Trump pas refuzimit të Spanjës për objektivin e NATO-s: Do ta detyrojë të paguajë dyfishin

2 o. më parë / 25 qer 2025 18:25
Donald Trump

Photo: Associated Press

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë të mërkurën se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do ta detyrojnë Spanjën të paguajë dyfishin në marrëveshje tregtare, pas refuzimit të vendit iberik për ta arritur objektivin e ri të NATO-s prej 5 për qind të Bruto Produktit të Brendshëm (BPB) për shpenzimet në fushën e mbrojtjes, ka raportuar Reuters.

Udhëheqësit e NATO-s e jetësuan të mërkurën zotimin për rritjen historike të shpenzimeve në mbrojtje, të cilën Trumpi e kishte kërkuar qëmoti, mirëpo autoritetet në Spanjë kanë njoftuar se nuk kanë nevojë ta arrijnë objektivin e ri dhe se mund t’i përmbushnin angazhimet e aleancës duke shpenzuar më pak.

Presidenti amerikan e ka kualifikuar vendimin e Spanjës si “të tmerrshëm”, teksa është zotuar se do ta detyronte vendin të kompensonte diferencën.

“Ne po negociojmë me Spanjën për një marrëveshje tregtare. Do t’i detyrojmë ata që të paguajnë dyfishin”, ka thënë ai.

Si anëtare e Bashkimit Evropian, Spanja nuk negocion drejtpërsëdrejti me Shtetet e Bashkuara rreth çështjeve tregtare – kjo hyn në kuadër të kompetencave të Komisionit Evropian i cili i zhvillon bisedimet në emër të 27 vendeve anëtare.

Trump mund ta ketë të vështirë të zbatojë kërcënimin e tij për të ndëshkuar Spanjën përmes një pakti tregtar, përveç nëse e përfshin këtë çështje në një marrëveshje më të gjerë me BE-në.

Në Ministrinë spanjolle të Ekonomisë kanë refuzuar të komentojnë rreth këtyre deklaratave.

Spanja i sheh shpenzimet e saj aktuale të mbrojtjes si “të mjaftueshme”, zotohet për objektiva të tjera

5 o. më parë / 25 qer 2025 15:17
Pedro Sanchez

Photo: Associated Press

Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, ka thënë se vendi i tij do të përmbushë objektivat e reja të kapaciteteve të mbrojtjes, si prodhimi i përbashkët i armëve, blerja e përbashkët e tyre dhe shkëmbimi i informacioneve, për të cilat është rënë dakord nga anëtarët e NATO-s në samitin e së mërkurës në Hagë, por e ka refuzuar objektivin per 5% të shpenzimeve në fushën e mbrojtjes. 

Ai konsideron se shpenzimet aktuale të Spanjës për fushën e mbrojtjes prej 2% të BPB-së janë "të mjaftueshme, realiste dhe të pajtueshme me shtetin e mirëqenies", raporton Reuters.

Ai ka falënderuar udhëheqësit e tjerë për "respektimin e sovranitetit të Spanjës".

Spanja e kishte kundërshtuar kërkesën për rritjen në 5% të shpenzimeve, ende pa filluar samiti. 

Rutte: Do ta mbështesim Ukrainën në rrugën e saj të pakthyeshme drejt NATO-s

5 o. më parë / 25 qer 2025 15:03
Mark Rutte

Photo: Associated Press

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte ka deklaruar mbështetje për Ukrainën “në mënyrë që ajo të mund të gëzojë një paqe të qëndrueshme në të ardhmen”. 

Pas samitit të mërkurën në Hagë të Holandës, në të cilin 32 vendet anëtare kanë rënë dakord për rritje të shpenzimeve të mbrojtjes në 5% të BPB-së çdo vit deri më 2025, Rutte ka thënë se NATO-ja qëndron fort pranë fqinjit dhe partnerit të saj, Ukrainës.

