Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ka paralajmëruar palët e përfshira në negociata për një marrëveshje të mundshme armëpushimi në Gaza që të mos i minojnë përpjekjet.
Bideni ka deklaruar se “jemi më afër se kurrë” armëpushimit pas raundit të fundit të negociatave, por një zyrtar i lartë i Hamasit ka shprehur skepticizëm.
Ai po ashtu ka njoftuar se do ta dërgojë Sekretarin e Shtetit, Antony Blinken, në Izrael për të vazhduar “përpjekjet intensive për ta përfunduar marrëveshjen”, raportoi BBC.
Deklaratat e tij vijnë pas një deklarate të përbashkët nga SHBA-ja, Katari dhe Egjipti – se ata kanë paraqitur një propozim për një armëpushim dhe marrëveshje për lirimin e pengjeve që “ngushton boshllëqet” mes Izraelit dhe Hamasit.
Çfarëdo shenje progresi në bisedimet në Katar vlerësohet si esenciale nga qeveritë e dëshpëruara ta shmangin që lufta në Gaza të shndërrohet në konflikt të gjerë rajonal.
Ndërmjetësuesit kanë thënë se diskutimet e dy ditëve të fundit për armëpushim kanë qenë “serioze, konstruktive dhe të zhvilluara në atmosferë pozitive”.
Ekipet teknike priten të vazhdojnë të punojnë në ditët në vijim mbi detajet se si të zbatohen kushtet e propozuara para se zyrtarët qeveritarë të takohen sërish në Kajro.
Bideni ka theksuar se ka folur ndaras me liderët e Katarit dhe Egjiptit, të cilët kanë shprehur “mbështetje të fuqishme” për propozimin.