Ish-ministri rus i Transportit, Roman Starovoit, është gjetur i vdekur me një plagë me armë zjarri në veturën e tij personale, ka bërë të ditur të hënën komiteti hetimor i Rusisë.
Starovoit, ish-guvernatori i rajonit Kursk, raportohet se i ka marrë jetën vetes, raporton Sky News.
Lajmi për vdekjen e tij vjen pak orë pasi ai ishte shkarkuar nga detyra e tij, nga presidenti Vladimir Putin.
"Trupi i ish-ministrit të Transportit të Federatës Ruse, Roman Vladimirovich Starovoit, u zbulua në automjetin e tij personal me një plagë të shkaktuar nga arma e zjarrit sot në lagjen e qytetit të Odintsovo”, thuhet në një deklaratë të hënën të lëshuar nga Komiteti Hetues i Rusisë.
Rrethanat e vdekjes së Starovoit po hetohen, teksa deklarata thotë se "versioni kryesor është vetëvrasja”.
Më herët të hënën, u zbulua se Putini e kishte shkarkuar Starovoit pas vetëm një viti në detyrë.
Starovoit ishte emëruar ministër i Transportit në maj 2024, pasi kaloi pothuajse pesë vjet si guvernator i rajonit Kursk në kufi me Ukrainën.
Disa muaj pasi ai la rolin e tij si guvernator, trupat ukrainase pushtuan Kurskun duke bërë që Kievi të niste inkursionin më të madh të huaj në territorin rus që nga Lufta e Dytë Botërore.
Ushtria ruse pretendon se forcat ukrainase u shtynë nga Kursku në fillim të këtij viti. Disa zyrtarë rajonalë në Kursk u arrestuan më pas me akuza për shpërdorim detyre.