Oficerë dhe ushtarë të Forcave Mbrojtëse të Izraelit (IDF) kanë thënë për gazetën izraelite “Haaretz” se janë urdhëruar të hapin zjarr ndaj civilëve palestinezë afër pikave të shpërndarjes së ushqimit në Gaza, edhe kur s’kishte asnjë rrezik. Qindra palestinezë janë vrarë, çka e ka shtyrë Prokurorinë ushtarake të kërkojë një hetim për mundësinë e kryerjes së krimeve të luftës. E kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, si dhe ministri i tij i Mbrojtjes, Israel Katz, i kanë hedhur poshtë këto pretendime, duke i quajtur “akuza të rreme”.
Ushtarë izraelitë në Rripin e Gazës kanë thënë për gazetën izraelite “Haaretz” se ushtria ka shtënë qëllimisht në drejtim të civilëve palestinezë afër pikave të ndihmës në muajin e fundit.
Bisedat me oficerët dhe ushtarët kanë shpalosur detaje se komandantët izraelitë i kanë urdhëruar trupat që të gjuajnë kundrejt turmave për t’i shpërndarë ato, disa herë duke shkaktuar viktima, edhe pse ishte e qartë se civilët nuk përbënin ndonjë rrezik.
Një ushtar e ka përshkruar situatën si shkelje totale e kodeve etike nga ana e Forcave Mbrojtëse të Izraelit (IDF) në enklavën palestineze.
Bazuar në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi, të paktën 549 persona kanë vdekur afër pikave të ndihmës, përfshirë nëpër zona të tjera ku banorët po i prisnin kamionët e Kombeve të Bashkuara që nga data 27 maj. Ndërkaq, pretendohet se rreth 4,000 persona janë plagosur, porse numri i saktë i të vrarëve dhe i të plagosurve nga të shtënat e IDF-it mbetet ende i paverifikuar.
Gazeta “Haaretz” ka mësuar se Prokurori i Përgjithshëm Ushtarak ka urdhëruar Mekanizmin e Vlerësimit të Fakteve të Shtabit të Përgjithshëm të IDF-së – një organ i ngarkuar për të shqyrtuar incidente që mund të përbëjnë shkelje të mundshme të ligjeve të luftës – të hetojë krimet e dyshuara të luftës në këto pika të ndihmës.
Në një deklaratë të lëshuar pas publikimit të këtij raporti hetimor, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, i hodhën poshtë pretendimet, duke i quajtur ato “akuza të rreme dhe të urrejtjes”.
Qendrat e ndihmës të Fondacionit Humanitar të Gazës (FHG) filluan të funksionojnë përgjatë Rripit të Gazës në fund të muajit maj.
Rrethanat e krijimit dhe financimit të këtij fondacioni mbeten kryesisht të panjohura: dihet vetëm se është themeluar nga Izraeli në bashkëpunim me evangjelistë amerikanë dhe kompani private të sigurisë.
Drejtori ekzekutiv i fondacionit është një udhëheqës evangjelist i afërt me presidentin amerikan Donald Trump, dhe kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu.
FHG-ja operon katër pika të ushqimit - tri në Gazën jugore dhe një në Gazën qendrore – të njohura në IDF si “qendra të shpejta të shpërndarjes” (Mahpazim).
Dhjetëra mijëra banorë të Gazës shkojnë çdo ditë për të marrë ushqim nga këto pika.
Në kundërshtim me premtimet fillestare të fondacionit, shpërndarja është kaotike, me turma që vërshojnë drejt grumbujve të kutive. Që nga hapja e këtyre qendrave të shpërndarjes së shpejtë, “Haaretzi” ka numëruar të paktën 19 incidente të shtënash pranë tyre. Edhe pse identiteti i autorëve nuk është gjithmonë i qartë, IDF-i nuk lejon persona të armatosur në këto zona humanitare pa dijeninë e saj.
Këto qendra zakonisht hapen vetëm për një orë në mëngjes. Sipas oficerëve dhe ushtarëve që kanë shërbyer në ato zona, IDF-i gjuan mbi njerëz që afrohen para orarit të hapjes për t’i mbajtur ata larg, ose përsëri pas mbylljes për t’i shpërndarë. Disa nga incidentet e shtënave ndodhën natën – përpara hapjes – gjë që mund të ketë bërë të vështirë për civilët që t’i shohin zonat e shënjuara.
