Tensionet kanë vazhduar mes Izraelit dhe Iranit, derisa të dyja palët kanë sulmuar njëra-tjetrën gjatë natës.

Së paku 10 persona kanë vdekur në Izrael si pasojë e sulmeve iraniane dhe 250 janë lënduar  kanë thënë zyrtarët.

Policia ka deklaruar se gjashtë persona janë vrarë në qytetin e Bat Yam, përfshirë edhe dy fëmijë. Shtatë persona janë zhdukur dhe shërbimet e emergjencës janë duke kërkuar nën rrënojat e ndërtesave të shkatërruara.

Katër persona gjithashtu kanë vdekur në sulmet në qytetin verior arab të Tamrës, sipas shërbimeve të urgjencës dhe spitalit lokal.

Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog, ka shkruar në Twitter se sot ka qenë “mëngjes i trishtë dhe shumë i vështirë”.

“Sulmet kriminale iraniane kanë vrarë e lënduar hebrejë dhe arabë, shtetas të Izraelit dhe imigrantë përfshirë edhe fëmijë, të moshuar, gra e burra”, ka shkruar ai.

Presidenti Donald Trump ka thënë se SHBA-ja “nuk ka të bëjë asgjë me sulmet në Iran, gjatë natës”. Ai ka shkruar në platformën e tij të mediave sociale “Truth Social” të dielën në mëngjes, duke lëshuar paralajmërim për Tehranin që të mos e fus vendin e tij në konflikt.

“Nëse ne sulmohemi në ndonjë mënyrë apo formë nga Irani, e gjithë fuqia e plotë e Forcave të Armatosura të SHBA-së do të bien mbi ju në nivelet që s’i keni parë më herët”, ka shkruar ai. “Gjithsesi, ne lehtë mund të bëjmë një marrëveshje mes Iranit dhe Izraelit në mënyrë që ky konflikt i përgjakshëm të përfundojë”.

Këtë javë samiti i G7-ës në Kanada do të dominohet nga tema për luftën, porse jo për atë që liderët kanë pritur. Lartë në agjendë ka qenë lufta mes Rusisë dhe Ukrainës dhe tarifa e vendosur nga Trumpi kundër partnerëve tregtar të Amerikës. Në vend të kësaj, në fokus do të jetë lufta në Lindje të Mesme.

Grupi Houthi, të mbështetur nga Irani, kanë thënë se kanë nisur një “operacion ushtarak që synon objektiva të ndjeshme të armikut”.

Houthit, të mbështetur nga Irani, kanë nisur sulme të shumta ndaj Izraelit që nga lufta në Gaza në tetor të vitit 2023.

Grupi ka thënë e sulmet ndaj Izraelit i ka bërë në koordinim me Iranin.

Kancelari gjerman thotë se është kërcënim global nëse Irani ka armë bërthamore

29 min. më parë / 15 qer 2025 18:27
Friedrich Merz

Photo: Associated Press

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka deklaruar se është thelbësore që Irani të mos zhvillojë ose zotërojë armë bërthamore, ka raportuar BBC-ja të dielën.

Duke folur me gazetarët para nisjes për në Samitin e G7 në Kanada, Merz u shpreh se “përparimi i Iranit drejt armëve bërthamore çoi në sulmin e Izraelit ndaj objektivave ushtarake në Iran”.

Ai ka shtuar se posedimi i armëve bërthamore nga Irani do të ishte kërcënim.

“Ky do të ishte kërcenim për Izraelin, Lindjen e Mesme dhe bashkësinë ndërkombëtare në tërësi”.

Merz shtoi se Izraeli i ka kërkuar Gjermanisë të sigurojë pajisje për ndaljen e zjarrit, derisa kancelari shtoi se do t'ua dërgojnë menjëherë ato.

Izraeli kryen “sulmin më të largët” ndaj Iranit

58 min. më parë / 15 qer 2025 17:57
Irani

Trupat ushtarake të Izraelit kanë kryer sulmin më të largët qëkur kanë nisur sulmet ajrore ndaj Iranit.

BBC-ja ka raportuar të dielën se Izraeli ka sulmuar një aeroplan iranian që po furnizohej me karburant, në aeroportin e Mashhadit, në lindje të vendit.

Në anën tjetër, presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, i ka bërë Irakut që ta ndalojë Izraelin të përdorë hapësirën e tij ajrore për të nisur sulme.

Pezeshkian i tha homologut të tij irakian që të ushtrojë vigjilencë më të madhe "në mënyrë që territori irakian të mos keqpërdoret kundër Republikës Islamike të Iranit".

Trump: Izraeli dhe Irani do të bëjnë marrëveshje

2 o. më parë / 15 qer 2025 16:11
Donald Trump

Photo: Associated Press

“Irani dhe Izraeli duhet të bëjnë një marrëveshje, dhe do ta bëjnë një marrëveshje", ka deklaruar presidenti i SHBA-së Donald Trump, duke shtuar se ai do të jetë ai që do ta bëjë këtë të ndodhë.

