Kremlini ka përsëritur kundërshtimin e tij absolut ndaj pranisë së çdo trupe të NATO-s në Ukrainë, pavarësisht se çfarë simboli kanë. Pra, mbështetja ushtarake këtu ka të ngjarë të jetë më shumë në fushat e trajnimit, inteligjencës dhe mbështetjes logjistike, duke ndihmuar Ukrainën ta rindërtojë ushtrinë e saj, së bashku me një furnizim të vazhdueshëm me armë dhe municione. Megjithatë, një pikëpyetje e madhe mbetet mbi atë që Rusia do të pranojë si garanci sigurie për Ukrainën... Asnjë vend në “koalicionin e të vullnetshmëve” nuk është i përgatitur të dërgojë trupa në Ukrainë. Askush nuk dëshiron të fillojë Luftën e Tretë Botërore.
Pas takimeve historike të kësaj jave në Shtëpinë e Bardhë, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, thotë se Ukraina dhe aleatët e saj "po punojnë tashmë mbi përmbajtjen konkrete të garancive të sigurisë".
Kryeministri britanik, Sir Keir Starmer ka kryesuar një takim virtual të kombeve të përgatitura për të ndihmuar në sigurimin e Ukrainës pas një marrëveshjeje paqeje – që njihen ndryshe si "koalicion i të vullnetshmëve".
Dhe Britania ka dërguar shefin e Shtabit të Mbrojtjes, admiralin Sir Tony Radakin, në Washington për të përcaktuar se si mund të ndihmojë ajo.
Por, çfarë nënkuptojnë në të vërtetë "garancitë e sigurisë" në praktikë?
Ekziston një spektër i gjerë këtu, duke filluar nga "çizmet në terren" shumë të përdorura deri te kërcënimi i sanksioneve ekonomike paralizuese mbi eksportet e naftës së Rusisë.
Le të fillohet me atë që Ukraina dëshiron dhe nuk do ta marrë, të paktën jo për të ardhmen e parashikueshme, dhe kjo është anëtarësimi në NATO. Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, e ka përjashtuar këtë mundësi, por ka shumë anëtarë të tjerë të NATO-s që gjithashtu e kundërshtojnë atë në heshtje, siç është Sllovakia, kryesisht me arsyetimin se kjo do të rriste ndjeshëm shanset që aleanca transatlantike të përfshihet në një luftë të ashpër me Rusinë.
Pa dyshim që Ukraina do të ketë nevojë për garanci të forta sigurie pas arritjes së një marrëveshjeje paqeje, për të parandaluar që Rusia të kthehet dhe të marrë “një kafshatë të dytë ose të tretë”.
Kjo është arsyeja pse kryeministri britanik Starmer dhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron, kanë krijuar "koalicionin e të vullnetshmëve" me mbi 30 vende, me qëllim që t'i ofrojnë Ukrainës njëfarë sigurie ndërkombëtare pas nënshkrimit të një marrëveshjeje paqeje.
Patrullimi i hapësirës ajrore të Ukrainës është një tjetër mundësi. Kjo mund të bëhet duke vendosur aeroplanë në bazat ajrore ekzistuese në Poloninë ose Rumaninë fqinje, me pjesëmarrjen e SHBA-së.
Por, do të kishte ende nevojë për rregulla të qarta dhe të forta angazhimi nëse do të jenë diçka më shumë se një gjest simbolik.
Me fjalë të tjera, pilotët duhet të dinë nëse mund të kundërsulmojnë apo jo nëse Rusia shkel marrëveshjen e paqes, për shembull, duke qëlluar një raketë lundrimi në një qytet ukrainas.

Situatë problematike në tokë
Deti i Zi është një zonë tjetër ku garancitë perëndimore të sigurisë mund të ndihmojnë në mbajtjen larg të flotës detare ruse dhe të sigurojnë rrjedhën e lirë të anijeve tregtare nga porte të tilla si Odesa.
Në tokë, situata bëhet më problematike. Ukraina është një vend i gjerë dhe vija e frontit aktualisht shtrihet për më shumë se 1.000 km.
"Koalicioni i të vullnetshmëve" nuk mund të mbledhë mjaftueshëm trupa për t’i vendosur dhe për të mbrojtur atë linjë, edhe nëse presidenti rus, Vladimir Putin, do të binte dakord me këtë. Por, Putin gjithsesi s’do ta pranonte këtë gjë.
Kremlini ka përsëritur kundërshtimin e tij absolut ndaj pranisë së çdo trupe të NATO-s në Ukrainë, pavarësisht se çfarë simboli kanë. Pra, mbështetja ushtarake këtu ka të ngjarë të jetë më shumë në fushat e trajnimit, inteligjencës dhe mbështetjes logjistike, duke ndihmuar Ukrainën ta rindërtojë ushtrinë e saj të dëmtuar, së bashku me një furnizim të vazhdueshëm me armë dhe municione.
