Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Elon Musku e shoqëron Trumpin në vizitën e rëndësishme në Kinë

Donald Trump dhe Elon Musk

Presidenti amerikan, Donald Trump, do të udhëtojë këtë javë drejt Kinës i shoqëruar nga disa prej emrave më të fuqishëm të biznesit amerikan, në një vizitë që pritet të fokusohet te tregtia, investimet dhe marrëdhëniet ekonomike mes dy superfuqive botërore.

Sipas një zyrtari të Shtëpisë së Bardhë, pjesë e delegacionit do të jenë Elon Musk, drejtori ekzekutiv i Apple, Tim Cook, si dhe shefat e Boeing, GE Aerospace dhe kompani të tjera të mëdha amerikane. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Vizita shihet si përpjekje për të forcuar lidhjet ekonomike mes Uashingtonit dhe Pekinit, në një kohë kur tensionet tregtare mbeten të larta.

Në delegacion do të marrin pjesë edhe drejtues të Metas, BlackRock, Blackstone, Qualcomm, Visa, Mastercard dhe Micron. 

Burime të Reutersit bëjnë të ditur se Shtetet e Bashkuara dhe Kina pritet të bien dakord për krijimin e forumeve të reja që do të lehtësojnë tregtinë dhe investimet reciproke. Gjithashtu, Pekini mund të njoftojë blerje të mëdha të avionëve Boeing, produkteve bujqësore amerikane dhe energjisë.

Një nga çështjet kryesore të diskutimit do të jetë edhe zgjatja e armëpushimit në luftën tregtare mes dy vendeve, marrëveshje që aktualisht lejon eksportin e mineraleve të rralla nga Kina drejt SHBA-së.

Megjithatë, ende nuk është e qartë nëse kjo marrëveshje do të zgjatet gjatë kësaj vizite.

Kompania Boeing shpreson që administrata Trump të ndihmojë në finalizimin e një marrëveshjeje historike me Kinën, e cila sipas burimeve të industrisë mund të përfshijë rreth 500 avionë 737 MAX dhe dhjetëra avionë të tjerë të mëdhenj me motorë GE. Nëse marrëveshja konkretizohet, ajo do të ishte porosia më e madhe e aeroplanwve në historinë e Boeingut dhe porosia e parë madhore nga Kina që prej vitit 2017.

Ndërkohë, drejtori i Nvidias, Jensen Huang, nuk do të jetë pjesë e vizitës. Burime pranë administratës amerikane thanë se fokusi i këtij udhëtimi është më shumë te bujqësia dhe aviacioni komercial sesa te teknologjia e inteligjencës artificiale.

Takimi i fundit mes Donald Trumpit dhe presidentit kinez Xi Jinping u zhvillua në tetor në Korenë e Jugut, ku të dy liderët ranë dakord të pezullonin përkohësisht përshkallëzimin e luftës tregtare mes dy vendeve.