Botë

Palestinezët e bllokuar në Gaza, ndihmat në Egjipt

Ngurrimi aktual i Egjiptit për të hapur pikëkalimin kufitar në Rafah pa kushte dhe garanci të qarta besohet se po bëhet për të shmangur një eksod masiv të palestinezëve nga Gaza

Egjipti ka pasur prej kohësh një rol ndërmjetësues në konfliktin, jo vetëm midis Izraelit dhe palestinezëve, por edhe midis vetë fraksioneve kryesore palestineze.

Ishte shteti i parë arab që bëri paqe me Izraelin në vitin 1978 – pas disa luftërave me shtetin hebre.

Tani, fokusi është në Egjipt, në kontrollin e njërës prej dy rrugëve tokësore jashtë Rripit të Gazës - kufirit Rafah.

Mijëra palestinezë janë duke pritur në anën e kufirit të Gazës, ndërsa qindra kamionë me ndihmat e nevojshme për civilët kanë mbetur të parkuara në anën egjiptiane. Shumë autokolona të tjera ndihmash janë nisur gjithashtu drejt kufirit.

Por ende nuk është arritur asnjë marrëveshje për hapjen e kufirit Rafah.

Kajro ka vendosur kufizime të rrepta të lëvizjes përmes kufirit Rafah për shumë vite – deri në atë masë sa që shumë palestinezë e kanë akuzuar Egjiptin për forcimin e bllokadës së Izraelit ndaj Gazës.

Kufizimet e vendosura janë lidhur kryesisht me shqetësimet e sigurisë në Sinain e Veriut, ku autoritetet egjiptiane janë përfshirë prej kohësh në një konflikt me xhihadistët e lidhur me Al Qaedan.

Por ngurrimi aktual i Egjiptit për të hapur kufirin Rafah pa kushte dhe garanci të qarta mund të jetë më shumë rreth përpjekjes për të shmangur një eksod masiv të palestinezëve nga Gaza.

Shefi humanitar i OKB-së, Martin Griffiths, është shprehur se autoritetet egjiptiane i frikësohen një fluksi të madh të palestinezëve - për të cilët ata do të ishin përgjegjës për një periudhë të pacaktuar.

Për më tepër, Egjipti nuk dëshiron të luajë ndonjë rol në atë që mund të çojë në një zhvendosje të përhershme të qindra mijëra palestinezëve nga Gaza.

Një pengesë tjetër është se Izraeli duket se dëshiron pothuajse të kundërtën - të lejojë më shumë palestinezë të largohen, sesa Egjipti është i gatshëm të pranojnë, duke kufizuar sasinë e ndihmës që mund të hyjë.

Ministri i Jashtëm i Egjiptit, Sameh Shoukry, ka bërë të ditur se qeveria izraelite nuk ka marrë ende vendim që do të lejonte hapjen e kufirit.

Përpjekjet diplomatike po intensifikohen për të zgjidhur ngërçin, pasi agjencitë e ndihmës kanë paralajmëruar se situata në Gaza po i afrohet një katastrofe humanitare.

Përktheu: Forca Jashari