Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Akuza për mbajtje fshehtë të dokumenteve që tregojnë lidhjet Trump-Epstein

Donald Trump Jeffrey Epstein

Demokrati kryesor në komitetin e Kongresit që po heton çështjen Jeffrey Epstein, Robert Garcia, ka akuzuar Departamentin amerikan të Drejtësisë se po mban të fshehura dokumente që përmbajnë akuza për abuzim seksual ndaj një të miture, të bëra kundër presidentit, Donald Trump.

Garcia, anëtar i Komitetit të Mbikëqyrjes në Dhomën e Përfaqësuesve, ka thënë se kishte parë personalisht dokumente që përmbanin këto akuza dhe që nuk janë bërë publike.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Në përgjigje, Departamenti i Drejtësisë ka deklaruar se “asgjë nuk është fshirë”, duke shtuar se dokumentet janë mbajtur të fshehura vetëm nëse ishin “dublikate, të mbrojtura nga privilegji ligjor, ose pjesë e një hetimi federal në vazhdim”.

Trumpi ka mohuar vazhdimisht çdo shkelje në lidhje me çështjen Epstein dhe së fundmi ka thënë se është “plotësisht i shfajësuar”. E Departamenti i Drejtësisë ka deklaruar më herët se disa prej dokumenteve përmbajnë “pretendime të pavërteta dhe sensacionaliste kundër presidentit Trump”

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Abigail Jackson, ka thënë se duke publikuar mijëra faqe dokumentesh, duke bashkëpunuar me Komitetin e Mbikëqyrjes, duke nënshkruar Aktin për Transparencën e Dosjeve Epstein dhe duke kërkuar hetime të mëtejshme për miqtë demokratë të Epsteinit, Trumpi “ka bërë më shumë për viktimat e Epsteinit se kushdo para tij”.

Epstein, i dënuari për abuzim seksual e që ka vdekur në një burg të Neë Yorkut më 10 gusht të vitit 2019, duket se kishte qenë mik me Trumpin për disa vite. Sipas Trumpit, marrëdhënia mes tyre ishte prishur në fillim të viteve 2000, dy vjet përpara arrestimit të parë të Epsteinit.

Departamenti i Drejtësisë ka publikuar miliona dokumente që tregojnë gjetjet e hetimeve federale ndaj Epsteinit. Publikimi është bërë në faza, pas një ligji të nënshkruar nga presidenti, i cili më herët kishte kundërshtuar nxjerrjen e materialeve.

Disa dokumente janë redaktuar, ndërsa zyrtarët kanë pranuar se disa të tjera nuk janë publikuar fare.
Legjislacioni i lejon Departamentit të Drejtësisë të mbajë të fshehura dokumente për të mbrojtur hetimet aktive ose ndjekjet penale, si dhe identitetin e viktimave.

Garcia ka thënë se dokumentet që ai ka parë “e bëjnë të qartë” se një grua ka bërë “akuza shtesë, specifike” kundër Trumpit, të cilat “nuk pasqyrohen” në materialet e publikuara nga departamenti. Ai ka shtuar se i ka dërguar një letër prokurores së Përgjithshme Pam Bondi, duke kërkuar publikimin e tyre.

Në përgjigje, Departamenti i Drejtësisë nën drejtimin e Bondit ka akuzuar demokratët në komitet se po “mashtrojnë publikun dhe po krijojnë indinjatë për bazën e tyre radikale anti-Trump”.