Botë

Britania dhe India nënshkruajnë marrëveshje tregtare pas tre vjetësh negociata

Keir Starmer dhe Narendra Modi

Mbretëria e Bashkuar dhe India kanë rënë dakord për një marrëveshje tregtare që do ta bëjë më të lehtë për kompanitë në Mbretërinë e Bashkuar të eksportojnë uiski, vetura dhe produkte të tjera në Indi, dhe po ashtu, të ulin taksat për eksportet e veshjeve dhe këpucëve të Indisë.

Marrëveshja vjen pas tre vjet negociatash, raporton BBC.

Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka thënë se marrëveshja nuk përfshinte ndonjë ndryshim në politikën e imigracionit, duke përfshirë studentët indianë që studiojnë në Mbretërinë e Bashkuar. 

Kryeministri Sir Keir Starmer e ka përshkruar atë si një "marrëveshje historike" e cila do të nxitë rritjen për biznesin britanik. 

Vitin e kaluar tregtia midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Indisë ka arritur në 41 miliardë funte dhe tashmë ishte parashikuar të rritej, por qeveria ka thënë se marrëveshja do ta rritë atë tregti me 25.5 miliardë funte shtesë në vit, deri në vitin 2040.

Kryeministri i Indisë, Narendra Modi, e ka përshkruar marrëveshjen si një moment historik që ishte "ambicioz dhe reciprokisht i dobishëm".

“Pakti do të ndihmojë në katalizimin e tregtisë, investimeve, rritjes, krijimit të vendeve të punës dhe inovacionit në të dyja ekonomitë tona", ka thënë Modi në një postim në platformën e mediave sociale X.

Pasi të hyjë në fuqi, që mund të zgjasë deri në një vit, konsumatorët në Mbretërinë e Bashkuar ka të ngjarë të përfitojnë nga ulja e tarifave për mallrat që vijnë në vend nga India, ka thënë Departamenti për Biznes.