Ndryshe nga Mesdheu, në rrugën e Atlantikut të Veriut nuk ka patrulla - askush nuk kërkon në mënyrë proaktive për varka të humbura ose të dëmtuara. Është e lehtë të kalosh pa u parë. Nëse i humbni Kanariet ose Kepin Verde, mund të futeni në Atlantik dhe të zhdukeni. Dhe kjo u ka ndodhur shumë senegalezëve
Adama dhe Moussa Sarr kishin humbur gjurmët e numrit të saktë të ditëve që kishin qenë në det.
Vëllezërit po lëviznin diku në brigjet e Afrikës Perëndimore, në një lundër tradicionale peshkimi senegaleze e njohur si pirog. Ata ishin dy nga 39 pasagjerët gjithsej - të gjithë të kequshqyer, shumë afër vdekjes.
Kur një anije peshkimi u shfaq në distancë një ditë, Adama, 21 vjeç, ishte aq i dobët sa mund vetëm të shikonte ngulazi dhe asgjë tjetër, ka theksuar ai. Moussa, 17 vjeç, u fut në ujë për të notuar.
Me gjasë do të ishte mbytur, sikur ekuipazhi i peshkimit të mos e kishte pikasur në ujë dhe ta nxirrte në vend të sigurt.
Kur e tërhoqën krah pirogut, gjetën Adamën dhe pjesën tjetër të të mbijetuarve, si dhe shtatë trupa. Pirogu ishte nisur nga Senegali pesë javë më parë, me 101 njerëz në bord.
Të mbijetuarit kishin lëvizur qindra milje në një nga rrugët më të rrezikshme të emigrantëve në botë - kalimin detar të Atlantikut të Veriut nga Senegali në Ishujt Kanarie, arkipelag spanjoll rreth 1000 milje larg nga bregu i detit.
Ata ishin larguar më 10 korrik, nga fshati bregdetar Fass Boye. Adama dhe Moussa vinin nga një varg i gjatë peshkatarësh në fshat. Djemtë mësuan të peshkonin së bashku dhe punonin me pirog.
Ëndrra evropiane
Por si shumë të rinj në Senegal, vëmendja e tyre ishte e kthyer nga Evropa.
“Të gjithë duan të shkojnë në varka”, ka theksuar Adama. “Kjo është ajo që supozohet ta bëni”.
Ai ishte ulur në oborrin me hije të një shtëpie familjare, i sigurt në Senegal, por dukshëm më i hollë se më parë. Udhëtimi filloi në muzg, tha ai. Ai dhe Moussa, së bashku me dy kushërinjtë, Pape dhe Amsoutou, të moshës 40 dhe 20 vjeç, iu bashkuan pirogut pak larg bregut, kur ai do të nisej brenda natës.
Ndryshe nga Mesdheu, nuk ka patrulla në rrugën e Atlantikut të Veriut - askush nuk kërkon në mënyrë proaktive për varka të humbura ose të dëmtuara. Është e lehtë të kalosh pa u parë. Nëse i humbni Kanariet, ose Kepin Verde, mund të futeni në Atlantik dhe të zhdukeni.
Për tri ditët e para, pirogu i Adamës dhe Moussas, me një motor, luftoi kundër erërave të forta. Por në ditën e katërt era u ndal dhe varka filloi të përparonte, ka treguar Adama. Pasagjerët besuan se kishin vetëm disa ditë të tjera në det.

Kur dita e gjashtë kaloi pa shijen e tokës, u ndez një debat nëse duhej të vazhdonin apo të ktheheshin prapa.
“Kapiteni vendosi që ne duhet të vazhdojmë, sepse kishim ushqim dhe ujë të mjaftueshëm dhe era ishte e qetë”, tregon Adama.
Pasagjerët u ndien përsëri të sigurt dhe filluan të hanin shumë ushqim, tha ai, dhe përdornin ujë të pijshëm për t’i larë duart për lutje.
Ishte rreth ditës së shtatë kur ushqimi dhe uji filluan të mbaronin. Në bord ishin katër fëmijë dhe disa të moshuar, të cilëve ua dhanë ushqimin e fundit.