“Është një fushë vrasjeje”, ka thënë një ushtar. “Atje ku isha unë, vriteshin nga një deri në pesë njerëz çdo ditë. Ata trajtohen si një forcë armike – pa masa për kontrollin e turmës, pa gaz lotsjellës – vetëm zjarr i drejtpërdrejtë me gjithçka të imagjinueshme: mitralozë të rëndë, hedhës granatash, mortaja.
Pastaj, kur qendra hapet, të shtënat ndalojnë dhe ata e dinë që mund të afrohen. Mjeti jonë i komunikimit është arma e zjarrit”.
“Hapim zjarr herët në mëngjes nëse dikush përpiqet të futet në radhë nga disa qindra metra larg, dhe ndonjëherë i sulmojmë nga afër. Por nuk ka asnjë rrezik për trupat tona. Nuk jam në dijeni të asnjë rasti të zjarrit të kthyer. Nuk ka armik, nuk ka armë”, ka shtuar ushtari izraelit.
Oficerë të IDF-së kanë thënë për “Haaretz” se ushtria nuk e lejon opinionin publik në Izrael apo jashtë tij, që të shohë pamje të asaj që ndodh përreth qendrave të shpërndarjes së ndihmës.
Sipas tyre, ushtria beson se operacionet e FHG-së kanë ndihmuar në parandalimin e një kolapsi total të legjitimitetit ndërkombëtar për vazhdimin e luftës. Ata mendojnë se IDF-i ka arritur ta kthejë Gazën në një “oborr të pasmë”, ku nuk vlejnë më rregullat minimale dhe jeta e njeriut nuk ka më vlerë.
Një emër që përmendet shpesh gjatë dëshmive është ai i gjeneralit Yehuda Vach, komandant i Divizionit 252 në IDF. “Haaretz” pati raportuar më parë se si Vach e ktheu korridorin Netzarim në një rrugë vdekjeprurëse dhe dyshohet se urdhëroi shkatërrimin e një spitali në Gaza, pa autorizim. Tani, një zyrtar brenda divizionit ka thënë se Vach vendosi ta shpërndante turmën e palestinezëve që prisnin ndihmat duke hapur zjarr mbi ta.
“Ne zakonisht i shohim ata prej qindra metrash larg; nuk është një situatë ku ata paraqesin rrezik për ne”, ka thënë një ushtar.
Në një incident, ushtari ishte urdhëruar ta hidhte një predhë drejt një turme. “Teknikisht, supozohej të ishte paralajmëruese. Por, hedhja e predhave është bërë një praktikë standarde. Çdo herë që gjuajmë, ka viktima dhe vdekje, dhe kur dikush pyet pse është e nevojshme një predhë, asnjëherë nuk ka përgjigje të mirë. Nganjëherë, vetëm ta bësh këtë pyetje, është bezdisëve për komandantët”.
Në atë rast, disa njerëz fillojnë të largohen pasi hedhen predhat, e disa ushtarit, edhe pasi largohen forcat izraelite vazhdojnë të gjuajnë mbi ta.
“Nëse është e shtënë paralajmëruese dhe i shohim se po kthehen në Gaza, pse të gjuajmë mbi ta? Nganjëherë na thuhet se ata po fshihen dhe duhet të qëllojmë në drejtim të tyre sepse nuk janë larguar. Por, është e qartë se ata nuk mund të largohen kur në momentin që ngrihen dhe vrapojnë, ne hapim zjarr”.
“Kjo që quhet vrasje e njerëzve të pafajshëm – po normalizohet”, ka thënë një zyrtar tjetër i lartë i forcave në atë zonë.
Ushtria izraelite, pas raportit, ka mohuar akuzat duke thënë se ushtria nuk jep instruksione për të qëlluar direkt mbi civilë, përfshirë ata afër qendrave të shpërndarjes së ndihmave. Ka shtuar se çfarëdo pretendimi apo devijimi nga ligji apo direktivat e Forcave të Mbrojtjes së Izraelit do të hetohen dhe do të ndërmerren masa të nevojshme.