Në një postim në rrjetet sociale, Trumpi ka folur për tensionet e fundit midis vendeve anembanë botës, të cilat ai thotë se ka ndihmuar të ndalen.

SHBA-ja kanë ndihmuar me bisedimet për armëpushim midis Ukrainës dhe Rusisë, si dhe Izraelit dhe Hamasit. Të dyja luftërat janë ende duke vazhduar.

"Po kështu, së shpejti do të kemi PAQE midis Izraelit dhe Iranit!. Shumë telefonata dhe takime po zhvillohen tani. Unë bëj shumë, dhe nuk marr kurrë merita për asgjë, por kjo është në rregull, POPULLI e kupton. TA BËJMË LINDJEN E MESME PËRSËRI TË MADHE!”, ka shkruar Trumpi.

Mediat iraniane raportojnë për 128 të vrarë dhe 900 të plagosur

2 o. më parë / 15 qer 2025 16:05
Iran

Photo: Associated Press

Mediat iraniane, duke cituar ministrinë e Shëndetësisë, kanë raportuar se 128 iranianë janë vrarë në sulmet izraelite deri në mesditën e djeshme, dhe rreth 900 kanë mbetur të plagosur.

Televizioni shtetëror iranian ka raportuar të shtunën se 60 persona, përfshirë 20 fëmijë, janë vrarë në një sulm izraelit ndaj një ndërtese në Teheran, raporton BBC.

Guvernatori i provincës së Azerbajxhanit Lindor ka thënë se 31 persona kanë vdekur atje, përfshirë 30 personel ushtarak dhe një anëtar të Gjysmëhënës së Kuqe Iraniane.

Të paktën shtatë shkencëtarë bërthamorë iranianë janë vrarë gjithashtu në sulme të ndara.

Shpërthime të reja në Teheran, ndërsa sulmet izraelite po vazhdojnë

3 o. më parë / 15 qer 2025 15:50
Teheran

Photo: Associated Press

Kryeqendra e Iranit, Teherani, është përballur me sulme të reja izraelite të dielën. 

Banorët e Teheranit i kanë thënë “CNN” se janë ndier shpërthime të reja. 

Media shtetërore ka raportuar për shpërthime në disa zona banimi në perëndim të Teheranit. Shkalla e plotë e dëmit apo nëse ka viktima ende nuk dihet. 

“Ne nuk ndalemi së sulmuari në asnjë moment. Edhe në këtë kohë, ne vazhdojmë të godasim dhjetëra objektiva të ndryshme në Teheran”, tha zëdhënësja e IDF-së, Effie Defrin. 

Defrin ka thënë se Izraeli ka goditur 80 objektiva gjatë natës të së shtunës. 

Në përgjithësi tha se janë goditur 250 objektiva në Iran.  Është raportuar se në sulmet ajrore izraelite është goditur edhe departamenti i policisë në Teheran. 

Irani kërcënon Izraelin: Nëse i vazhdoni sulmet, do të përgjigjemi më ashpër

3 o. më parë / 15 qer 2025 15:25
AP

Foto: AP

Përgjigjet e Iranit ndaj Izraelit do të jenë “më vendimtare dhe të ashpra” nëse veprimet armiqësore të Izraelit vazhdojnë, tha të dielën presidenti Masoud Pezeshkian, sipas mediave shtetërore.

Pezeshkian tha se ushtria e Iranit, deri më tani, është përgjigjur në mënyrë të përshtatshme.

Presidenti iranian, në anën tjetër, ka kërkuar nga Iraku të mos e lejojë Izraelin ta përdorë hapësirën ajrore të tij.

Pezeshkian e ka telefonuar kryeministrin irakian Muhammad Shayya al-Sudani t'ia ndalojë hapësirën ajrore përmes të cilës e sulmon Republikën Islamike.

“Qeveria irakiane duhet të ushtrojë vigjilencë dhe mbrojtje më të madhe mbi kufijtë e tij dhe hapësirën ajrore, në mënyrë që territori irakian të mos përdoret kundër Republikës së Iranit”, ka thënë ai.

Irani lanson raketa të reja, Izraeli u thotë qytetarëve të qëndrojnë pranë strehimoreve

3 o. më parë / 15 qer 2025 15:25
Sistemi izraelit “Iron Dome” duke ndalur raketat e Iranit në Tel Aviv

Sistemi izraelit “Iron Dome” duke ndalur raketat e Iranit në Tel Aviv të premten në mbrëmje

Photo: Associated Press

Ushtria e Izraelit (IDF) ka zbuluar raketa të lëshuara nga Irani, ndërsa i ka paralajmëruar qytetarët të qëndrojnë pranë strehimore, transmeton “CNN”. 

