Botë

Çfarë është Hamasi dhe çfarë po ndodh në Izrael dhe Gaza?

Grupi militant palestinez, Hamas, nisi një sulm të pashembullt ndaj Izraelit më 7 tetor, duke vrarë 1400 njerëz dhe duke marrë më shumë se 200 pengje.

Të paktën 3.700 njerëz janë vrarë në Gaza që kur Izraeli filloi sulmet ajrore hakmarrëse, thonë zyrtarët shëndetësorë dhe një ofensivë tokësore pritet së shpejti.

Çfarë ka ndodhur në Rripin e Gazës?

Egjipti ka njoftuar se do të hapë pikën kufitare Rafah të premten për të lejuar kamionët që transportojnë ndihma në Gazën jugore.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) paralajmëroi se qasja urgjente në Gaza ishte e nevojshme për të ofruar ndihma humanitare dhe furnizime mjekësore. OBSH-ja ka bërë të ditur se ekzistonte rreziku i zhvillimit të një krize humanitare afatgjate.

Izraeli ndërpreu furnizimin me ushqim, ujë, karburant dhe energji elektrike për Gazan pas sulmeve të Hamasit. Ai ka njoftuar se nuk do t’i jepte fund “rrethimit” derisa Hamasi të lirojë pengjet.

Qasja në ujë është e kufizuar dhe agjencia e refugjatëve palestinezë e OKB-së, Unrwa, ka theksuar se “shqetësimet për dehidratimin dhe sëmundjet që vijnë nga uji janë të shumta”.

“Njerëzit do të fillojnë të vdesin pa ujë”, paralajmëroi Agjencia.

Spitalet e mbingarkuar të Gazas janë pranë mbarimit të karburantit për të operuar gjeneratorët rezervë, duke vënë në rrezik mijëra pacientë.

Spitalet dhe objektet e kujdesit shëndetësor janë dëmtuar gjithashtu nga shpërthimet, me shumë njerëz të vrarë nga një shpërthim në spitalin e mbushur plot “Al-Ahli Arab” në qytetin e Gazës të martën.

Zyrtarët palestinezë thanë se shpërthimi ishte shkaktuar nga një sulm ajror izraelit. Megjithatë, ushtria izraelite këmbënguli se ishte rezultat i një lëshimi të dështuar të raketës nga Xhihadi Islamik Palestinez - pretendim që grupi militant e mohoi.

Duke folur së bashku me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu të mërkurën, presidenti i SHBA-së, Joe Biden mbështeti mohimin e Izraelit, duke thënë se shpërthimi dukej se ishte shkaktuar “nga pala tjetër”.

Vizita e Bidenit në Izrael kishte për qëllim të tregonte solidaritetin e tij me vendin pas sulmit të Hamasit dhe të qetësonte tensionet rajonale - por liderët arabë anuluan një takim të planifikuar me të në Jordani pas shpërthimit.

Rreth 600 mijë njerëz janë larguar nga Gaza veriore që kur Izraeli urdhëroi 1.1 milion njerëz që jetojnë atje të lëviznin në jug të një lugine lumi të njohur si Wadi Gaza, përpara sulmit të pritshëm tokësor izraelit.

Gra dhe fëmijë ishin në mesin e atyre që u vranë të premten kur një sulm goditi kolonën e tyre në një nga dy rrugët e evakuimit.

Popullsia e Khan Younisit në jug që atëherë është rritur nga 400 mijë në më shumë se një milion. Njerëzit po flenë në rrugë dhe ka radhë të gjata për bukë.

Hamasi, i cili kontrollon Rripin e Gazës, u tha civilëve të injoronin urdhrin për evakuimin e veriut.

Të mërkurën, ushtria izraelite përsëriti një paralajmërim për njerëzit ende në veri. Ai ka njoftuar gjithashtu se “nëse është e nevojshme”, ndihma ndërkombëtare do të dërgohej në një “zonë humanitare” në al-Mawasi, zonë në bregdetin afër qytetit jugor të Rafahs.

Nuk dha detaje të mëtejshme se si do të transportohej ndihma atje.