"Mesazhi ynë i fortë për Zelenskyn dhe popullin ukrainas është se Ukraina ka mbështetjen tonë të vazhdueshme, duke përfshirë mbi 35 miliardë euro të premtuara deri më tani këtë vit, dhe më shumë do të pasojnë. Qëllimi ynë është ta mbajmë Ukrainën në luftë sot në mënyrë që ajo të mund të gëzojë një paqe të qëndrueshme në të ardhmen. Ne qëndrojmë pranë Ukrainës në ndjekjen e saj të paqes dhe do të vazhdojmë ta mbështesim Ukrainën në rrugën e saj të pakthyeshme drejt anëtarësimit në NATO”, ka thënë Rutte.

Ukraina përmendet në pikën e tretë të deklaratës së plotë të dalë nga samiti i liderëve të NATO-s, ku thuhet se siguria e saj kontribuon në sigurinë e tyre.

Trumpi e quan “fantastik” samitin e NATO-s pasi anëtarët miratuan kërkesën e tij

5 o. më parë / 25 qer 2025 14:55
Donald Trump

Photo: Associated Press

Udhëheqësit e NATO-s kanë rënë dakord të mërkurën për një rritje masive të shpenzimeve të mbrojtjes pas presionit nga presidenti i SHBA-së Donald Trump dhe shprehën "angazhimin e tyre të palëkundur" për t'i ardhur në ndihmë njëri-tjetrit nëse sulmohen.

Në një takim me kryeministrin holandez, Dick Schoof, Trumpi e ka përshkruar samitin si "fantastik". 

Ai ka shtuar se samiti ishte "një sukses i madh".

32 udhëheqësit miratuan një deklaratë përfundimtare të samitit ku thuhej se "Aleatët angazhohen të investojnë 5% të BPB-së çdo vit në kërkesat thelbësore të mbrojtjes, si dhe në shpenzimet që lidhen me mbrojtjen dhe sigurinë deri në vitin 2035 për të siguruar detyrimet tona individuale dhe kolektive".

Deklarata e plotë nga samiti i NATO-s

5 o. më parë / 25 qer 2025 14:37
NATO

Photo: Associated Press

Udhëheqësit e NATO-s janë zotuar të investojnë 5 për qind të Bruto Produktit të Brendshëm çdo vit në shpenzimet e mbrojtjes dhe sigurisë deri në vitin 2035 “për të siguruar që detyrimet individuale dhe kolektive” të përmbushen, sipas tekstit përfundimtar të deklaratës së samitit të Hagës të miratuar në takimin e së mërkurës.

Deklarata me pesë pika përfshin gjithashtu “angazhimin e palëkundur të 32 vendeve për mbrojtjen kolektive, siç përcaktohet në Nenin 5 të Traktatit të Uashingtonit - se një sulm ndaj njërit është një sulm ndaj të gjithëve”.

Deklarata e plotë:

Udhëheqësit e NATO-s janë zotuar të investojnë 5 për qind të Bruto Produktit të Brendshëm çdo vit në shpenzimet e mbrojtjes dhe sigurisë deri në vitin 2035 “për të siguruar që detyrimet individuale dhe kolektive” të përmbushen, sipas tekstit përfundimtar të deklaratës së samitit të Hagës të miratuar në takimin e së mërkurës.
Deklarata me pesë pika përfshin gjithashtu “angazhimin e palëkundur të 32 vendeve për mbrojtjen kolektive, siç përcaktohet në Nenin 5 të Traktatit të Uashingtonit - se një sulm ndaj njërit është një sulm ndaj të gjithëve”.

Deklarata e plotë:

1.    Ne, krerët e shteteve dhe qeverive të Aleancës së Atlantikut të Veriut, jemi mbledhur në Hagë për të riafirmuar angazhimin tonë ndaj NATO-s, aleancës më të fortë në histori, dhe ndaj lidhjes transatlantike. Ne riafirmojmë angazhimin tonë të palëkundur ndaj mbrojtjes kolektive, siç përcaktohet në Nenin 5 të Traktatit të Uashingtonit - se një sulm ndaj njërit është një sulm ndaj të gjithëve. Ne mbetemi të bashkuar dhe të palëkundur në vendosmërinë tonë për të mbrojtur një miliard qytetarët tanë, për të mbrojtur Aleancën dhe për të mbrojtur lirinë dhe demokracinë tonë.

