Në 44-vjetorin e vrasjes në Gjermani të Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës, liderët shtetërorë dhe përfaqësues politikë bënë homazhe në nderim të tyre. Presidentja Vjosa Osmani e kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i quajti veprimtarët si flakadanë që sakrifikuan gjithçka për lirinë e Kosovës
Liderët shtetërorë e përfaqësues politikë bënë homazhe të shtunën në nderim të Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës, në 44-vjetorin e vrasjes së tyre në Gjermani, në një atentat të përgatitur nga shërbimi sekret jugosllav.
Në Dubovik të Deçanit, presidentja Vjosa Osmani i kujtoi ata si veprimtarë që dëshmuan se e deshën atdheun më shumë sesa jetën.
“Ata u shndërruan në zërin e një populli të robëruar dhe në kohë shumë të rënda rrezikuan gjithçka dhe u shndërruan në flakadanë të lirisë sonë. Ishte pikërisht sakrifica e tyre që e trasoi rrugën përpara të popullit tonë, në mënyrë që ne sot ta gëzojmë këtë shtet për të cilin ata dhanë gjithçka”, ka thënë Osmani.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se ata janë dëshmi që edhe para suprimimit të autonomisë pati patriotë e veprimtarë që flijuan gjithçka për lirinë.
“Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, u vranë më pak se një vit pas demonstratave të vitit 1981, në kohën kur organizata të shumta të fshehta të kohës po bëheshin bashkë dhe Jugosllavia e Serbia, i goditën pikërisht Jusufin, Bardhoshin dhe Kadriun, atëherë kur po merrte përmasa gjithnjë e më të mëdha organizimi për Republikën e Kosovës dhe për çlirimin e popullit tonë”, ka thënë Kurti.
Nderime për vëllezërit Gërvalla dhe për Kadri Zekën bëri edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.
“Vëllezërit Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka ishin veprimtarë të hershëm të lëvizjes sonë kombëtare për liri dhe pavarësi. Guximi dhe aktivizimi i hershëm në lëvizjet për liri ishin burim frymëzimi për të mos u ndalur në rrugën drejt lirisë, e cila u kurorëzua me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka thënë Haradinaj.
E kryetari i Mitrovicës, Faton Peci, tha se ata e shtruan rrugën e Kosovës drejt lirisë.
“Në gjysmën e dytë të shekullit 20, shqiptarët e Kosovës kaluan nëpër tri etapa deçizive në rrugën drejt lirisë. E para nga to, është platforma e Jusuf Gërvallës. Shkrimtari, artisti, kritiku, revolucionari e avangarda e mendimit politik, Jusuf Gërvalla kishte qenë bartës i platformës së parë për çlirim dhe kishte frymëzuar e bashkuar shqiptarët anekënd kontinentit. Ishte ky kulm i frymëzimit dhe veprimit, kur më 17 janar 1982, shërbimi sekret jugosllav bëri atentat ndaj Jusuf Gërvallës, vëllait të tij, Bardhoshit, dhe shokut të tyre, Kadri Zekës”, ka thënë Peci i cili bashkëdrejton Partinë Guxo, me vajzën e Jusuf Gërvallës, Donika Gërvalla, e cila është ministre në detyrë e Punëve të Jashtme.
Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka u ekzekutuan pak metra pasi dolën nga garazhi i shtëpisë, ku po banonin në Heilbronn të Gjermanisë. Sipas fqinjëve të tyre, dy persona shtinë me 12 plumba mbi veturën e tyre dhe ikën nga vendi i ngjarjes.