Bashkimi Evropian ka mirëpritur votën pro-evropiane në zgjedhjet parlamentare që janë mbajtur në Moldavi të dielën.
Zëdhënësi i BE-së për politikë të Jashtme, Guillaume Mercier ka thënë se Moldavia e ka bërë të qartë zgjedhjen e saj pavarësisht siç ka thënë, ndërhyrjeve ruse.
"Demokracia dhe vullneti i popullit moldav fitoi. Moldavia e ka bërë të qartë zgjedhjen e saj për liri, demokraci dhe Evropë, pavarësisht të gjitha ndërhyrjeve ruse dhe parave që Rusia shpenzoi duke u përpjekur të blejë vota, të frikësojë dhe të përhapë gënjeshtra”, është shprehure Mercier.
“Jemi të impresionuar nga qëndrueshmëria e popullit moldav dhe vendosmëria e tyre për ta mbajtur vendin në rrugën e duhur drejt demokracisë dhe prosperitetit. BE-ja mezi pret të punojë me parlamentin e ri dhe qeverinë e ardhshme, dhe do të vazhdojmë të mbështesim objektivin strategjik të Moldavisë drejt pranimit në BE, siç është i ankoruar në kushtetutë. BE-ja mbetet një partner i përkushtuar dhe i besueshëm për moldavët dhe për Moldavinë”, ka shtuar ai.
Partia pro-evropiane e presidentes së Moldavisë, Maia Sandu, është rrugës drejt fitores dhe shumice të re në parlament, në zgjedhjet që konsiderohen vendimtare për të ardhmen evropiane të vendit.
Partia e saj, Partia e Veprimit dhe Solidaritetit, siguroi 50% të votave, me shumicën e 1.6 milion votave të numëruara, duke lënë shumë prapa Bllokun Elektoral Patriotik pro-rus me më pak se 25%.