2.    Të bashkuar përballë kërcënimeve dhe sfidave të thella të sigurisë, në veçanti kërcënimit afatgjatë të paraqitur nga Rusia për sigurinë euroatlantike dhe kërcënimit të vazhdueshëm të terrorizmit, aleatët angazhohen të investojnë 5% të BPB-së çdo vit në kërkesat thelbësore të mbrojtjes, si dhe në shpenzimet që lidhen me mbrojtjen dhe sigurinë deri në vitin 2035, për të siguruar detyrimet tona individuale dhe kolektive, në përputhje me Nenin 3 të Traktatit të Uashingtonit. Investimet tona do të sigurojnë që të kemi forcat, aftësitë, burimet, infrastrukturën, gatishmërinë për luftë dhe qëndrueshmërinë e nevojshme për të penguar dhe mbrojtur, në përputhje me tri detyrat tona kryesore: pengimin dhe mbrojtjen, parandalimin dhe menaxhimin e krizave dhe sigurinë bashkëpunuese.

3.    Aleatët bien dakord që ky angazhim prej 5% do t’i përfshijë dy kategori thelbësore të investimeve në mbrojtje. Aleatët do të ndajnë të paktën 3.5% të BPB-së çdo vit bazuar në përkufizimin e rënë dakord të shpenzimeve të mbrojtjes së NATO-s deri në vitin 2035 për të furnizuar me burime kërkesat kryesore të mbrojtjes dhe për të përmbushur objektivat e aftësive të NATO-s. Aleatët bien dakord të paraqesin plane vjetore që tregojnë një rrugë të besueshme dhe graduale për të arritur këtë qëllim. Dhe aleatët do të japin deri në 1.5% të BPB-së çdo vit për të mbrojtur, ndër të tjera, infrastrukturën tonë kritike, për të mbrojtur rrjetet tona, për të siguruar gatishmërinë dhe qëndrueshmërinë tonë civile, për të çliruar inovacionin dhe për të forcuar bazën tonë industriale të mbrojtjes. Trajektorja dhe balanca e shpenzimeve sipas këtij plani do të rishikohen në vitin 2029, në dritën e mjedisit strategjik dhe objektivave të përditësuara të aftësive. Aleatët riafirmojnë angazhimet e tyre sovrane për të ofruar mbështetje për Ukrainën, siguria e së cilës kontribuon në tonën, dhe, për këtë qëllim, do të përfshijnë kontribute të drejtpërdrejta drejt mbrojtjes së Ukrainës dhe industrisë së saj të mbrojtjes kur llogarisin shpenzimet e mbrojtjes të aleatëve.

4.    Ne riafirmojmë angazhimin tonë të përbashkët për të zgjeruar me shpejtësi bashkëpunimin industrial transatlantik të mbrojtjes dhe për të shfrytëzuar teknologjinë në zhvillim dhe frymën e inovacionit për të çuar përpara sigurinë tonë kolektive. Ne do të punojmë për të eliminuar barrierat tregtare të mbrojtjes midis aleatëve dhe do të shfrytëzojmë partneritetet tona për të promovuar bashkëpunimin industrial të mbrojtjes.

5.    Ne shprehim vlerësimin tonë për mikpritjen bujare që na është ofruar nga Mbretëria e Holandës. Ne mezi presim takimin tonë të radhës në Turqi në vitin 2026, i ndjekur nga një takim në Shqipëri.

Liderët e NATO-s zotohen për 5% shpenzime të mbrojtjes deri më 2035

6 o. më parë / 25 qer 2025 14:30
NATO

Photo: Associated Press

Udhëheqësit e NATO-s janë zotuar të investojnë 5 për qind të Bruto Produktit të Brendshëm çdo vit në shpenzimet e mbrojtjes dhe sigurisë deri në vitin 2035 “për të siguruar që detyrimet individuale dhe kolektive” të përmbushen, sipas tekstit përfundimtar të deklaratës së samitit të Hagës të miratuar në takimin e së mërkurës.