Adama nuk mund të mbante mend datën e saktë të vdekjes së parë, por ishte pak pasi kaloi java e parë, tha ai, një kapiten peshkimi, i mësuar të ishte në ujë. Kaluan gjashtë ditë të tjera derisa personi tjetër vdiq. Pastaj vdekjet vinin çdo ditë.
“Në fillim ne bënim lutje për çdo person të vdekur dhe e vendosnim trupin e tyre në oqean”, ka shpjeguar Adama. “Pastaj më vonë ne thjesht i hidhnim trupat në ujë, sepse nuk kishim energji as për t’u lutur. Na duhej vetëm të shpëtonim nga kufomat”.
Në fshatin Fass Boye po përhapej lajmi se varka nuk kishte mbërritur. “Ne të gjithë e dinim se duhet të kalonin pesë ose gjashtë ditë me varkë për të arritur në Spanjë”, ka treguar nëna e Adamës, Sokhna. “Kur kaloi një javë pa asnjë lajm, unë ndalova së ngrëni. U sëmura nga stresi”.
Vdekjet e para
Pothuajse të gjithë në pirogë ishin nga Fass Boye ose aty pranë, dhe të gjithë në fshat dukej se njihnin dikë në bord. Familjet filluan të bënin gjithçka që mundeshin, duke paralajmëruar autoritetet lokale dhe OJQ-të e migracionit. Themeluesi i një OJQ-je postoi një paralajmërim në Twitter se anija ishte zhdukur, dy javë pas nisjes së saj, por paralajmërimi kaloi pa u vënë re.
Në pirogë, katër burrat e familjes u mbërthyen së bashku, por ata po dobësoheshin gjithnjë e më shumë. Kushëriri më i madh, Pape, vdiq i pari, ka thënë Adama. “Para se të vdiste, ai tha: “Nëse vdekja na vjen, dëshiroj që unë të vdes dhe ju të tre të mbijetoni”.
Më pas, kushëriri më i vogël i Adamës, Amsoutou, u zhduk. Një mëngjes ata u zgjuan dhe Amsoutou thjesht ishte zhdukur.
Adama dhe Moussa qëndruan disi, duke pirë ujë deti dhe duke u pjekur nën diell. Çdo natë ata kërkonin drita nga Ishujt Kanarie, por ato nuk u shfaqën kurrë.
Askush në Fass Boye nuk dukej se i fajësonte emigrantët për marrjen e rrezikut. Më shumë se një e treta e vendit jeton në varfëri, sipas Bankës Botërore. Të rinjtë shohin pak mundësi në vendlindje.
“Macky Sall shiti oqeanin”, ka thënë Assane Niang, një kapiten peshkimi 23-vjeçar, duke iu referuar presidentit senegalez. Peshkatarët në Fass Boye thonë se Qeveria u ka dhënë shumë licenca peshkatarëve të huaj, të cilët e shterojnë peshkimin.
Niang ishte ulur në plazh nën hijen e një pirogu, duke thurur mbulesa që mund t’i shesë për t’ia dalë mbanë. “Nëse do të kishim alternativa të tjera do të qëndronim, por nuk mund të ulemi këtu dhe të mos bëjmë asgjë”, ka thënë ai. “Ne po mundohemi të mbështesim familjet tona”.
Ka presion social mbi të rinjtë që të përpiqen të largohen me varka dhe mund të ketë stigmë ndaj atyre që dështojnë ose nuk përpiqen kurrë.
Aq i madh është presioni sa rruga detare për në Spanjë ka fituar zhargonin e saj të zymtë në gjuhën wolof të Senegalit: “Barcelona ose vdekje”.
Pirogat prej druri që përdorin kontrabandistët nuk janë të përshtatshme për udhëtim. Ato shpesh janë të ndërtuara keq. Atyre u mungon teknologjia e navigimit dhe mund t’u mbarojë benzina e ta humbin orientimin. E, megjithatë, numri i emigrantëve që përdorin rrugën për të arritur në Spanjë është rritur çdo vit.
