Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka folur në telefon me presidentin amerikan, Donald Trump, dhe partnerët e tjerë evropianë të shtunën në mëngjes, pas takimit mes Trumpit dhe presidentit rus, Vladimir Putin, në Alaskë, ka raportuar The Guardian.
Biseda telefonike ka zgjatur rreth një orë dhe, sipas deklaratës të zyrës së Macronit, ishin të pranishëm edhe shtatë liderë të tjerë evropianë, përfshirë presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, kancelarin gjerman Friedrich Merz, kryeministrin britanik, Keir Starmer, kryeministren italiane Giorgia Meloni, presidentin finlandez, Alexander Stubb, presidentin polak Karol Nawrocki, si dhe sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.
Ende nuk ka ndonjë njoftim zyrtar nga Qeveria e udhëhequr prej Starmerit, porse politikanë të tjerë evropianë kanë reaguar.
Zëvendëskryeministri italian, Matteo Salvini, ka thënë se “çdo hap përpara drejt paqes, si ky, është lajm i mirë. Siç ka thënë Papa Leoni, le të flasë sërish diplomacia në vend të armëve”.
Ministri i Jashtëm i Norvegjisë, Espen Barth Eide, ka deklaruar se “presidenti Putin i Rusisë ka përsëritur argumente të njohura, sikurse theksimi i të ashtuquajturave ‘shkaqe rrënjësore’ të luftës, që shërben si mënyrë për ta justifikuar pushtimin e paligjshëm të Ukrainës nga Rusia”.
Ai ka shtuar ndër të tjera se është tejet e rëndësishme që të vazhdohet presioni ndaj Rusisë dhe të dëgjohen dëshirat e nevojat e Ukrainës.
E kryediplomati i Republikës Çeke, Jan Lipavský, ka theksuar se është “i kënaqur që presidenti Trump po përpiqet ta ndalë luftën”, ndonëse nga ana e Putinit, siç ka thënë ai, kishte pasur vetëm “absurditete propagandistike për ‘shkaqet rrënjësore të konfliktit’”, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp.
Ai ka vazhduar duke thënë se “problemi është tek imperializmi rus, e jo te dëshira e Ukrainës për të qenë e lirë. Po të ishte Putini serioz në synimin për të negociuar paqen, ai nuk do ta kishte sulmuar Ukrainën gjatë gjithë ditës së sotme”.
Ministrja e mbrojtjes e Lituanisë, Dovilė Šakalienė, e ka akuzuar Putinin për “më shumë manipulime psikologjike dhe kërcënime të fshehta” ndaj Ukrainës dhe Evropës gjatë konferencës për shtyp, në të cilën shefi i Kremlinit kishte nënvizuar se shpreson që vendet evropiane “të mos përpiqen të sabotojnë bisedimet”.
Nga ana tjetër, kryeministri hungarez, Viktor Orbán, ka shkruar në rrjetin social Facebook se “për vite me radhë kemi parë dy fuqitë më të mëdha bërthamore të eliminojnë kornizën e bashkëpunimit mes tyre dhe t’i dërgojnë mesazhe njëra-tjetrës”.
Sipas tij, “kjo tashmë ka përfunduar”, pasi që “bota është një vend më i sigurt sot sesa ishte dje”.
