Zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje në Obiliq kanë akuzuar qeverisjen e AAK-së në këtë komunë për emërim politik me emrin e ish-zyrtarot të kësaj partie, Adem Preniqi. Në vendin ku ka filluar ndërtimi i këtij sheshi, aktivistë të VV-së kanë vendosur një baner me emrat e dëshmroëve të kësaj komune, që sipas tyre, ky shesh do të duhej të bartte njërin prej tyre.
“Ne aktivistet e Lëvizjes VETVENDOSJE! në Kastriot jemi mbledhur sot këtu për t’i kujtuar qeverisjes lokale të komunës tonë se në mesin e qytetarëve tanë ka vajza dhe djem që janë rritur pa ngrohësin e prindërve të tyre! Ka prindër që vazhdojnë të jetojnë me mallin për djemtë që nuk i kanë më! Ka motra dhe vëllezër që jetojnë me zemër të thyer për vëllezërit që ranë nëpër fushëbeteja! Ka gra të veja që vazhduan dhe i rritën fëmijët e tyre pa më të dashurit e tyre. Pra krejt këta më të dashurit të këtyre familjareve janë sot dëshmorët e kombit nga komuna jonë. Janë ata më meritorët për lirinë që ne sot e gëzojmë”, thuhet në një komunikatë të Vetëvendosjes.
Ky shesh, sipas zyrtarëve të kësaj partie, u emërtua pa debat publik.
“Emri i tij u transferua në këtë shesh pa e anuluar vendimin për emërimin e sheshit tjetër të qytetit, që kishte emrin e njëjtë. Sheshit atje u detyruan t’i ndërrojnë emërtimin, vetëm pas reagimeve të shumta opozitare, qytetare dhe të organizatave të dala nga lufta e UÇK-së.
Lëvizja VETVENDOSJE! është dhe do jetë kundër emërimeve të hapësirave publike me emra të përfaqësuesve të politikës ditore”, thuhet më tej në komunikatë. “Gjeneratat e reja meritojnë të dinë me shumë për dëshmorët që dhanë më të shtrenjtën për ketë vend, pra jetën e tyre. Ata duhet të vazhdojnë të përmenden, edhe atë me krenari, dhe më e pakta për ne do të duhej të jetë emërimi i rrugëve, shesheve dhe shkollave me emrat e tyre të pavdekshëm”.
Aktivistët e Vetëvendosjes u kanë bërë thirrje qytetarëve të Kastriotit që të mos qëndrojnë indiferent, siç kanë thënë, karshi emërimeve politike.
“Sepse po bëhet një precedan i rrezikshëm për të ardhmen. Po ashtu i bëjmë thirrje Komunës së Kastriotit që emërimin e këtij sheshi ta bëjë pas debateve publike me qytetarë, në mënyrë që njëjti të mos ndryshohet me ndërrimin e pushtetit në Kastriot. Rrugët dhe sheshet janë të qytetarëve, me taksat e të cilëve po ndërtohen, e jo të përfaqësueseve politikë që po ashtu paguhen nga ne. Shtrembërimin dhe diskriminimin nuk e lejojmë, atë gjithnjë do ta denoncojmë!”, përfundon komunikata.