Çka është vendkalimi kufitar Rafah dhe a është i hapur?

Rafah është pika më jugore e daljes nga Gaza, në kufi me gadishullin Sinai të Egjiptit.

Është e vetmja pikë e hyrjes dhe daljes në dhe nga Gaza për civilët dhe ndihmën humanitare, sepse Izraeli mbylli kalimet në Erez dhe Kerem Shalom në përgjigje të sulmit të Hamasit.

Punonjësit e ndihmave thanë se kishte rreth 120 kamionë që transportonin ndihma që prisnin në kufirin në anën egjiptiane.

Pasi foli me presidentin amerikan Biden, presidenti i Egjiptit, Abdul Fattah al-Sisi njoftoi se vendkalimi mund të hapet që të premten për 20 kamionë që të hyjnë në Gaza. Por organizatat humanitare paralajmëruan se kjo nuk do të mjaftonte.

Mijëra palestinezë me pasaporta të huaja janë mbledhur gjithashtu në anën e Gazës, duke shpresuar që të lejohen të largohen përpara ofensivës së pritshme tokësore izraelite. Megjithatë, nuk ka asnjë informacion nëse ata do të mund të kalojnë në Egjipt.

Image

A do ta pushtojë Izraeli Gazan?

Qëllimi i deklaruar i Izraelit është ta shkatërrojë Hamasin.

Ai gjithashtu dëshiron të shpëtojë pengjet e kapura kur Hamasi sulmoi Izraelin. Tani, sipas autoriteteve izraelite besohet se 203 persona janë mbajtur në Gaza.

Izraeli ka grumbulluar dhjetëra mijëra ushtarë në kufijtë e tij me Gazan, së bashku me tanke dhe artileri.

Ushtria izraelite është përgatitur për një ofensivë duke hedhur bomba në Gaza dhe duke synuar komandantët e Hamasit dhe qendrat e tij të kontrollit.

Gjatë vizitës së tij, presidenti Biden premtoi më shumë ndihmë ushtarake për Izraelin dhe shprehu mbështetjen e tij, por i kujtoi atij të respektojë ligjet e luftës.

Ministri i Jashtëm i Iranit, Hossein Amir-Abdollahian, paralajmëroi Izraelin, armikun e tij kryesor, të hënën, se nuk do të lejohej të vepronte në Rripin e Gazës pa pasoja dhe paralajmëroi për “veprim parandalues”. Një nga objektivat kryesore të Izraelit pritet të jetë labirinti i gjerë i Hamasit me tunele nëntokësore nën Gaza, të cilat përmbajnë bunkerë për liderët dhe qendrat e komandës dhe kontrollit. Mendohet se disa nga pengjet mund të mbahen në tunele.

Hamasi ka pretenduar më parë se tunelet shtrihen për 500 km. Shumë prej tyre kanë hyrje të fshehura brenda shtëpive, xhamive, shkollave dhe ndërtesave të tjera publike.

Trupat izraelite ka të ngjarë të shmangin hyrjen në tunele.

Mendohet se Hamasi do të vendosë kurthe me armë zjarri dhe mjete shpërthyese të improvizuara në pikat e hyrjes dhe përgjatë rrugëve të ngushta.

Një sfidë e madhe për trupat izraelite do të jenë luftimet nga afër në zonat urbane me popullsi të dendur.

Izraeli beson se Hamasi ka rreth 30 mijë luftëtarë me armë duke përfshirë pushkë automatike, granatahedhës dhe raketa antitank.

Image

Çfarë është Hamasi dhe çfarë kërkon?

Hamasi është një grup militant palestinez, i cili ka sunduar Rripin e Gazës që nga viti 2007. Grupi është betuar për shkatërrimin e Izraelit dhe dëshiron ta zëvendësojë atë me një shtet islamik.

Hamasi ka zhvilluar disa luftëra me Izraelin që kur mori pushtetin.

Ai ka lëshuar - ose ka lejuar grupe të tjera militante të gjuajnë - mijëra raketa në drejtim të Izraelit dhe ka kryer sulme të tjera vdekjeprurëse.

