Botë

“Nuk duhet të lejojmë të na shantazhojnë diktatorët”

Si e sheh politikën e jashtme gjermane ministrja e re Annalena Baerbock.

Në një intervistë me revistën “Der Spiegel” ministrja e re e jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, ka bërë të qartë se vendi i saj dhe Bashkimi Europian nuk duhet të tolerojnë shantazhe nga diktatorët dhe autokratët.

Duke folur për sundimtarin bjellorus Aleksandar Lukashenko, Baerbock deklaroi se “jemi duke përjetuar një shantazhim të dyfishtë nga Lukashenko. Nga njëra anë keqpërdoren refugjatët për të përçarë Europën. Nga ana tjetër qeveria (bjelloruse) dëshiron të akceptohet si partnere në bisedime, ndonëse e shtyp opozitën. Nuk duhet të lejojmë të na shantazhojnë diktatorët. BE duhet të jetë unike si bashkësi vlerash. Andaj është me rëndësi të ashpërsohen sanksionet dhe të ushtrohet presion më i madh ndaj regjimit të Lukashenkos”.

Për dallim nga shumë politikanë gjermanë, ministrja e re e jashtme është deklaruar kundër fillimit të punës së gazsjellësit Nord Stream 2, përmes të cilit Rusia synon të sjellë gaz në Gjermani përmes Detit të Veriut dhe duke anashkaluar Ukrainën.

Baerbock tha se “kritika ime kundër gazsjellësit është e njohur, për arsye gjeostrategjike dhe energjetiko-politike. Momentalisht situata është e tillë që gazsjellësi nuk mund të futet në përdorim. Agjencia gjermane e rrjeteve të gazit e ka shtyrë certifikimin”.