Botë

Aleatët kthehen në armiq, përplasja mes dy shteteve afrikane rrit frikën për luftë të re

Ushtarët e Sudanit të Jugut

Ushtarët e Sudanit të Jugut

Të paktën gjashtë persona janë vrarë në përleshjet e fundit kufitare mes Sudanit të Jugut dhe Ugandës, dy vende aleate prej kohësh, në një zonë ku pretendimet e kundërta për një kufi shpesh shkaktojnë përplasje të vogla ushtarake.

Zyrtarët nga Sudani i Jugut kanë thënë se trupat e dy ushtrive u përfshinë në një shkëmbim zjarri të hënën në distriktin Kajo Keji të Sudanit të Jugut, ku u vranë pesë ushtarë të Forcave të Mbrojtjes së Popullit të Sudanit të Jugut (SSPDF).

Zëdhënësi i ushtrisë së Ugandës, Felix Kulayigye, deklaroi se ushtarët e Sudanit të Jugut kishin hyrë në mënyrë të paligjshme në rajonin e West Nile të Ugandës dhe kishin refuzuar të tërhiqeshin, çka çoi në përplasjen me armë ku mbeti i vrarë edhe një ushtar ugandez.

Uganda ka mbështetur për dekada forcat besnike të presidentit të Sudanit të Jugut, Salva Kiir, qysh nga lufta për pavarësi e deri te lufta civile që pasoi pavarësinë në vitin 2011.

Zyrtarët e qarkut Kajo Keji deklaruan se pesë ushtarë të SSPDF-së u vranë në një sulm të befasishëm nga forcat e Ugandës, të cilat ishin të mbështetura me tanke dhe artileri.

Zëdhënësi i SSPDF-së, Lul Ruai Koang, u shpreh në një deklaratë të publikuar të martën mbrëma se një komitet i përbashkët kufitar ekzistues do të shqyrtojë mënyrat për të gjetur një zgjidhje paqësore për këto tensione të përsëritura në kufi.

Në muajin mars, Sudani i Jugut e kishte ftuar ushtrinë e Ugandës për të ndihmuar në forcimin e sigurisë në kryeqytetin Juba, pas përkeqësimit të marrëdhënieve mes presidentit Salva Kiir dhe rivalit të tij, zëvendëspresidentit të parë Riek Machar.