Botë

Izraeli dhe Gaza përgatiten për lirimin e pengjeve dhe të burgosurve

gaza

Autoritetet në Izrael dhe Gaza po përgatiten për lirimin e pengjeve izraelite dhe të burgosurve palestinezë, në pritje të afatit të së hënës për shkëmbimin e parashikuar në marrëveshjen e armëpushimit, e cila mund t’i japë fund luftës dyvjeçare në Gaza. Hamasi pritet të lirojë të gjitha pengjet e gjalla brenda 72 orëve nga nënshkrimi i marrëveshjes - një afat që përfundon të hënën. Grupi militant mban 48 pengje, dhe besohet se vetëm 20 prej tyre janë ende gjallë, raporton The Guardian.

Një ekip ndërkombëtar do të angazhohet për t’i gjetur trupat e pengjeve që nuk do të lirohen të hënën. Shumë prej tyre mendohet se gjenden nën rrënojat në Rripin e Gazës, i cili është shkatërruar rëndë.

Izraeli do të lirojë gjithashtu gati 2.000 të burgosur palestinezë. Shumica e tyre do të dërgohen në Gaza ose do të internohen në vendet fqinje, megjithatë nuk është bërë ende e ditur se kur saktësisht do të ndodhë lirimi i tyre.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, do të vizitojë Jerusalemin të hënën. Ai do të mbajë një fjalim në parlamentin izraelit pothuajse në të njëjtën kohë kur do të ndodhë shkëmbimi i pengjeve dhe të burgosurve.

Gjithashtu, ai do të takohet me familjet e pengjeve.

Pas vizitës në Jerusalem, Trumpi do të udhëtojë  për në Sharm el-Sheikh të Egjiptit, ku do të bashkëkryesojë një “samit paqeje” me pjesëmarrjen e liderëve të mbi 20 vendeve, me qëllimin për të arritur një armëpushim të përhershëm në Gaza.

Edhe pse e ardhmja e marrëveshjes mbetet e paqartë, Trump u shpreh optimist se armëpushimi do të vazhdojë. “Të gjithë janë lodhur nga lufta”, u tha ai gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, duke shtuar se ekziston një konsensus për rrugën përpara.

Shkëmbimi i pengjeve dhe të burgosurve është hapi i parë në planin me 20 pika të Trumpit për t’i dhënë fund luftës në Gaza. Një armëpushim ka hyrë në fuqi në Gaza që nga pasditja e së premtes, por shumica e detajeve të planit të Trumpit duhet ende të negociohen përpara se të arrihet një marrëveshje përfundimtare për t’i dhënë fund luftës.

Palestinezët kanë shprehur vazhdimisht dëshirën që armëpushimi të shndërrohet në një paqe të përhershme, pas dy vitesh fushatë izraelite që ka shkatërruar pjesën më të madhe të Rripit të Gazës, ka vrarë mbi 67.000 palestinezë dhe ka plagosur rreth 170.000 të tjerë. Izraeli është akuzuar për gjenocid në Gaza nga një komision hetimor i OKB-së dhe disa organizata për të drejtat e njeriut.

Megjithatë, Izraeli i mohon akuzat për gjenocid dhe pretendon se veprimet e tij gjatë luftës, e nisur si përgjigje ndaj një sulmi të militantëve të udhëhequr nga Hamasi që vrau rreth 1.200 persona dhe mori 251 pengje, ishin vetëmbrojtje.

Në Izrael, janë bërë përgatitje për të pritur pengjet që do të kthehen. Fillimisht, ato do të dërgohen në një bazë ushtarake për kontrolle mjekësore, e më pas në spitale.