Autoritetet amerikane kanë zbuluar më shumë se një milion dokumente të tjera që potencialisht lidhen me pedofilin Jeffrey Epstein, dhe planifikojnë t’i bëjnë publike në ditët dhe javët në vijim.
Zyra e Prokurorit në Distriktin Jugor të New Yorkut dhe FBI-ja e kanë njoftuar Departamentin e Drejtësisë për dokumentet e reja dhe avokatët do t’i shqyrtojnë, raportoi BBC.
Departamenti ka thënë në një deklaratë se për shkak të volumit të madh, procesi i shqyrtimit mund të zgjasë me javë.
Nuk u dha informacioni se ku janë gjetur këto dokumente. Lajmi për dokumentet e reja vjen pasi Departamenti i Drejtësisë zbuloi mijëra dokumente javën e kaluar lidhur me hetimet për Epsteinin. Megjithatë ato janë bërë publike me shumë redaktime.
Materialet e publikuara tashmë përfshijnë prova nga disa hetime mbi Epstein, si edhe fotografi të Bill Clintonit, i cili prej kohësh është kritikuar nga republikanët. Megjithatë, dokumentet duket se përmbajnë pak ose aspak fotografi apo përmendje të Donald Trumpit, pavarësisht miqësisë së njohur publike mes të dyve në vitet 1990 dhe fillimin e viteve 2000, përpara se marrëdhënia e tyre të prishej para dënimit të parë të Epsteinit në vitin 2008.
Epstein ishte abuzues seksual i fëmijëve. Më 2005 ndaj tij nisën hetimet pas akuzave nga një prind se si mësimdhënës kishte abuzuar seksualisht me një vajzë 14-vjeçare. Fillimisht u dënua më 2008 e më pas u lirua pas 13 muajsh. Më 2019 u arrestua sërish. Gjatë gjykimit, u gjet i vdekur në qeli më 10 gusht 2019.