Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një konferencë për media në Bruksel të martën mbrëma tha se Serbia do të pranohej në Bashkim Evropian “nëse do t’i vendoste nesër sanksione Rusisë dhe ta njihte Kosovën”, raporton “Kossev”.
Ai ka qëndruar në Bruksel gjatë të martës, për të marrë pjesë në Samitin e Zgjerimit të Bashkimit Evropian të organizuar nga “Euronews”.
Ai gjatë takimit në Bruksel ka njoftuar se ka pasur takime me zyrtarë evropianë. Po ashtu në “Instagram” ka njoftuar se është takuar edhe me emisarin e BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Peter Sorensen.
“Në një bisedë të hapur, konfirmova angazhimin tonë për dialogun e lehtësuar nga BE-ja, si e vetmja platformë që mund të sigurojë paqe, stabilitet për të gjithë ata që jetojnë në Kosovë dhe Metohi. Ne u përqendruam në hapa konkretë, zbatimin e plotë dhe konsistent të marrëveshjeve të arritura deri më tash, ulje të tensioneve në terren dhe mbrojtje të të drejtave dhe sigurinë e popullit serb. Në veçanti theksova rëndësinë e formimit të AKS-së, në përputhje me marrëveshjet, si një element kyç i një zgjidhjeje të qëndrueshme”, ka shkruar Vuçiq në Instagram.
Duke folur të martën më herët në sesionin “Bisedat Evropiane” mbi temën e rrugës evropiane të Serbisë, Vuçiq tha se Serbia s’ka hapur asnjë grup të vetëm të kapitujve në tre vjet e gjysmë, që përkon me fillimin e luftës në Ukrainë.
E të martën mbrëma në konferencë për media në Bruksel tha se kjo do të ndryshonte menjëherë nëse Serbia do të pranonte t’i vendoste sanksione Rusisë, por edhe ta njihte Kosovën.
Ai thotë se s’dëshiron që të jetë kështu.
“Më thuaj, a dëshironi që të jetë kështu politika? Nuk mendoj se duhet ta njohim një Kosovë të pavarur, nuk mendoj se duhet të vendosim sanksione. Më thuani, a mendoni se duhet bërë kjo? Nuk do ta bëj dhe nuk ka problem. Bëjeni brenda një viti dhe ja ku jeni në Bashkim Evropian. Është gjeopolitikë e pastër”, tha Vuçiq.
Ai ka thënë se për të ndodhur kjo duhet të mposhtet në zgjedhje nga “ata që ranë dakord me pavarësinë e Kosovës në vitin 2008”.
“Nëse doni që ne të sjellim në pushtet ata që ranë dakord me pavarësinë e Kosovës në vitin 2008, nuk është problem, zgjidhni ata. Vetëm para kësaj ata duhet t’i fitojnë zgjedhjet. Dhe ja ku jemi me një shpejtësi të pabesueshme”, tha Vuçiq.