Lëvizja Vetëvendosje, opozitë në Obiliq, ka votuar kundër buxhetit komunal për vitin 2023, që u miratua javën që shkoi. Duke i listuar arsyet për këtë, zyrtarët e kësaj partie janë ankuar se propozimet e tyre janë shpërfillur. Madje, kanë ngritur dyshime për keqpërdorime. Ndërkohë, Komuna ka thënë se buxheti është proceduar pas rekomandimeve e kërkesave të dala nga dëgjimet buxhetore, ku, siç thuhet, nuk kanë marrë pjesë zyrtarët e VV-së
Kundër buxhetit të Obiliqit për 2023-tën, që u miratua javën që shkoi, votuan asamblistët e LVV-së, opozitë në këtë komunë.
Duke listuar arsyet, ata thonë se buxheti nuk përmbante asnjë specifikë se ku do të shkojnë ato mjete.
Sami Ahmeti, shef i Grupit të këshilltarëve të VV-së në Obiliq, ka thënë se arsye tjetër ishte edhe mospërfshirja e disa projekteve të propozuara nga kjo parti.
“Disa nga to ishin vendosja e ashensorëve në banesat e qytetit, krijimi i shtigjeve për biçikleta për fshatrat e afërta rreth qytetit, krijimi i infrastrukturës së nevojshme për kthimin e Çiçavicës në zonë turistike etj. Por asnjë nga këto propozime nuk u mor parasysh dhe si rrjedhojë ne ishim kundër këtij buxheti”, u shpreh Ahmeti.
Ai ka hedhur dyshime përkitazi me mosspecifikimin e projekteve.
“Ishim kundër edhe për faktin se miratimi i buxhetit si i tillë lë hapur rrugën, ose po shtron rrugën për keqpërdorime të shumta, për faktin se shifrat e mëdha po miratohen si të tilla, e pastaj ato po destinohen në fusha që ne i quajtëm më tepër elektorale. Kjo ishte arsyeja pse ne ishim kundër, jo për faktin që ne jemi kundër prosperitetit të Komunës, mirëpo jemi për faktin se ato mjete po keqpërdoren”, shtoi ai.
Në Komunën e Obiliqit kanë thënë se gjatë hartimit të projektbuxhetit janë marrë për bazë të gjitha rekomandimet dhe kërkesat e qytetareve, të bizneseve e OJQ-ve, mes të tjerash.
“Komuna e Obiliqit, konkretisht Drejtoria e Financave, ka realizuar dëgjimet buxhetore publike ashtu siç parashihet në bazë të ligjit dhe rregulloreve (2 debate publike), në të njëjtën kohë edhe në konsultime me fshatrat e lokalitetet e Komunës. Në dy debatet publike janë prezantuar të gjitha linjat buxhetore të planifikuara për vitin 2023 dhe janë marrë për bazë të gjitha rekomandimet dhe kërkesat e qytetareve, bizneseve, OJQ-ve, shoqërisë civile, të rinjve dhe të rejave. Takimi për prezantimin e buxhetit komunal është mbajtur edhe nën organizimin e Kuvendit Komunal të Obiliqit, konkretisht nga kryesuesja e Kuvendit. Në këto debate publike, të cilat janë të hapura për të gjithë, nuk kanë qenë prezentë anëtarët e Kuvendit Komunal nga radhët e VV-së”, thuhet në përgjigjen me shkrim të Zyrës për Informim të Komunës së Obiliqit.
Sipas njoftimit, bazuar në rekomandimet dhe kërkesat e dala nga këto dëgjime buxhetore, Drejtoria e Financave ka dërguar në Kuvendin Komunal buxhetin e planifikuar për vitin 2023 dhe planifikimet për vitet pasuese 2024-2025.
“Komuna e Obiliqit është institucion i vënë në shërbim të qytetarëve pa dallim dhe të gjitha projektet e planifikuara në buxhetin komunal të vitit 2023 janë si rezultat i kërkesave dhe prioriteteve të caktuara nga qytetarët e Obiliqit, prandaj akuzat e tilla janë tërësisht të pabaza dhe me tendencë politike, thuhet në përgjigje.
Buxheti i Komunës së Obiliqit për vitin 2023 është 12 milionë e 921 mijë e 229 euro.