Botë

Eurostar planifikon udhëtime të drejtpërdrejta me tren nga Londra në Frankfurt dhe Gjenevë

Eurostar

Foto: Associated Press

Kompania e trenave të shpejtë “Eurostar” ka bërë të ditur se planifikon të nisë shërbime të drejtpërdrejta treni nga Londra në Gjermani dhe Zvicër.

Një flotë prej deri në 50 trenash të rinj, me një kosto prej rreth 2 miliardë eurosh, është planifikuar të vihet në funksion deri në fillim të viteve 2030, ka njoftuar kompania, raporton BBC.

Koha e udhëtimit midis Londrës dhe Frankfurtit do të jetë rreth pesë orë dhe rreth pesë orë e 20 minuta deri në Gjenevë.

Shefja e Eurostarit, Gwendoline Cazenavka ka thënë se kishte një kërkesë të fortë për udhëtime me tren në të gjithë Evropën, pavarësisht sfidave të kostove më të larta operative dhe inflacionit që shtrydh buxhetet e klientëve.

"Një epokë e re e artë e udhëtimit të qëndrueshëm ndërkombëtar është këtu”, ka thënë drejtoresha ekzekutive Cazenave, duke shtuar se klientët "dëshironin të shkonin më larg me tren se kurrë më parë".

Firma po planifikon gjithashtu që flota e re e propozuar të shërbejë një linjë të drejtpërdrejtë për në Gjenevë nga Amsterdami dhe Brukseli.

Ajo ka shtuar se po punon me partnerë për të vënë në funksion linjat e reja.

Nuk është e qartë nëse rrugët për në Frankfurt dhe Gjenevë do të përfshijnë ndalesa gjatë rrugës për pasagjerët që të hipin ose të zbresin.

Njoftimi ka ardhur ndërsa firma raportoi një rritje prej 5% të pasagjerëve në vitin 2024 krahasuar me vitin e kaluar.

Në vitin 2024, ajo ka shënuar një rekord prej 19.5 milionë pasagjerësh në të gjitha shërbimet e saj.

Kompania ka thënë gjithashtu se do të rrisë frekuencën e rrugës së saj më të njohur midis Londrës dhe Parisit.

Aktualisht, trenat e Eurostar në Londër shkojnë në Paris, Bruksel dhe Amsterdam, dhe gjatë sezonit të skive, në Alpet Franceze.

Eurostar aktualisht ka monopolin e trenave përmes Tunelit të Kanalit.