Megjithatë, një pikëpyetje e madhe mbetet mbi atë që Rusia do të pranojë si garanci sigurie për Ukrainën. Shumë komentues në internet kanë sugjeruar që Moska nuk duhet të ketë asnjë fjalë në këtë çështje.
Por, asnjë vend në “koalicionin e të vullnetshmëve” nuk është i përgatitur të dërgojë trupa në Ukrainë. Askush nuk dëshiron të fillojë Luftën e Tretë Botërore.
John Foreman, një ish-atashe ushtarak britanik në Moskë, i cili ka ndjekur çdo kthesë të këtij konflikti, thotë se "Rusia mund të pranojë një garanci sigurie nga SHBA-ja për Ukrainën në këmbim të njohjes formale të territoreve të pushtuara, duke e ndarë në mënyrë efektive Ukrainën për një kohë të gjatë, dhe pa (trupa) të NATO-s në Ukrainë dhe pa Ukrainë në NATO...”.
“Çfarëdo që të ndodhë, ‘Koalicioni i të Vullnetshmëve’ nuk është zëvendësim për fuqinë e SHBA-së”, shton ai.

A do të ndërhyjë SHBA-ja?
Shumë ekspertë ushtarakë kanë thënë se çdo "forcë sigurie" e ardhshme e ofruar nga “koalicioni i të vullnetshmëve” duhet të ketë kontribut nga SHBA-ja, diçka për të cilën deri në samitin e Alaskës javën e kaluar, Donald Trumpi kishte refuzuar të angazhohej. Në Alaska të premten presidenti amerikan Trump u takua me presidentin rus, Vladimir Putin.
Trumpi thotë se SHBA-ja do të përfshihet në garancinë e sigurisë, por pa trupa në terren në Ukrainë.
Në një botë ideale, ajo që Ukraina dhe aleatët e saj do të donin nga Washingtoni është si mbështetja e SHBA-së për këtë forcë të ardhshme, por edhe, më e rëndësishmja, një angazhim i fortë që nëse Rusia shkel marrëveshjen e paqes dhe duket se do të rikthejë sulmin e saj ndaj Ukrainës, atëherë fuqia ushtarake amerikane, veçanërisht fuqia ajrore, do të jetë në dispozicion për t’i mbështetur evropianët.
Trumpi ka lënë të kuptohet se mbështetja ajrore e SHBA-së do të jetë e disponueshme në njëfarë mënyre, por duke pasur parasysh sa herë ai ka ndryshuar qëndrimin e tij se si ta përfundojë këtë luftë, kjo nuk është aq relaksuese.
Gjenerallejtnant Ben Hodges, tashmë në pension, i cili komandoi forcat e Ushtrisë Amerikane në Evropë, thotë se është skeptik se "SHBA-ja është vërtet serioze në lidhje me garancitë e sigurisë për Ukrainën dhe do të japë më shumë sesa vetëm fjalë".
"Evropianët nuk i besojnë Vladimir Putinit dhe nuk janë të hutuar se kush është agresori në këtë luftë. Ata janë të shqetësuar se Trumpi nuk është në gjendje ose nuk është i gatshëm të pranojë se Rusia është agresori. Putini nuk do t'i përmbahet asnjë marrëveshjeje nëse nuk detyrohet ta bëjë këtë", është shprehur ai.
Dhe këtu qëndron kontradikta e natyrshme në lidhje me garancitë e sigurisë: Si të bëhen ato mjaftueshëm të forta për ta penguar Rusinë ta sulmojë përsëri Ukrainën, por jo aq të forta sa Rusia t'i kundërshtojë ato dhe të kërcënojë të shënjestrojë asetet perëndimore nëse ato vazhdojnë pa pëlqimin e Moskës?
Ish-sekretari britanik i Mbrojtjes, Sir Ben Wallace, beson se Perëndimi, kolektivisht, nuk ka qenë mjaftueshëm i vendosur në kundërshtimin e Vladimir Putinit.
"Realiteti që të gjithë duket se duan ta shmangin pranimin ose të bëjnë diçka është se Putini nuk tregon shenja se dëshiron t’i ndalojë vrasjet", thotë ai.
"Derisa Trumpi ose Evropa, ose të dy të jenë të përgatitur të bëjnë diçka për ta shtyrë Putinin që ta dëshirojë një ndryshim, atëherë pak do të arrihet në këtë drejtim”, shton Wallace.
Edward Arnold, bashkëpunëtor i lartë kërkimor për sigurinë evropiane në organizatën kërkimore RUSI me seli në Londër, arrin në përfundimin se “koalicioni i të vullnetshmëve” ka qenë “i suksesshëm në ofrimin e një formati që është fleksibIl dhe mund të angazhohet me Trumpin në një mënyrë konstruktive, duke mbështetur njëkohësisht Ukrainën".
Por, ai paralajmëron se “mbetet një aspiratë politike, më tepër sesa një konstruksion i ngurtësuar ushtarak”.
“Dy muajt e ardhshëm do ta vënë në provë vendosmërinë dhe oreksin e saj për rrezik politik”, tha Arnold.