Zubin-Potoku kanë marrë vendim që të tërhiqen nga Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK), me arsyetimin se anëtarësimi në të është bërë pa vullnetin e serbëve

Të katër komunat veriore të Kosovës, të banuara kryesisht me serbë, të enjten i kanë mbajtur kuvendet e para të pasndërrimit të pushtetit dhe gjatë tyre kanë votuar për t’u tërhequr nga Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK).

Për vendimet e marra në sinkron, udhëheqës të komunave të Mitrovicës së Veriut, të Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin-Potokut dhe të cilët janë nga Lista Serbe, parti kjo që i përfaqëson serbët e Kosovës dhe që e ka mbështetjen e Beogradit zyrtar, kanë listuar disa arsye. Por kryesorja, sipas tyre, është se anëtarësimi në AKK është bërë pa dëshirën e popullatës serbe.

“Në periudhën e deritanishme gjithashtu nuk kemi parë asnjë përfitim nga ky Asociacion. Kërkesa e qytetarëve, të cilët na kanë dhënë mandatin, është më se e qartë dhe konsideroj se Kuvendi Komunal duhet të votojë për daljen e Komunës së Mitrovicës së Veriut nga Asociacioni i Komunave të Kosovës. Çdo aderim i mëtejshëm në ndonjë asociacion tjetër apo vendim i ngjashëm duhet të vendoset nga vetë qytetarët”, ka thënë Milan Radojeviq, i cili është kryetar i Komunës së Mitrovicës së Veriut.

Asamblistja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut, Aida Ferati-Doli, e ka kundërshtuar propozimin për dalje nga AKK-ja, teksa e ka vlerësuar këtë trupë se funksionon shumë mirë.

Katër komunat me shumicë serbe janë udhëhequr nga kryetarë shqiptarë në periudhën midis majit të 2023-tës dhe tetor të 2025-tës, ndërsa anëtarësimi i tyre në AKK është bërë gjatë kësaj periudhe kohore.

Kryetari i ri i Zveçanit, Dragisha Miloviq, ka thënë se synim i komunës që ai e udhëheq është themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Për këtë, ai i ka kritikuar autoritetet e Kosovës, duke thënë se ato nuk janë duke i respektuar marrëveshjet e dala nga dialogu mes Kosovës dhe Serbisë që lehtësohet nga Bashkimi Evropian (BE).

“Fatkeqësisht, tash e 13 vjet, pavarësisht se parlamenti në Prishtinë me shumicë prej dy të tretës së votave e ka miratuar këtë marrëveshje, ne po presim formimin e Asociacionit. Ne e shohim se sa na është dëmtuar komuna, sa ka mbetur prapa investimi në infrastrukturë dhe një prej arsyeve është se ne duhet ta mbajmë edhe financiarisht atë Asociacion, kurse buxhetin e kemi thatë”, ka theksuar Miloviq.

Lista Serbe, edhe para se ta rimarrë pushtetin në këto katër komuna, ka paralajmëruar se do t’i zhbëjë të gjitha vendimet që janë marrë nga kryetarët shqiptarë. Ata patën paralajmëruar “shqyrtim të hollësishëm të gjendjes së trashëguar juridike dhe financiare, në mënyrë që në periudhën e ardhshme të merren vendime në përputhje me ligjin dhe në interesin më të mirë të qytetarëve”.

Asociacioni i Komunave të Kosovës vepron si organizatë joqeveritare me qëllim të shkëmbimit të përvojave dhe të mbrojtjes së interesave të anëtareve të saj.

Për anëtarësimin në të edhe të katër komunave veriore pati reaguar edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke vlerësuar se komunat me shumicë serbe duhet të jenë pjesë e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, për themelimin e të cilit Kosova dhe Serbia janë pajtuar disa herë gjatë dialogut.

Kosova nuk ka bërë hapa për ta themeluar Asociacion, me gjithë trysninë nga bashkësia ndërkombëtare.

Gjatë qeverisjes së tyre në komunat me shumicë serbe, kryetarët shqiptarë gjithashtu kanë marrë në administrim objektet në pronësi të tyre, ku funksiononin institucionet serbe, i kanë ndaluar ndërtimet e jashtëligjshme të financuara nga Serbia, si dhe kanë paralajmëruar rrënimin e vendbanimeve të ndërtuara pa leje. Po ashtu, komuna e Mitrovicës së Veriut, gjatë verës së sivjetmë ka nënshkruar memorandum mirëkuptimi me komunën e Mitrovicës së Jugut, e në të cilin parashikohet ndërtimi i urave të reja për këmbësorë dhe automjete mbi lumin Ibër. Lista Serbe ka paralajmëruar se do të kërkojë rishikimin e të gjitha këtyre vendimeve.

Ligji për vetëqeverisjen lokale parasheh që, për një vendim ose akt tjetër të komunës që nuk është në përputhje me Kushtetutën dhe me ligjet, mund të kërkohet rishqyrtim nga organi mbikëqyrës – në këtë rast Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ose institucione të tjera përgjegjëse të Qeverisë së Kosovës.