Arbëri

ZKA: Presidenca mbajti jashtëligjshëm 15 pozita me ushtrues detyre gjatë 2024-s

Zyra e Presidencës, vitin e shkuar ka keqmenaxhuar me burime njerëzore dhe me kontrata në kategorinë e mallrave dhe shërbimeve, ka konstatuar Zyra Kombëtare e Auditimit. Në raportin për pasqyrat financiare të Presidencës për vitin 2024, thuhet se ky institucion i tejkaloi afatet ligjore për 15 pozita me ushtrues detyre. Si gjetje tjetër është pasqyruar edhe tejkalimi i vlerës së kontratës për shërbime të transportit ajror

15 pozita të rregullta të punës në Presidencë janë mbajtur gjatë vitit të kaluar me ushtrues detyre përtej afatit të paraparë ligjor, ka gjetur raporti i auditimit për pasqyrat financiare të Zyrës së Presidentit për vitin 2024.

Këto pozita, sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit, nuk u plotësuan në përputhje me Ligjin për Zyrtarët Publikë, që parasheh që një pozitë e rregullt e punës mund të mbahet me ushtrues detyre vetëm deri në 12 muaj.

Zgjatja e periudhës së mbajtjes së pozitave me ushtrues detyre përtej afatit të parashikuar ligjor mund të çoj në keqpërdorim të pozitave publike, theksohet në raport. 

“Mbajtja e pozitave me ushtrues detyre për një kohë më të gjatë se afati i paraparë ligjor rrezikon që pozitat e ndryshme të mbahen nga persona që nuk i përmbushin kriteret e kërkuara/përcaktuara për pozitat adekuate”, thuhet në raportin e auditimit.

Në paragrafin 3, 4 dhe 5 të nenit 35 të Ligjit për Zyrtarët Publikë përkufizohet periudha kohore që një zyrtarë publik mund të mbajë pozitën e ushtruesit të detyrës dhe theksohet se çdo vendim i marrë pas kalimit të afatit të përcaktuar është i paligjshëm.

“3. Zyrtarja/i publik nuk mund të caktohet si ushtruese/i detyre më gjatë se gjashtë (6) muaj. Kur pozita nuk mund të plotësohet brenda afatit gjashtë (6) mujor, ky afat mund të zgjas më së shumti edhe për gjashtë (6) muaj të tjerë. 4. Pozita e lirë nuk mund të zëvendësohet me ushtrues detyre për më gjatë se afati i përcaktuar në paragrafin 3. të këtij neni. 5. Çdo vendim i marrë nga ushtruesja/i i detyrës, pas kalimit të afatit të përcaktuar në paragrafin 3. të këtij neni, është i paligjshëm”, thuhet në këtë ligj.

Sipas raportit të ZKA-së, plotësimi i pozitave me staf të rregullt të punës ka qenë një prej rekomandimeve të dhëna më 2023, e cila nuk u adresua. Në raport thuhet se numri i ushtrueseve të detyrës mbeti i njëjtë deri në fund të 2024-s.

Krahas tejkalimit të këtyre afateve, ZKA-ja gjeti se Presidenca ka bërë tejkalime edhe në vlerën e kontratës kornizë për “Shërbime të transportit ajror”.

Në rast se tejkalohet vlera e kontratës mbi normën e lejuar, kontrata duhet të ndërpritet automatikisht, sipas nenit 54 të Rregullores për Prokurim Publik.

“Nëse AK deklaron përqindjen e mospërputhjes në dosje të
tenderit dhe nëse urdhër blerjet tejkalojnë sasinë totale indikative ose vlerën totale indikative të kontratës publike kornizë (duke përfshirë + tridhjetë përqind (30%), pa marrë parasysh datën origjinale të skadimit të Kontratës Publike Kornizë, kontrata do të ndërpritet automatikisht”, thuhet në Rregulloren e Prokurimit Publik.

ZKA-ja gjeti se Presidenca veproi në kundërshtim me këtë rregullore, e cila kërkon që kontrata të ndërpritet menjëherë në raste kur tejkalohet 30-përqindëshi i saj.

“Për kontratën në vlerë prej 120.000 eurosh, gjatë auditimit kemi konstatuar se ZPRK-ja kishte kryer furnizime në vlerë prej 211,404 eurosh, duke tejkaluar vlerën e kontratës për 55.404 euro mbi normën e lejuar, 30 për qind. Kjo situatë ka ardhur si rezultat i organizimit jo të duhur nga personat përgjegjës të përfshirë në organizimin e edicionit të dytë të Forumit ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë (bileta-Transporti për udhëtim zyrtar jashtë vendit), ku numri i pjesëmarrësve ishte shumë i lartë ndërsa gjitha planifikimet ishin bërë bazuar në shpenzimet e edicionit të parë”, thuhet tutje në raport.

Sipas ZKA-së, tejkalimi i vlerës së kontratës mbi normën e lejuar mund të ndikojë që organizata buxhetore të hyjë në obligime financiare të paplanifikuara, andaj i rekomandon sekretarit të përgjithshëm që të sigurohet që zyrtarët përgjegjës të mbikëqyrin në vazhdimësi ecurinë e realizimit të kontratave, në mënyrë që të parandalohen tejkalimet e furnizimeve.

Në Zyrën e Presidentes janë pajtuar me gjetjet dhe rekomandimet e raportit, teksa kanë bërë zotim që brenda 30 ditësh të përgatitet planveprimi për zbatimin e tyre.

Lidhur me këto gjetje, KOHA ka adresuar pyetje në Presidencë porse nuk ka pranuar përgjigje.