Ndonëse pa dy lojtarët kryesorë, përfaqësuesja e Kosovës në basketboll e kërkon suksesin ndaj Sllovakisë.
Kosova e Sllovakia përballen të premten prej orës 19:00 në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren. Mund të jetë ndeshja vendimtare e raundit të parë të parakualifikimeve për “Eurobasket 2029”. Sllovakia vlerësohet favorite e grupit, bazuar në ndarjen e ekipeve nëpër vazo për short, por Kosova me fitore do të hapte rrugën për ta fituar Grupin C. Vendi i parë në grup siguron avancimin në raundin e dytë të parakualifikimeve. Në raundin e dytë kualifikohet edhe përfaqësuesja më e mirë e vendit të dytë, prej tri grupeve sa janë gjithsej.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoPërfaqësueset që dështojnë të kualifikohen, e fitojnë edhe një rast në raundin e tretë parakualifikues.
Në Grupin C është edhe Shqipëria që në nëntor pësoi 73:63 nga Sllovakia dhe 99:84 nga Kosova.
Të premten mbrëma në Prizren, Kosova do të jetë pa kapitenin Dardan Berisha dhe Drilon Hajrizin. Të dy mungojnë për shkaqe shëndetësore.
Kjo e bënë dukshëm më të vështirë punën për selektorin Bujar Loci. Berisha e Hajrizi janë dy basketbollistët dukshëm më të mirë në Kosovë të dekadës së fundit. Dhe pa ta, përfaqësuesja do të ketë pamje tjetër.
Te Kosova megjithatë ka optimizëm për sukses.
“Jemi duke u përgatitur maksimalisht për ndeshje. Po ushtrojmë me intensitet të lartë dhe e dimë rëndësinë e ndeshjes. Do të jetë ndeshje e vështirë dhe për këtë arsye presim përkrahjen e të gjithë tifozëve tanë”, ka thënë fundori prizrenas, Valon Bunjaku.
Musab Mala, Jon Ismajli, Mikaile Tmushiq, Erjon Kastrati, Arjan Qallaku, Muhamedali Janjeva, Samir Zekiqi, Bardh Istrefi, Gëzim Morina, Dardan Kapiti, Lis Shoshi dhe Divine Myles janë lojtarët tjerë të ftuar. Gati gjysma e tyre kanë rol e minuta të kufizuara në skuadrat e Superligës. Kjo e bën edhe më sfiduese punën për Locin dhe shtabin teknik të tij.
Amerikani i natyralizuar, Myles, është i vetmi që bënë karrierë jashtë Kosovës. Ai është në kategorinë e dytë franceze.
Ndërkohë Sllovakia ka natyralizuar një amerikan që bënë karrierë në elitën e Spanjës, përkatësisht në ekipin e vendit të tretë. Dhe ky mund të jetë dallim jo i vogël në ndeshjen në Prizren. Sllovakia megjithatë paraqitet pa dy prej lojtarëve më të mirë të saj.
Te Sllovakia kanë respekt për Kosovën.
“Kosova do të jetë kundërshtare e fortë. Ka fituar ndaj Shqipërisë me 15 pikë dallim në ndeshjen e parë. Kosova ka kualitet dhe duhet të përgatitemi mirë”, ka thënë basketbollisti sllovak, Marek Dolezhaj.
Kosova ka luajtur me Sllovakinë më herët. Në vitin 2020 sllovakët fituan 91:67 në Bratislavë. Ndërkohë më 20 shkurt të vitit 2021, Sllovakia fitoi 77:73 në Prishtinë. Ato ndeshje i takon raundit të parë të parakualifikimeve për Botërorin 2023.
Kualifikimi i Kosovës në ndonjë ngjare të madhe të basketbollit është ende shumë i largët. Kosova po vuan për suksese edhe në raundet e para parakualifikuese, ndonëse Superliga vlerësohet shumë cilësore dhe shumë garuese.
Kampanja e vetme e suksesshme e Kosovës mbetet ajo në parakualifikimet për Botërorin 2019. Në vitin 2017 Kosova fitoi ndaj Maqedonisë së Veriut e më pas edhe ndaj Estonisë për të avancuar si e dyta në grup nga parakualifikimet në raundin e parë kualifikues. Në raundin e parë kualifikues i humbi të gjitha gjashtë ndeshjet.