IDF-ja ka thënë se sistemet mbrojtëse po punojnë ta neutralizojnë kërcënimin. 

“Komanda e Frontit të Brendshëm tash ka këshilluar qytetarët të qëndrojnë afër zonave të mbrojtura. Lëvizja në zona publike duhet të minimizohet dhe tubimet publike duhet të shmangen”, thuhet në deklaratë të IDF-së. 

Gjendja emergjente është vazhduar në Izrael deri më 30 qershor.

Ministri izraelit i Mbrojtjes: Teherani po shndërrohet në Bejrut

4 o. më parë / 15 qer 2025 14:47
Israel Katz,

Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, ka thënë se ushtria izraelite “do t’i godasë vendet dhe do të vazhdojë ‘t’ia heqë lëkurën gjarprit iranian’ në Teheran dhe kudo, duke e zhveshur atë nga aftësitë bërthamore dhe sistemet e armëve”. 

“Diktatori iranian po e shndërron Teheranin në Bejrut dhe banorët e tij në pengje për hir të mbijetesës së regjimit të tij”, tha Katz, raporton “Times of Israel”. 

Izraeli nisi sulmet në Iran të premten, ndërsa Irani është kundërpërgjigjur.
 

Netanyahu: Irani do të paguajë çmim të rëndë, jemi pranë fitores

4 o. më parë / 15 qer 2025 14:38
Benjamin Netanyahu

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka mbërritur të dielën në vendin e sulmit me raketa iraniane në Bat Yam, ku ka thënë se Irani do të paguajë çmimin për sulmin dhe u ka bërë thirrje izraelitëve të ndiqnin udhëzimet e Komandës së Frontit të Brendshëm.

"Irani do të paguajë një çmim shumë të rëndë për vrasjen e civilëve. Ne gjithashtu do ta arrijmë qëllimin tonë. Ne jemi këtu sepse jemi në një betejë ekzistenciale, të cilën sot e kupton çdo qytetar i Izraelit", ka thënë Netanyahu.

"Mendoni se çfarë do të ndodhte nëse Irani do të kishte 20,000 raketa si kjo. Do të ishte një kërcënim ekzistencial për Izraelin. Kjo është arsyeja pse ne nisëm një luftë shpëtimi kundër një kërcënimi të dyfishtë shfarosjeje, dhe po e bëjmë këtë me forcë”, ka shtuar Netanyahu.

Sipas tij, Izraeli është “pranë një fitoreje” kundër Republikës Islamike.

Ndërkohë, Izraeli ka nisur një valë të re sulmesh ajrore duke synuar Isfahanin dhe Shirazin në Iranin qendror dhe jugor të dielën, sipas mediave iraniane.

Agjencia e lajmeve ISNA ka raportuar se një strukturë e lidhur me Ministrinë e Mbrojtjes së Iranit është goditur në Isfahan.

Tymi i dendur është parë të ngrihej nga Shirazi pas sulmeve izraelite, por ende nuk ka informacion në lidhje me objektivin e sulmit.

 

 

Ministri i Shëndetësisë: Shumica e të vrarëve në Iran janë gra dhe fëmijë

4 o. më parë / 15 qer 2025 14:08
Iran - sulmet izraelite në Teheran

Photo: Associated Press

Ministri iranian i Shëndetësisë, Mohammad-Reza Zafarghand, ka thënë për mediumet iraniane, se shumica e të vrarëve në sulmet izraelite janë gra dhe fëmijë, transmeton “CNN”. 

Nuk është dhënë një shifër zyrtare të viktimave të tri ditëve të konfliktit mes Izraelit dhe Iranit, por të premten ambasadori i Iranit në Kombet e Bashkuara, Amir-Saeid Iravani, tha se të paktën 78 persona u vranë në valën fillestare të sulmeve izraelite. 

Të shtunën, mediumi shtetëror iranian raportoi se të paktën 60 persona kanë humbur jetën kur një raketë kishte goditur një bllok banimi. 

Në sulmet izraelite raportohet se janë vrarë një numër i figurave të larta ushtarake të Iranit dhe po ashtu shkencëtarë bërthamorë. 
 

Britania e Madhe: Lufta mes Izraelit dhe Iranit mund të përshkallëzohet

5 o. më parë / 15 qer 2025 13:49
Bat Yam, ndërtesat e shkatërruara pas sulmit iranian

Photo: Associated Press

Ministria e Jashtme e Britanisë së Madhe i ka paralajmëruar të gjithë kundër udhëtimeve në Izrael.

Sipas kësaj ministrie, ka rrezik të përshkallëzimit rajonal, duke thënë se “situata ka potencial të përkeqësohet më tej, shpejt dhe pa paralajmërim”.