Kthimi në shtëpi
Sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin, rreth 68 mijë njerëz kanë arritur me sukses në Ishujt Kanarie me anije nga Afrika Perëndimore që nga janari 2020 dhe rreth 2700 janë regjistruar të vdekur ose të zhdukur. Por numri i viktimave ka të ngjarë të jetë dukshëm më i lartë, sepse aksidentet me fatalitet kanë më shumë gjasa të mbeten të paregjistruara në këtë rrugë.
“Ne i quajmë ato anije të padukshme”, ka thënë Safa Msehli, zëdhënëse e IOM-it. “Një varkë del në breg pa askënd në bord, ose një trup del në breg që nuk është i lidhur me një varkë të njohur të përmbysur”.
Një pjesë e problemit është se njerëzit që largohen nga Fass Boye, veçanërisht peshkatarët, janë shumë të sigurt në shanset e tyre, ka treguar Abdou Karim, një peshkatar i përjetshëm dhe babai i Pape Sarr, i cili vdiq në varkë.
“Peshkatari mendon se, nëse futet në telashe, do të jetë në gjendje të notojë”, ka thënë ai. “Por ka një kufi. Ju nuk mund të notoni përgjithmonë. Oqeani nuk do t’ju mbajë”.
E, megjithatë, peshkatarët e rinj në Fass Boye thanë se ishin ende të gatshëm të merrnin rrezikun.
“Jam duke menduar të shkoj në një varkë tani”, ka thënë Niang, peshkatar. “Tragjeditë nuk do të na pengojnë të përpiqemi”.
Rreth një muaj pas udhëtimit të Adamas dhe Moussas, një anije e madhe u shfaq në horizont dhe më shumë se 20 njerëz vendosën të shfrytëzonin shanset e tyre në ujë, tha Adama. Por ai e dinte se ishte shumë larg.
Shumë nga të mbijetuarit e mbetur mezi ishin në gjendje të lëviznin, ka theksuar ai. Më pas, më 14 gusht, saktësisht pesë javë pasi ishin nisur, ata zunë në sy varkën spanjolle të peshkimit që do t’i shpëtonte.
Ekuipazhi spanjoll i ndihmoi ata të hipnin në bord. Adama dhe Moussa u shtrinë në kuvertën e anijes së peshkimit.
Ata i kishin shpëtuar pirogut. Por Moussa ishte shumë i dobët. Ai ishte i fundit nga 63 personat që vdiqën në udhëtim.
“Ai vdiq pikërisht atje në kuvertë”, ka rrëfyer Adama. “Para syve të mi”.
Të mbijetuarit u dërguan në Kepin Verde dhe kaluan gjashtë ditë duke marrë trajtim mjekësor, përpara se shumica të ktheheshin në Dakar. Ata që mund të ecnin iu dhanë receta mjekësore dhe u dërguan përsëri te Fass Boye.
Kur u përhap lajmi për numrin e vdekjeve, pati një vrull të shkurtër të protestës së dhunshme në fshat që solli policinë. Disa të afërm u arrestuan, duke përfshirë një anëtar të familjes së Adamas dhe Moussas.
Të mbijetuarit u përballen me shumë pyetje nga banorë kureshtarë dhe të afërm të të vdekurve, thanë familjet. Kështu që një ditë pasi mbërritën në shtëpi, të gjithë u dërguan për t’u rikuperuar diku tjetër. Adama dhe nëna e tij, Sokhna, shkuan për të qëndruar me të afërmit. Ata po kalonin ditët e tyre duke pushuar, duke u lutur dhe duke i shmangur pyetjet ndaj Adamit për sprovën e tij.
Familja ka humbur tre djem. Fass Boye kishte parë 101 banorë të niseshin për lundrim dhe vetëm 37 u kthyen në shtëpi.
“Është humbje e madhe”, ka thënë Abdou Karim, babai i Papes, duke numëruar në heshtje rruazat e lutjes në njërën dorë.
“Vetëm një person është shumë, e lëre më 60”. “Është humbje e madhe për një vend”.
“Edhe një shpirt është shumë”, tha ai. "Dhe kjo është më shumë se 60. Është shumë për një vend”, përsëriti ai.
Përktheu: Blerta Haxhiu