Arbëri

Wesley Clark: Millosheviqi më tha se do t’i vrasë të gjithë shqiptarët

Wesley Clark

Gjenerali i NATO-s gjatë kohës së luftës në Kosovë, Wesley Clark, ka nisur dëshminë e tij në Dhomat e Specializuara. Duke iu përgjigjur pyetjeve të mbrojtjes së Hashim Thaçit, Clark ka thënë se UÇK-ja ishte e përbërë nga grupe lokale të vetorganizuara. Po ashtu ka folur për bisedat e tij me Sllobodan Millosheviqin

Ish-komandanti suprem i Forcave Aleate të NATO-s për Evropë, Wesley Clark, ka deklaruar të hënën para Dhomave të Specializuara në Hagë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte e forcë e vetorganizuar.

Në dëshminë e tij në rastin ku Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, Clark ka theksuar se UÇK-ja më 1998 përbëhej prej grupeve lokale të armatosura të shqiptarëve, krijimi i të cilave është nxitur nga rritja e represionit të Serbisë. 
“Nuk kishte shumë informacion, s’kishte shumë gjëra për të folur sa i takon komandës (së UÇK-së në verë dhe vjeshtë të 98-s v.j). Me sa dinim ne, bëhej fjalë për grupe lokale të cilat ishin formuar pak a shumë në mënyrë spontane në përgjigje ndaj shtypjes serbe prej shumë e shumë vjetësh. Në veçanti pas vrasjes së familjes Jashari gjithmonë e më tepër filloi të krijohej një alarm i përgjithshëm që do të kishte më shumë zhvillime negative dhe për këtë arsye njerëzit gjithmonë e më tepër formonin këto grupe lokale”, ka thënë Clark.

Gjenerali Clark ka thënë po ashtu se u angazhuan forca speciale për vëzhgim të UÇK-në nga territori i Shqipërisë, porse ato nuk qenë në gjendje të jepnin informata të besueshme. 

“Unë sigurisht se mora më shumë informacion lidhur me UÇK-në nga serbët sesa kam marrë informacion nga forcat tona. Serbët kishin pika të identifikuara në hartë që identifikonin si të ashtuquajturat ‘pika terroriste’ domethënë ata mundoheshin që të mblidhnin informacion lidhur me të. Sigurisht që pjesa më e madhe e personave në këto grupe ishin persona që kishin shtëpitë e familjet e tyre dhe që mundoheshin të kishin jetën e tyre, por nga ana tjetër përpiqeshin që gjithashtu ta mbronin veten dhe familjen”, ka deklaruar Clark.   

Në këtë rast prokuroria pretendon se të akuzuarit kanë pasur kontroll efektiv mbi UÇK-në, kurse mbrojtja të kundërtën - se komandantët e zonave dhe ata lokalë kanë pasur kontrollin e vërtetë të situatës në terren.

E kur Clark është pyetur për takimet me Thaçin, është shprehur se ai iu duk person me autoritet kur e pa në Rambuje. Megjithatë, ka deklaruar se Thaçi nuk ishte komandant ushtarak.

“U takova me z. Thaçi për herë të dytë përpara se të fillonte fushata e bombardimeve, nëse nuk gaboj. Ai ishte një nga personat atje, ishte personi më me autoritet, ishte më i riu, ishte më bindësi. Pra, ishte personi që ishte i veshur më mirë, kishte flokët në mënyrën më të përshtatshme. Jetonte në Zvicër, fliste gjermanisht, nuk fliste shumë anglisht asokohe. Unë ndërkohë nuk flisja shumë gjermanisht kështu që ishte pak e vështirë që të komunikonim me njëri-tjetrin, por ai nuk ishte komandant ushtarak”, ka thënë gjenerali Clark.

Këtë ka thënë se e bazon te biseda me Thaçin pasi, sipas tij, ai nuk ishte në gjendje të sugjeronte caqe të forcave serbe që NATO-ja t’i bombardonte.

“Donim që të mos sulmonim objektivat civile, por thjesht të ndërhynim me forcat ushtarake në terren. E pyetja që ia bëra unë është ku janë ata dhe ku jeni ju. Pra çfarë duhet të sulmoj unë, cilat janë objektivat e mia? Ndërkohë përgjigjja që mora prej tij ishte asgjë”, ka thënë Clark. 
Gjenerali ka përmendur edhe bisedat me Sllobodan Millosheviqin. Në njërën prej tyre, Clark është  shprehur se Millosheviqi i ka thënë se do ta bëjë atë që Serbia e ka bërë në të kaluarën – t’i vrasë të gjithë shqiptarët.

“Më tha ne e dimë si t’i trajtojmë këta shqiptarë, këta vrasës. Kemi bërë këtë gjë më përpara, nuk është hera e parë. E pyeta: ‘Si i keni trajtuar? Çfarë keni bërë?’ U përgjigj: ‘I kemi vrarë të gjithë’”, ka thënë Clark. 
Dëshmitari Wesley Clark ka thënë po ashtu se nuk ka dëgjuar kurrë për Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së. I pyetur nga prokuroria për disa incidente që janë pjesë e aktakuzës, Clark është përgjigjur se nuk ka dëgjuar ndonjëherë për to.

Ish-komandanti suprem i Forcave Aleate të NATO-s për Evropë gjatë dëshmisë ka folur edhe për një bisedë me presidentin e asaj kohe të Maqedonisë, Kiro Gligorov, i cili pas masakrës ndaj familjes Jashari, në marsin e 98-s , e ka marrë në telefon dhe i ka thënë se “nga tash shqiptarët në Kosovë do të ngrihen në rezistencë të armatosur”.

Dëshmia e Wesley Clarkut pritet të vazhdojë edhe në ditët e ardhshme.
Ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-shefi i deputetëve të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Në bazë të aktakuzës së ZPS-së e publikuar në shkurt të vitit 2023, Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me rreth 100 vrasje, pastaj për tortura e trajtim mizor në rreth 40 qendra ndalimi gjatë periudhës 1998-1999.

ZPS-ja pretendon se kryen ndërmarrje të përbashkët kriminale që ndërlidhen me gjashtë akuza për krime lufte, si: Përndjekje (Pika 1), burgosje (Pika 2), akte të tjera çnjerëzore (Pika 4), torturë (Pika 6), vrasje e paligjshme (Pika 8), zhdukje me dhunë (Pika 10) si dhe katër akuza për krime kundër njerëzimit, përfshirë këtu arrestim dhe ndalim i paligjshëm ose arbitrar (Pika 3), trajtim mizor (Pika 5), torturë (Pika 7) dhe vrasje e paligjshme (Pika 9). 

Shumica e viktimave të krimeve, sipas ZPS-së, janë shqiptarë, civilë dhe pjesëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Sipas ZPS-së, të akuzuarit kanë qenë në dijeni apo është dashur të jenë në dijeni shkaku i pozitave udhëheqëse në Shtab të Përgjithshëm, lidhur me pretendimet për krimet që janë kryer dhe që kanë pasur qëllim që ta marrin pushtetin në Kosovë përmes tyre. 

Ish-drejtuesit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së i kanë mohuar të gjitha këto akuza. Ata kanë thënë se UÇK-ja nuk kishte hierarki të tillë, meqë peshën e kishin komandantët e zonave dhe se kishte për qëllim të luftonin Serbinë e jo civilët.

Lexo përditësimet tjera
Wesley Clark

Clarku nis dëshminë në Hagë

Ish-komandanti suprem i forcave të NATO-s në Evropë, Wesley Clark, po dëshmon në Hagë në çështjen...