Ministria e Jashtme ka thënë se hapësira ajrore e Izraelit mbetet e mbyllur pasi “lidhjet ajrore nga vendi janë ndërprerë” pasi një gjendje e jashtëzakonshme kombëtare u shpall në Izrael më 13 qershor.

 Ndërkohë që luftimet mes Izraelit dhe Iranit kanë vazhduar gjatë natës, sot raportohet se janë dëgjuar shpërthime në lagjet veriperëndimore të Tehranit.

Gjermania, Franca dhe Britania të gatshme për bisedime me Iranin

7 o. më parë / 15 qer 2025 11:48
Iran

Photo: Associated Press

Gjermania, Franca dhe Britania janë të gatshme të zhvillojnë bisedime të menjëhershme me Iranin mbi programin bërthamor të Teheranit në një përpjekje për të ulur tensionet në Lindjen e Mesme, ka bërë të ditur ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul.

Wadephul, i cili është në një vizitë në Lindjen e Mesme, ka thënë se po përpiqej të kontribuonte drejt një uljeje tensionesh të konfliktit midis Izraelit dhe Iranit, duke vënë në dukje se Teherani më parë nuk kishte arritur të shfrytëzonte mundësinë e bisedimeve konstruktive, raporton Reuters.

"Shpresoj se kjo është ende e mundur," i ka thënë Ëadephul transmetuesit publik gjerman ARD vonë të shtunën. 

"Gjermania, së bashku me Francën dhe Britaninë, janë gati. Ne po i ofrojmë Iranit negociata të menjëhershme në lidhje me programin bërthamor, shpresoj që oferta të pranohet”, ka shtuar ai.

"Ky është gjithashtu një parakusht kyç për arritjen e zgjidhjes së këtij konflikti, që Irani të mos paraqesë rrezik për rajonin, për shtetin e Izraelit apo për Evropën”.

Wadephul, i cili po qëndron në Oman të dielën, ka deklaruar se konflikti do të përfundojë vetëm kur të ushtrohet ndikim mbi Iranin dhe Izraelin nga të gjitha anët.

Kur u pyet nëse besonte se qeveria iraniane mund të binte, Wadephul ka thënë se supozimi i tij ishte se nuk ishte qëllimi i Izraelit të rrëzonte administratën në Teheran.

Ministri i Jashtëm i Iranit i bën thirrje SHBA-së t’i dënojë sulmet izraelite

8 o. më parë / 15 qer 2025 10:12
Ministri i Jashtem i Iranit, Abbas Araghchi

Photo: Associated Press

Ministri i Jashtëm i Iranit, Seyyed Abbash Araghchi, thotë se “Amerikan është partnere” në sulmet izraelite ndaj objekteve bërthamore të Iranit dhe thotë se SHBA-ja “duhet të marrë përgjegjësi për veten”, raporton “BBC”. 

Ai i ka bërë thirrje SHBA-së t’i dënojë sulmet izraelite dhe thotë se sulmet s’do të kishin ndodhur kurrë pa dritën jeshile dhe mbështetjen e SHBA-së për Izraelin. 

“Kemi marrë mesazhe nga kanale të ndryshme se SHBA-ja nuk ka qenë e përfshirë në këtë sulm, mirëpo, nuk u besojmë këtyre pretendimeve dhe kemi prova që e kundërshtojnë këtë”, ka shkruar Araghchi në “Telegram”. 

Ai ka thënë se raundi i ardhshëm i bisedimeve SHBA – Iran mbi programin bërthamor, ka mundur të prodhonte marrëveshje, por akuzon Izraelin për sabotimin e negociatave. 
 

Ushtria e Izraelit paralajmëron iranianët të largohet nga zonat pranë infrastrukturës ushtarake

8 o. më parë / 15 qer 2025 10:00
Ushtria izraelite

Forcat e mbrojtjes së Izraelit (IDF) kanë lëshuar një paralajmërim urgjent për iranianët, duke u thënë atyre të largohen nga zonat rreth infrastrukturës ushtarake, transmeton “BBC”. 

Në një postim në platformën “X”, IDF ka thënë: “Gjithë personat që janë...prezent në dhe rreth fabrikave të prodhimit të armëve dhe në institucionet mbështetëse të tyre duhet të largohen menjëherë nga këto zona dhe të mos kthehen deri në njoftim të mëtejshëm. Prania juaj pranë këtyre infrastrukturave vë jetën tuaj në rrezik”. 

E mediat shtetërore iraniane këtë mëngjes kanë vënë në pah sulmet e Iranit ndaj Izraelit, derisa kanë mbuluar fre pak sulmet izraelite ndaj Iranit. 

Në lajmet e mëngjesit në televizionin shtetëror iranian kryetemë ishte “shkatërrimi i Kupolës së Hekurt”, por vetëm shkurtimisht u përmendën sulmet izraelite dhe nuk u tha nëse ka viktima.