Botë

Fati i pengjeve izraelite dhe i të burgosurve palestinezë

Izraeli dhe Hamasi kanë arritur një marrëveshje armëpushimi katërditore, ku parashihet shkëmbimi i 50 pengjeve të mbajtura në Gazë. Marrëveshja përfshin edhe lirimin e 150 grave dhe fëmijëve palestinezë të mbajtur në burgjet izraelite, si dhe lejon shtim të ndihmave humanitare në Gaza

Izraeli dhe Hamasi kanë arritur marrëveshje për shkëmbimin e 50 pengjeve të mbajtura në Gaza në këmbim të armëpushimit katërditor.

Marrëveshja parasheh gjithashtu lirimin e 150 grave e adoleshentëve palestinezë të mbajtur në burgjet izraelite, si dhe shpeshtim të kalimit të ndihmave humanitare në Gaza.

Armëpushimi fillimisht pritej të fillonte në orën 10:00 të së enjtes, por një zyrtar i lartë izraelit ka bërë të ditur se pengjet nuk do të lirohen para të së premtes.

Presidenti amerikan ka thënë se marrëveshja do të shënonte fundin e “sprovës së papërshkrueshme” të pengjeve. Ai ka shtuar gjithashtu se kjo do të “zbusë vuajtjet e familjeve të pafajshme palestineze”.

Qeveria izraelite është zotuar për të eliminuar Hamasin dhe për të kthyer pjesën tjetër të më shumë se 200 pengjeve, që personat e armatosur të Hamasit rrëmbyen, gjatë një sulmi ndërkufitar në Izraelin jugor më 7 tetor, ku u vranë 1.200 njerëz.

Hamasi - të cilin Izraeli, SHBA-ja dhe fuqitë e tjera perëndimore e klasifikojnë si organizatë terroriste – ka thënë se marrëveshja do t’u japë palestinezëve kohë për t’u rikuperuar pas një sulmi intensiv ajror dhe tokësor izraelit për të cilin qeveria e tij në Gaza ka raportuar për mbi 14 mijë njerëz të vrarë.

Image

Cilat pengje do të lirohen?

Pasi bisedimet vazhduan deri në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, qeveria e koalicionit izraelit më në fund nënshkroi këtë marrëveshje.

Sipas një deklarate të lëshuar nga zyra e kryeministrit Benjamin Netanyahu, 50 gra dhe fëmijë do të lirohen gjatë katër ditëve, kohë gjatë së cilës “do të ketë një pauzë në luftime”.

Ai gjithashtu i ka paraqitur Hamasit një ofertë për të liruar më shumë pengje, duke thënë: “Lirimi i çdo 10 pengjeve shtesë do të rezultojë me një ditë shtesë në armëpushim”.

Kjo klauzolë është e rëndësishme për familjet e pengjeve, disa prej të cilëve më parë i kishin thënë BBC-së se nuk donin një marrëveshje të pjesshme.

50 pengjet që pritet të lirohen në katër grupe me nga 12 persona do të jenë shtetas izraelitë ose shtetas me nënshtetësi të dyfishtë, dhe jo të huaj.

Nuk është publikuar ende asnjë listë me emra, por një zyrtar i lartë amerikan u ka thënë gazetarëve se të paktën tre shtetas amerikanë – përfshirë trevjeçaren Avigail Idan, prindërit e së cilës u vranë në Kibbutz Kfar Aza – do të ishin mes tyre.

Një zyrtar i lartë izraelit ka thënë të martën pasdite se Hamasi gjithashtu mund të lirojë në mënyrë të njëanshme 26 shtetasit tajlandezë që besohet të jenë mes pengjeve.

Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (KNKK) ka thënë se është i gatshëm të lehtësojë çdo lirim të pengjeve, siç bëri në kohën kur Hamasi liroi dy gra izraelito-amerikane dhe dy gra izraelite muajin e kaluar.