Deklarata thotë se anëtarët do të paraqesin “plane vjetore” që vërtetojnë “një rrugë të besueshme dhe graduale për të arritur këtë qëllim”. Në vitin 2029 do të bëhet një shqyrtim më gjithëpërfshirës i progresit.

Deklarata me pesë pika përfshin gjithashtu “angazhimin e palëkundur të 32 vendeve për mbrojtjen kolektive, siç përcaktohet në Nenin 5 të Traktatit të Uashingtonit - se një sulm ndaj njërit është një sulm ndaj të gjithëve”.

Dokumenti përfshin po ashtu një rresht që premton mbështetje të mëtejshme për Ukrainën dhe thekson se “siguria e saj kontribuon në tonën”, por nuk dënon drejtpërdrejt Rusinë.

Megjithatë, ai përfshin një rresht të veçantë mbi “kërcënimin afatgjatë që paraqet Rusia për sigurinë euroatlantike”.

Rutte hap samitin e NATO-s me kërkesën për 5% shpenzime të mbrojtjes

7 o. më parë / 25 qer 2025 13:14
Mark Rutte Donald Trump

Photo: Associated Press

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka hapur të mërkurën një samit në Hagë që mund të bashkojë organizatën më të madhe të sigurisë në botë rreth një premtimi të ri për shpenzimet e mbrojtjes ose të zgjerojë përçarjet midis aleatëve.

Rutte riafirmoi në deklaratën e tij hapëse se të gjithë aleatët e NATO-s do të duhet të angazhojnë 5% të BPB-së së tyre në shpenzimet e mbrojtjes.

"Ne do të marrim vendime historike transformuese për t'i bërë njerëzit tanë më të sigurt përmes një NATO-je më të fortë, më të drejtë dhe më vdekjeprurëse", ka thënë ai.

Rutte javën e kaluar ishte optimist se anëtarët evropianë dhe Kanadaja do të angazhoheshin të investonin të paktën aq shumë nga rritja e tyre ekonomike në mbrojtje sa bënë Shtetet e Bashkuara për herë të parë.

Pastaj Spanja ka hedhur poshtë objektivin e ri të NATO-s që secili vend të shpenzojë 5% të produktit të tij të brendshëm bruto për mbrojtje (BPB), duke e quajtur atë "të paarsyeshëm". 

Trumpi ka këmbëngulur për këtë shifër, por nuk thotë se duhet të zbatohet për Amerikën. Aleanca vepron me një konsensus që kërkon mbështetjen e të gjithë 32 anëtarëve.

Trump që atëherë ka sulmuar ashpër qeverinë e kryeministrit Pedro Sanchez, duke thënë se “NATO-ja do të duhet të merret me Spanjën. Spanja ka qenë një paguese shumë e dobët”. 

Ai gjithashtu ka kritikuar Kanadanë si “një paguese e dobët”.

Trumpi konfirmon angazhimin ndaj nenit 5 të traktatit të NATO-s

8 o. më parë / 25 qer 2025 12:04
Donald Trump

Photo: Associated Press

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka konfirmuar angazhimin e SHBA-së ndaj nenit 5 të traktatit të NATO-s.

“Ne jemi me ta gjatë gjithë kohës”, ka deklaruar presidenti amerikan, i pyetur në lidhje me nenin, një ditë pasi ishte raportuar se Trumpi nuk ka konfirmuar angazhimin.

Neni 5 pohon parimin e mbrojtjes kolektive dhe të ndërsjellë, që do të thotë se një sulm kundër një aleati të NATO-s konsiderohet një sulm kundër të gjithë anëtarëve të tij. 

