Auto

“Drag Race” anulohet pas rrahjes së garuesve

Drag Race

Pamje nga momenti i rrahjes

Gara “Drag Race” e planifikuar për 21 dhe 22 qershor nuk do të mbahet, kanë njoftuar organizatorët të mërkurën, pak ditë pasi më 3 dhe 4 maj në garën e parë pati sulm fizik mes dy garuesve.

“Eurogoma Racing Team si bashkorganizator me Federatën e Auto Sportit të Kosovës, njofton dashamirët e disiplinës Drag Race, se gara e dytë, e paraparë për 21 e 22 qershor nuk do të mbahet. Ky vendim është marrë për shkak të kushteve të papërshtatshme infrastrukturore dhe vështirësive në organizim gjatë garës së parë, e cila u mbajt më 3 e 4 maj, por edhe sjellja jo sportive dy garuesve. Veprimi i tyre, e sidomos reagimi i një numri të tifozëve, është absolutisht e papranueshme”, thuhet në një njoftim të publikuar në faqen e Federatës së AutoSporteve në Facebook.

Aty është thënë se përkundër përpjekjeve për t’i përmirësuar kushtet, disa njerëz vazhdojnë ta pengojnë zhvillimin e sportit të veturave.

“Prandaj, anulimi i garës së qershorit le të shërbejë si reflektim për të gjithë ne, që institucionet dhe individët të japin kontributin e tyre, në mënyrë që në të ardhmen organizimet të jenë më të mira dhe të shmangim problemet eventuale”, thuhet në komunikatë. “Ndërsa, do t’u njoftojmë me kohë për garat e parapara të mbahen në gusht e tetor, varësisht nga përmirësimet që do të arrijmë t’i bëjmë deri atëherë”.

“Drag Race” është garë shpejtësie në vijë të drejtë mes dy veturave. Zakonisht mbahet në rreth 400 metra shteg. Veturat testojnë përshpejtimin dhe fuqinë e makinës. E në fundjavën që shkoi, pas një gare, pati tensione e sulme fizike dhe u detyrua ndërhyrja e policisë.