Si përgjigje, Izraeli ka sulmuar vazhdimisht Hamasin me sulme ajrore dhe ka dërguar trupa në Gaza gjatë dy prej luftërave. Së bashku me Egjiptin, ai ka bllokuar Rripin e Gazas që nga viti 2007 për ato që i përshkruan si arsye sigurie.

Hamasi - ose në disa raste krahu i tij ushtarak, Brigadat Izzedine al-Qassam - është cilësuar grup terrorist nga Izraeli, Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe Britania e Madhe, si dhe fuqi të tjera.

Pse Hamasi nisi sulmin e fundit?

Sulmi i Hamasit ndaj popullsisë izraelite më 7 tetor, duke vrarë më shumë se 1.400 njerëz, ishte sulmi më serioz ndërkufitar me të cilin është përballur Izraeli në më shumë se një brez.

Militantët thyen murin që ndan Gazën nga Izraeli në shumë vende.

Duke pasur parasysh burimet e shërbimeve të sigurisë izraelite, ishte befasuese që sulmi nga Hamasi nuk ishte parashikuar, ka theksuar korrespondenti i sigurisë i BBC-së, Frank Gardner.

Ajo erdhi në një kohë të tensioneve izraelito-palestineze në rritje.

Ky vit ka qenë më vdekjeprurësi i regjistruar për palestinezët që jetojnë në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli, gjë që mund ta kishte motivuar Hamasin ta godiste Izraelin.

Hamasi gjithashtu mund të ketë kërkuar të shënojë një fitore të rëndësishme propagandistike për të rritur popullaritetin e tij në mesin e palestinezëve të zakonshëm.

Kapja e pengjeve izraelitë mendohet të jetë projektuar për t’i bërë presion Izraelit që të lirojë disa nga 4.500 palestinezët që mbahen në burgjet izraelite.

Ka gjithashtu spekulime se sulmi ishte i orkestruar nga Irani, megjithëse Udhëheqësi Suprem i Iranit ka mohuar përfshirjen e vendit të tij.

Çfarë është Rripi i Gazës dhe kush jeton atje?

Rripi i Gazës është një territor 41 km i gjatë dhe 10 km i gjerë, i vendosur midis Izraelit, Egjiptit dhe Detit Mesdhe.

Fillimisht i pushtuar nga Egjipti, Gaza u pushtua nga Izraeli gjatë luftës së Lindjes së Mesme të vitit 1967 së bashku me Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor. Izraeli tërhoqi trupat e tij dhe rreth 7000 kolonë nga zona në vitin 2005.

Ajo është shtëpia e rreth 2.2 milionë njerëzve.

Pak më shumë se 75% e popullsisë së Gazas - rreth 1.7 milion njerëz - janë refugjatë të regjistruar ose pasardhës të refugjatëve, sipas OKB-së. Më shumë se 500 mijë prej tyre jetojnë në tetë kampe të mbushura me njerëz të vendosur në të gjithë Rripin.

Izraeli kontrollon hapësirën ajrore mbi Gazën dhe bregdetin e saj dhe kontrollon rreptësisht lëvizjen e njerëzve dhe mallrave.

Çfarë është Palestina?

Bregu Perëndimor dhe Gaza, të cilat njihen si territoret palestineze, si dhe Jerusalemi Lindor dhe Izraeli, të gjithë ishin pjesë e një toke të njohur si Palestinë nga koha romake deri në mesin e shekullit XX.

Këto ishin gjithashtu tokat e mbretërive hebraike në Bibël dhe shihen nga shumë hebrenj si atdheu i tyre i lashtë.

Izraeli u shpall shtet në vitin 1948, megjithëse toka ende quhet Palestinë nga ata që nuk e njohin të drejtën e Izraelit për të ekzistuar.

Presidenti palestinez është Mahmoud Abbas, i njohur gjithashtu si Abu Mazen. Ai është i vendosur në Bregun Perëndimor, i cili është nën pushtimin izraelit.

Ai ka qenë udhëheqës i Autoritetit Palestinez (PA) që nga viti 2005 dhe përfaqëson partinë politike Fatah, rival i ashpër i Hamasit.

Përktheu: Blerta Haxhiu