Gjatë rrugës për në samitin e udhëheqësve të NATO-s, Trumpi kishte minuar premtimin thelbësor të aleancës për mbrojtje kolektive, duke shkaktuar tension në takimin i cili ka për synim që ta mbajë atë të interesuar në sigurinë evropiane.

I pyetur gjatë udhëtimit, nëse Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara ndaj klauzolës së nenit 5 të traktatit të NATO-s, Trumpi u kishte thënë gazetarëve në Air Force One: "Varet nga përkufizimi juaj. Ka përkufizime të shumta të Nenit 5. E dini këtë, apo jo? Jam i përkushtuar për të shpëtuar jetë. Jam i përkushtuar për jetën dhe sigurinë. Dhe do t'ju jap një përkufizim të saktë kur të shkoj atje. Thjesht nuk dua ta bëj këtë në pjesën e pasme të një aeroplani”, ka deklaruar Trumpi të martën.

Nis punimet samiti i NATO-s, konfliktet dhe shpenzimet e mbrojtjes në qendër të diskutimeve

8 o. më parë / 25 qer 2025 11:39
NATO

Photo: Associated Press

Ka nisur të mërkurën në Hagë të Holandës punimet e samitit dy-ditor të liderëve të NATO-s.

Samiti ka nisur me një konferencë të përbashkët të sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte dhe presidentit amerikan, Donald Trump. 

Konflikti në Lindjen e Mesme ishte në qendër të bisedës së shkurtër të tyre me gazetarët dhe pritet të përmendet gjatë gjithë ditës.

Menjëherë pas takimit të sotëm në mëngjes, dyshja është fotografuar bashkë me udhëheqësit e tjerë për foton tradicionale familjare.

Tani krerët e shteteve kanë nisur takimin ku do të diskutojnë mbi çështje që përfshijnë Lindjen e Mesme, Ukrainën dhe objektivat e shpenzimeve të mbrojtjes.

Pastaj, këtë pasdite, Rutte do të mbajë një konferencë për shtyp dhe gjithashtu pritet të ketë edhe komente nga Trumpi dhe kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer. 

Mblidhen liderët e NATO-s, Rutte e quan “transformues” samitin

10 o. më parë / 25 qer 2025 09:46
Mblidhen liderët e NATO-s, Rutte e quan “transformues” samitin

Photo: Associated Press

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, është optimist se organizata ushtarake do të bjerë dakord për rritje masive të shpenzimeve në një "samit transformues" të mërkurën, teksa udhëheqësit e shteteve anëtare, përfshirë presidentin e SHBA-së, Donald Trump, janë mbledhur në Hagë të Holandës.

Udhëheqësit e aleancës me 32 vende pritet të bien dakord për një objektiv të ri të shpenzimeve të mbrojtjes prej 5% të produktit të brendshëm bruto, pasi SHBA-ja - anëtari me shpenzimet më të mëdha të NATO-s, e ka zhvendosur vëmendjen e saj nga Evropa për t'u përqendruar në prioritetet e sigurisë diku tjetër.

"Pra, një samit transformues. Mezi pres ta shoh”, u ka thënë Rutte gazetarëve në Hagë, përpara se të kryesojë takimin, i cili pritet të zgjasë më pak se tre orë.

Por përpara takimit, Spanja ka njoftuar se nuk do të jetë në gjendje ta arrijë objektivin deri në afatin e ri 2035, duke e quajtur atë "të paarsyeshëm".

Belgjika ka sinjalizuar se as ajo nuk do të arrinte atje, teksa Sllovakia ka thënë se rezervon të drejtën për të vendosur vetë për shpenzimet e saj të mbrojtjes.

Spanja, ashtu si shumë aleatë të NATO-s, përballet me sfida të mëdha ekonomike, dhe lufta globale e tarifave e Trumpit mund ta bëjë edhe më të vështirë për aleatët e Amerikës arritjen e objektivave të tyre.

Disa vende tashmë po shtrydhin shpenzimet për mirëqenien sociale dhe ndihmën e huaj për të kanalizuar fonde shtesë në buxhetet e tyre ushtarake.