Arbëri

Sveçla thotë se MF-ja i transferoi mjetet, Komuna e Prishtinës e mohon pranimin deri në orën 16

Komuna e Prishtinës

Ilustrim

(E përditësuar) - Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Gëzim Sveçla, ka deklaruar se Ministria e Financave përmes Thesarit ia ka transferuar Komunës së Prishtinës 28 milionë eurot nga të hyra vetanake të komunës për të cilat u mbajt mbledhja e jashtëzakonshme të enjten. Por drejtoresha e Financave në këtë komunë ka thënë se bartje të mjeteve nuk ka pasur deri në orën 16.

“Ministria e Financave e ka kryer punën, Thesari i ka transferuar mjetet. Nesër mundet komuna e Prishtinës t’i shfrytëzojë”, ka thënë Sveçla për Kohën. Ai tutje ka thënë se është e rëndësishme të shihet sesi do të përdoren këto mjete nga komuna, duke deklaruar se 25 milionë euro janë për investime kapitale.

Në anën tjetër, drejtoresha e Financave, Valbona Makolli, ka thënë se deri në fund të orarit të ditës së sotme, nuk ka pasur bartje të mjeteve.

Në një përgjigje për KOHËN, ajo ka deklaruar se bartja mund të ketë ndodhur pas orës 16:00.

“Deri në fund të orarit nuk e kemi parë alokim të mjeteve. Ndoshta pas orës 16:00 kanë bërë alokim dhe ne si komunë deri nesër nuk mund ta dimë”, ka thënë ajo.

Të enjten e 27 nëntorit përmes një mbledhjeje të jashtëzakonshme u është hapur rrugë bartjes së mjeteve vetanake nga viti 2024 në vitin 2025 që kapin vlerën e 28 milionë eurove.

Për votuan 38 asamblistë e një abstenoi.

Për të njëjtat mjete, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama në mbledhje tha se pret që po atë ditë Ministria e Financave t’i bartë mjetet.

Kjo do t’i hapë rrugës pagesave të faturave të pashlyera të Komunës së Prishtinës dhe fundit të grevës nga Trafiku Urban. Transportuesit publikë kanë protestuar tash e sa ditë shkaku i borxheve nga komuna. E komuna fajësonte Ministrinë e Financave për bllokim.