Armëpushimi në Iran është nën rrezik. Presidenti amerikan Donald Trump ka refuzuar të thotë nëse armëpushimi mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit është në fuqi, pasi të dyja shtetet përshkallëzuan sulmet në Ngushticën e Hormuzit.
Emiratet e Bashkuara Arabe, aleat i SHBA-së, kanë bërë të ditur se kanë parandaluar 19 raketa nga Irani dhe dronë. Një prej dronëve ka depërtuar mbrojtjen dhe ka shkaktuar zjarr të madh në një port nafte.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNdërkaq, Trumpi ka kërcënuar Iranin se “do ta zhdukë nga faqja e dheut” nëse tenton t’i qëllojë anijet amerikane në ngushticë ose në Gjirin Persik.
Ai po ashtu ka bërë të ditur se SHBA-ja ka goditur shtatë “anije të shpejta” iraniane në Hormuz.
Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, ka thënë se këto zhvillime “e bëjnë të qartë se nuk ka zgjidhje ushtarake për një krizë politike”.
Pas sulmeve në 24 orët e fundit menjëherë çmimet e derivateve kanë kërcyer për shkak të shqetësimeve lidhur me ngushticën kritike të naftës.
Dy vendet arritën marrëveshje për armëpushim më 8 prill, por bisedimet kanë vazhduar për të arritur një marrëveshje për paqe të përhershme. Deri tash kjo nuk ka rezultuar me sukses.
Trumpi kërcënon Iranin me “zhdukje nga faqja e dheut”
Presidenti amerikan, Donald Trump ka kërcënuar Iranin se “do ta zhdukë nga faqja e dheut” nëse i sulmon anijet amerikane.
SHBA-ja ka nisur të hënën operacionin për të ndihmuar qindra anije të ngujuara në Gji. Situata ka përshkallëzuar.
Teherani në anën tjetër është zotuar për të mbajtur të bllokuar Ngushticën e Hormuzit, që është rrugë kyçe për tregtinë botërore. Ndërkaq ushtria amerikane ka deklaruar se i ka shkatërruar gjashtë anije të vogla iraniane dhe ka penguar raketa e dronë nga Irani. Kjo u mohua nga Irani.
Më shumë se 800 anije dhe rreth 20 mijë pjesëtarë të ekuipazheve janë ngujuar në rajon.
Në një intervistë për “Fox News” të hënën, Trumpi i ka përshkruar përpjekjet e marinës amerikane si “një nga manovrat më të mrekullueshme ushtarake në histori” dhe ka pretenduar se negociatorët iranianë kanë qenë më jostabilë në bisedimet e fundit.
“I kemi pajisjet më të mira. Kemi staf gjithandej botës. I kemi tërë këto baza nëpër botë. Janë plot me pajisje. Mund t’i përdorim të gjitha, dhe do ta bëjmë, nëse na duhet”, ka shtuar ai.
Kërcënimet e Trumpit ndaj Iranit s’janë të reja. Në prill ai pati paralajmëruar për “vdekjen e një civilizimi të tërë” nëse Teherani nuk dëgjonte kërkesat e tij.