Forcat izraelite që operojnë brenda Gazës kanë shpëtuar gjithashtu një ushtare femër dhe kanë gjetur trupat e dy pengjeve të tjera femra - një ushtare dhe një civile.

Qeveria izraelite ka deklaruar se do të “vazhdojë luftën në mënyrë që të kthejë në shtëpi të gjitha pengjet, të shkatërrojë Hamasin dhe të sigurojë që nuk do të ketë asnjë kërcënim të ri për shtetin e Izraelit nga Gaza”.

Çfarë do të ndodhë në Gaza?

Në një deklaratë më të gjatë dhe më të detajuar të Hamasit u tregua se çfarë pritej të shkaktonte ndërprerja e aksionit ushtarak izraelit për kohëzgjatjen e asaj që e quajti “hudna”, ose armëpushim i përkohshëm.

Sipas deklaratës i gjithë aktiviteti i dronëve dhe avionëve izraelitë pritet të ndalet për katër ditë në jug të Gazës.

Por në veri - i cili ka qenë objektivi kryesor i operacioneve izraelite për ta çrrënjosur Hamasin - e njëjta gjë do të ndodhë, por vetëm nga ora 10:00 deri në 16:00, me kohën lokale, çdo ditë.

Trupat dhe tanket izraelite pritet të qëndrojnë në pozicionet e tyre brenda Gazës gjatë pauzës katërditore, por në deklaratën e Hamasit thuhet se forcat izraelite nuk do të sulmojnë apo arrestojnë askënd.

Marrëveshja do të lejojë 200 kamionë që transportojnë ndihma, katër cisterna karburanti dhe katër kamionë që transportojnë gaz të hyjnë në Gaza përmes kalimit Rafah të Egjiptit në secilën prej katër ditëve.

Por kuptohet që shtimi dhe lejimi i kalimit të ngarkesave me karburant - tepër i nevojshëm për gjeneratorët spitalorë, shkripëzimin e ujit dhe objektet e ujërave të zeza - do të zgjasin vetëm për aq kohë sa zgjat pauza.

Izraeli ka ndërprerë furnizimin me energji elektrike dhe ujë, si dhe ndaloi dërgesat e ushqimit, karburantit dhe mallrave të tjera në Gaza si shenjë hakmarrjeje për sulmin e Hamasit.

Izraeli ka lejuar 1.399 kamionë me furnizime të hyjnë përmes Egjiptit gjatë muajit të kaluar, krahasuar me një mesatare mujore prej 10 mijë syresh para luftës, sipas OKB-së. Izraeli pati bllokuar edhe kalimi e të gjitha ngarkesave të karburantit deri një javë më parë, duke pretenduar se mund të vidhej nga Hamasi dhe të përdorej për qëllime ushtarake.

Dhe megjithëse marrëveshja do t’u lejojë njerëzve në Gaza kalimin e sigurt nga veriu në jug, ajo nuk do të lejojë qindra mijëra njerëz të zhvendosur nga veriu që të kthehen në shtëpi.

Image

Kush janë të burgosurit palestinezë?

Hamasi ka njoftuar po ashtu se marrëveshja parasheh edhe lirimin e 150 të burgosurve palestinezë - të gjithë gra dhe fëmijë - nga Izraeli.

Kjo nuk u theksua në deklaratën e qeverisë izraelite, por të mërkurën në mëngjes Ministria e Drejtësisë e Izraelit publikoi një listë në hebraisht me emrat e 300 të burgosurve që ka mundësi të lirohen si pjesë e marrëveshjes - bazuar në mundësinë që Hamasi të pranojë të lirojë 50 pengje të tjera.

Lista përfshin 123 djem nga mosha 14 deri në 17 vjeç, një vajzë 15 vjeçe, 144 burra të moshës 18 vjeç dhe 32 gra nga mosha 18 deri në 59 vjeç. Shumica janë paraburgosur në pritje të gjykimit me akuza që variojnë nga gurë-hedhja si tentativë për vrasje.

