Ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka nisur një fushatë të gjerë sulmesh ajrore kundër anijeve të dyshuara për kontrabandë droge në Oqeanin Paqësor dhe në Detin e Karaibeve, duke përdorur dronë MQ-9 Reaper, aeroplanë AC-130J dhe aeroplanë tjerë luftarakë.
Washingtoni pretendon se synon ta frenojë rrjedhën e drogës në SHBA dhe që nga fillimi i shtatorit, 76 persona janë vrarë në 19 sulme ku u shkatërruan 20 anije, shkruan “CNN”.
Shumica e sulmeve, sipas burimeve, u kryen nga dronë MQ-9 Reaper, të cilët janë të armatosur me raketa Hellfire. Ndonëse Pentagoni ende nuk e ka konfirmuar zyrtarisht se çfarë pajisjesh përdor, dihet se Ushtria amerikane ka përqendruar forca të konsiderueshme në Porto Riko, duke përfshirë dronë MQ-9 Reaper, avionë luftarakë F-35 dhe të paktën një AC-130J. Supozohet se këto forca përdoren për sulme në Karaibe.
Imazhet dhe fotografitë satelitore konfirmojnë një nivel jashtëzakonisht të lartë të aktivitetit ushtarak në rajon. Baza Detare Roosevelt Roads në Porto Riko, e mbyllur që nga viti 2004, është rikthyer në funksion. Javën e kaluar, një aeroplanë AC-130J i Forcave Ajrore Amerikane u fotografua gjithashtu në El Salvador, në Bazën Amerikane Comalapa.
Ndonëse baza amerikane në El Salvador ka shërbyer kryesisht për avionë zbulimi të paarmatosur që nga viti 2000, roli i saj i ri është thelbësor në operacionet në Oqeanin Paqësor. Më parë, anijet e kontrabandistëve në Paqësor ishin shumë larg për avionët sulmues të stacionuar në Porto Riko apo në SHBA.
“Operimi nga Compala ofron më shumë mundësi dhe lejon mbikëqyrjen dhe mbrojtjen e një pjese shumë më të gjerë të Oqeani Paqësor përmes së cilës kalon kjo pjesë e madhe e kokainës së trafikuar në SHBA”, thotë Dr. Ryan Berg, drejtor i Programit për Amerikën në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.
Ndryshimi i strategjisë dhe kostot e larta
Në javët e fundit, siç raporton CNN, Pentagoni ka ndryshuar strategjinë e tij dhe po sulmon kontrabandistët e dyshuar në Paqësorin lindor në vend të Karaibeve. Zyrtarët e administratës besojnë se kanë prova më të forta që lidhin dërgesat e kokainës nga ato rrugë drejt SHBA-së.
Inteligjenca sugjeron se kokaina ka më shumë të ngjatë të kontrabandohet nga Kolumbia në Meksikë dhe më pas në SHBA, sesa nga Venezuela, nga ku vijnë disa nga anijet që u sulmuan e u shkatërruan në Karaibe.
Ndërkohë, ligjvënësit po kërkojnë përgjigje se sa po u kushton taksapaguesve kjo fushatë. Ndonëse zyrtarët nuk zbuluan shumën totale, ata pranuan se çdo sulm kushton qindra mijëra dollarë.
Si shembull, një raketë e vetme Hellfire kushton rreth 150 mijë dollarë, një orë fluturim për një dron MQ-9 Reaper kushton rreth 3500 dollarë dhe një orë fluturimi për një aeroplanë luftarakë F-35 kushton deri në 40 mijë dollarë.
Kosotoja e një ore fluturimi të aeroplanit AC-130J nuk është publike, por paraardhësi i tij, që u tërhoq në vitin 2019, kushtonte më shumë se 40 mijë dollarë për fluturim njëorësh.
Paqartësitë mbi objektivat dhe lëvizjet e ardhshme
Përzgjedhja e objektivave po kryhet nga një njësi e përbashkët e Komandës Jugore të SHBA-së dhe Komandës së Operacioneve Speciale, me mbështetje të inteligjencës. Megjithatë, është një çështje e hapur nëse të gjithë personat e vrarë ishin vërtetë të lidhur me një nga dhjetëra kartelet e drogës që SHBA-ja i ka cilësuar si organizata terroriste.
Në disa seanca dëgjimore në Kongres, zyrtarët e administratës kanë pranuar se nuk e dinë domosdoshmërish identitetin e çdo personi në bordin e anijes para se të sulmohet. Vendimet, siç tregoi CNN, merren bazuar në inteligjencën që lidh anijet me një kartel të caktuar ose organizatë kriminale.
Situata është komplikuar më tej nga mbërritja e forcave të reja ushtarake në Karaibe.
Zyrtarët thonë se “Ford Carrier Strike Group” gjendet atje për të mbështetur operacionet kundër narkotikëve, por prania e tij nxit spekulime nëse presidenti amerikan Donald Trump mund të nisë së shpejti sulme kundër Venezuelës.
Një burim i njohur me seancën e mbyllur në Kongres që u mbajt, zbuloi se dy oficerë të lartë të operacioneve speciale amerikane muajin e kaluar nuk mund të shpjegonin pse administrata kishte nevojë për kaq shumë asete të fuqishme ushtarake të stacionuara në Karaibe, vetëm për të shkatërruar ndonjë anije të vogël.