Botë

Gjendet i vdekur në Paris ambasadori i Afrikës së Jugut në Francë

Nathi Mthethwa

Ambasadori i Afrikës së Jugut në Francë, Nathi Mthethwa, është gjetur i vdekur pranë një hoteli me katër yje në Paris, kanë thënë zyrtarët francezë për BBC-në.

Mthethwa, 58 vjeç, ishte raportuar i zhdukur nga gruaja e tij të hënën në mbrëmje, pas një "mesazhi shqetësues prej tij", ka thënë zyra e prokurorit të Parisit.

Ai kishte rezervuar një dhomë në katin e 22-të të hotelit shumëkatësh, dritarja e të cilit ishte hapur me forcë, ka shtuar prokuroria. 

Rrethanat e vdekjes së tij janë të paqarta në këtë fazë dhe një hetim është hapur, ka bërë të ditur zyra e prokurorit të Parisit.

Mthethwa ishte një anëtar i lartë i Kongresit Kombëtar Afrikan, partisë që solli sundimin demokratik në vitin 1994 me Nelson Mandelën si presidentin e parë me ngjyrë të Afrikës së Jugut.

Ai kishte shërbyer si ambasador i Afrikës së Jugut në Paris që nga dhjetori i vitit 2023 dhe më parë kishte qenë në qeveri si ministër i policisë dhe gjithashtu ministër i arteve dhe kulturës.

Ai ishte një aleat i ngushtë i ish-presidentit Jacob Zuma dhe ishte i përfshirë në atë që njihet në Afrikën e Jugut si hetimi për kapjen e shtetit, i cili hetoi akuzat për korrupsion të nivelit të lartë gjatë presidencës së Zumës.