Botë

Administrata Trump planifikon të anulojë 500 milionë dollarë fonde për zhvillimin e vaksinave

Robert F Kennedy Jr

Foto: Associated Press

Departamenti Amerikan i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore (HHS) planifikon të anulojë 500 milionë dollarë fonde për vaksinat mRNA që po zhvillohen për të luftuar viruse si gripi dhe Covid-19.

Ky veprim do të ndikojë në 22 projekte që drejtohen nga kompani të mëdha farmaceutike, përfshirë Pfizer dhe Moderna, për vaksinat kundër gripit të shpendëve dhe viruseve të tjera, ka bërë të diturr HHS.

Sekretari i Shëndetësisë, Robert F Kennedy Jr, i njohur si një skeptik ndaj vaksinave, ka njoftuar se po tërheq fondet për shkak të pretendimeve se "teknologjia mRNA paraqet më shumë rreziqe sesa përfitime për këto viruse të frymëmarrjes".

Mjekët dhe ekspertët e shëndetit kanë kritikuar vënien në pikëpyetje të Kennedyt për sigurinë dhe efikasitetin e vaksinave dhe pikëpamjet e tij mbi politikat shëndetësore.

Zhvillimi i vaksinave mRNA për të luftuar Covid-19 ishte kritik në ndihmën për ngadalësimin e pandemisë dhe shpëtimin e miliona jetëve, ka thënë Peter Lurie, një ish-zyrtar i Administratës Amerikane të Ushqimit dhe Barnave.

Ai i ka thënë BBC-së se ndryshimi në këtë drejtim nënkupton "kthim të shpinës nga SHBA-ja ndaj njërit prej mjeteve më premtuese për të luftuar pandeminë e ardhshme".

E në një deklaratë, Kennedy ka thënë se ekipi i tij kishte "shqyrtuar shkencën, kishte dëgjuar ekspertët dhe kishte vepruar". 

"Të dhënat tregojnë se këto vaksina nuk arrijnë të mbrojnë në mënyrë efektive kundër infeksioneve të sipërme të frymëmarrjes si Covid dhe gripi", është shprehur ai.

Ai ka shtuar se departamenti po e zhvendos financimin drejt "platformave më të sigurta dhe më të gjera të vaksinimit që mbeten efektive edhe kur viruset pësojnë mutacion".

Kennedy gjithashtu pretendon se vaksinat me mRNA mund të ndihmojnë në "inkurajimin e mutacioneve të reja dhe në fakt mund të zgjasin pandemitë pasi virusi pëson vazhdimisht mutacion për t'i shpëtuar efekteve mbrojtëse të vaksinës".

Mirëpo, ekspertët e shëndetit kanë thënë se viruset pësojnë mutacion pavarësisht nëse ekzistojnë vaksina për to.

Që nga marrja e detyrës, Kennedy ka ndërmarrë një numër hapash për të transformuar mënyrën se si departamenti i shëndetësisë i vendit zhvillon dhe rregullon vaksinat.

Në qershor, ai ka shkarkuar të gjithë 17 anëtarët e një komiteti që lëshon rekomandime zyrtare qeveritare për imunizimet, duke i zëvendësuar ata me disa njerëz që kanë kritikuar sigurinë dhe efikasitetin e vaksinave.

Ai gjithashtu ka hequr vaksinën Covid-19 nga orari i rekomanduar i imunizimit të Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve për fëmijë të shëndetshëm dhe gra shtatzëna.