Botë

Pavarësisht rreziqeve, shumë palestinezë po kthehen në veri

OKB-ja ka njoftuar se disa palestinezë që janë larguar nga shtëpitë e tyre në veri të Gazës, kanë filluar të kthehen, për shkak të situatës së rëndë në jug

Izraeli urdhëroi 1.1 milionë banorë të qytetit të Gazës dhe zonave të tjera veriore që të largoheshin drejt jugut për sigurinë e tyre, javën e kaluar.

Por një zyrtar i OKB-së ka bërë të ditur se ata po kanë vështirësi për të siguruar strehim, ushqim dhe ujë të pijshëm në jug.

Ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi, ka njoftuar se qindra njerëz kanë mbetur të vrarë atje, nga sulmet ajrore izraelite gjatë ditës së diel.

Ushtria izraelite ka njoftuar se ka goditur qindra objektiva ushtarakë që i përkisnin Hamasit në të gjithë Rripin e Gazas, ndërkohë që ka shtuar fushatën e saj ajrore përpara një ofensive të pritshme tokësore.

Më shumë se 5 mijë njerëz raportohet se janë vrarë në të gjithë Rripin e Gazës, që kur Izraeli filloi bombardimet e tij në përgjigje të një sulmi të paprecedent ndërkufitar nga Hamasi më 7 tetor, në të cilin të paktën 1400 njerëz u vranë dhe 222 u morën peng.

Izraeli gjithashtu ka ndërprerë energjinë elektrike, një pjesë të madhe të furnizimit me ujë dhe ka ndaluar importet e ushqimit dhe ilaçeve, megjithëse ka lejuar disa dhjetëra kamionë ndihma të kalojnë nga Egjipti në Gazë, që nga e shtuna.

OKB-ja ka vlerësuar se pothuajse dy të tretat e popullsisë së Gazas - 1.4 milionë njerëz - janë larguar nga shtëpitë e tyre gjatë dy javëve të fundit ose nga frika, ose sepse shtëpitë e tyre janë shkatërruar ose dëmtuar.

Drejtori i agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA) në Gaza, Thomas White, ka thënë për BBC-në se shumica e njerëzve të zhvendosur jetonin me vetëm 1 litër ujë dhe një ose dy bukë të vogla arabe në ditë.

Kriza humanitare, e kombinuar me sulmet e vazhdueshme në zonat civile në jug, nënkupton se disa njerëz po kthehen në veri, ka shtuar ai.

“Në thelb, njerëzit kanë lënë gjithçka në veri - shtëpitë e tyre, bizneset e tyre, jetën e tyre. Ata kanë ardhur në jug, ku nuk po mund të gjejnë strehim, ushqimi është i pakët, shumë njerëzve u duhet të pinë ujë të papijshëm, kështu që situata në jug është e rëndë”, ka thënë White.

Dhe megjithëse OKB-ja e ka mirëpritur kalimin e 34 kamionëve që transportonin ushqim, ujë dhe furnizime mjekësore gjatë fundjavës në Gaza, White ka paralajmëruar se qindra të tjerë kërkoheshin në ditë, për të plotësuar nevojat e Gazës, veçanërisht ato për karburant.

Ministria e Shëndetësisë e Gazës ka paralajmëruar se gjeneratorëve në 13 spitale publike po u mbaron karburanti dhe se ata po përdorin vetëm shërbimet më thelbësore për shpëtimin e jetës, duke përfshirë inkubatorët që po ndihmojnë për të mbajtur gjallë 130 foshnja.

Izraeli po refuzon të lejojë karburantin të kalojë në Gaza, duke thënë se mund të vidhet dhe të shfrytëzohet nga Hamasi për qëllime ushtarake.

Të hënën, Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) njoftuan se forcat e saj kanë goditur 320 objektiva në Gaza gjatë së dielës, duke përfshirë “tunele me terroristët e Hamasit, dhjetëra qendra komanduese operacionale, komplekse ushtarake dhe qendra vëzhgimi”.

Drejtori i spitalit “Al-Quds” në qytetin e Gazës i ka thënë BBC-së se janë regjistruar 10 sulme në 100 metra largësi nga objekti, ku ndodhen 500 pacientë dhe 1.500 njerëz të tjerë të strehuar.

Të hënën pasdite, Ministria e Shëndetësisë e Gazës bëri të ditur se 436 njerëz, përfshirë 182 fëmijë, janë vrarë në 24 orët e fundit, shumica e tyre në jug.

Ministria njoftoi gjithashtu se numri i përgjithshëm i të vdekurve në Gaza që kur Izraeli filloi t’i përgjigjej sulmit ndërkufitar të Hamasit është rritur në 5.087.

Shifra përfshin 471 persona të cilët u vranë nga një shpërthim në spitalin arab “Al-Ahli” në qytetin e Gazës. Hamasi fajësoi Izraelin për sulmin, por IDF-ja paraqiti prova që, sipas saj, shpërthimi ishte rezultat i një rakete të devijuar nga Xhihadi Islamik Palestinez.

Të hënën, Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka njoftuar se shpërthimi “ka të ngjarë të jetë shkaktuar nga një raketë ose pjesë e një rakete që është lëshuar nga brendësia e Gazës në drejtim të Izraelit”, duke u bërë jehonë konkluzioneve të SHBA-së, Francës dhe Kanadasë.