Arsyeja pse lista duhej të publikohej është për shkak të një formaliteti ligjor në Izrael. Përpara çdo lirimi të të burgosurve, qytetarëve izraelitë duhet t’u jepen 24 orë për të apeluar në Gjykatën Supreme të Izraelit.

Nuk priten pengesa serioze, por kjo është arsyeja pse ka vonesë në hyrjen në fuqi të marrëveshjes.

Izraeli aktualisht po mban rreth 7 mijë palestinezë të akuzuar ose të dënuar për shkelje të sigurisë, sipas grupeve izraelite dhe palestineze të të drejtave. Pothuajse 3 mijë palestinezë raportohet se janë arrestuar në Bregun e pushtuar Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor, ku dhuna gjithashtu është intensifikuar, që nga 7 tetori.

Sipas deklaratës së Hamasit, marrëveshja kishte për qëllim “t’i shërbejë popullit tonë dhe të forcojë qëndrueshmërinë e popullit përballë agresionit”.

“Gishtat tanë mbeten në këmbëzën e armëve dhe luftëtarët tanë fitimtarë do të qëndrojnë syhapur për të mbrojtur popullin tonë dhe për të mposhtur okupimin”, thuhej në deklaratë.

Rrëfimi i familjarëve

Hen Avigdori është një shkrimtar i njohur izraelit i komedisë, i cili thotë se misioni i tij ka qenë gjithmonë të bëjë njerëzit të qeshin. Por për 48 ditët e fundit, kjo ka ndryshuar, në një fushatë për të rikthyer gruan dhe vajzën e tij.

Kontakti i fundit që ai pati me familjen e tij - gruan Sharon, e cila është 52 vjeçe, dhe vajzën e tyre 12-vjeçare, Noam - ishte më 7 tetor, në orën 10 të mëngjesit, kur ato i thanë se do të vizitonin një kibuc.

“Ato shkuan të vizitonin një kibuc shumë paqësor në jug të Izraelit. Asgjë nuk na kishte përgatitur për situatën e tmerrshme që pasoi”, thotë Hen.

“Ne të gjithë duhej të shkonim në Kibbutz Be’eri për të vizituar vëllain e gruas sime, por në minutën e fundit djemtë vendosën të qëndronin në shtëpi dhe gruaja me vajzën u larguan. Gjëja tjetër që morëm vesh qe një rrëmujë e madhe në jug dhe ato u shpallën të zhdukura - dy javët e para - dhe më pas kuptuam se ishin “rrëmbyer”.

Për familjen e Hen Avigdorit dhe shumicën dërrmuese të pengjeve, nuk ka pasur asnjë provë se më të dashurit e tyre janë gjallë. Me marrëveshjen për lirimin e pengjeve, ai shpreson se gruaja dhe vajza e tij do të jenë në mesin e të liruarve.

“Shpresa ka qenë e vetmja gjë që na ka mbajtur të fortë gjatë 48 ditëve të fundit”, thotë ai. “Por unë jam gjithashtu shumë i kujdesshëm, nuk e kam shumë të madhe shpresën. Siç i kam shpjeguar djalit tim 16-vjeçar dhe gjithë familjes, deri në ditën që do t’i shoh vajzat me dy sytë e mi, ne nuk do të besojmë asgjë”.

Hen thotë se është përpjekur të mos mendojë për kushtet në të cilat po mbahen. Hamasi thotë se i ka fshehur pengjet në “vende dhe tunele të sigurta” brenda Gazës.

“Unë përpiqem të mos e imagjinoj”, thotë ai, “përpiqem të mos mendoj për këtë, sepse kam një mision dhe misioni është t’i lirojë ato. Sa më shumë që mendoj për gjendjen e tyre, aq më shumë dëshpërohem”.

Përktheu: Forca Jashari