Najla Bouden, gjeologe, zyrtare e ministrisë së arsimit – dhe nga sot kryeministre e republikës tuniziane
Në Tunizi para 10 viteve filloi revolucioni arab. Më 17 dhjetor pemëshitësi Mohamed Buazizi dogji veten në shenjë proteste kundër situatës së vështirë ekonomike dhe represionit politik. Pas protestave masive sundimtari shumëvjeçar Ben Ali iku nga posti dhe u zhduk në ekzil (vdiq në Arabinë Saudite në vitin 2019). Ben Ali sundoi Tunizinë mes viteve 1987-2011. Gjatë kësaj kohe ai dhe klika e tij i pasuruan pa hesap.
Tani Tunizia sërish është bërë lajm në mediat ndërkombëtare. Të hënën para presidentit Kais Saied dha betimin qeveria e re. Dhe në krye të qeverisë do të jetë Najla Bouden. Një grua. Në vendin ku nisi revolucioni arab, tani një grua, e para në botën arabe, bëhet kryeministre. Najla Bouden është me profesion gjeologe. Ajo u arsimua në Paris, ku edhe doktoroi, pastaj ligjëroi në fakultetin e inxhinierisë në Tunis, ndërsa më 2011 u punësua në ministrinë e arsimit të lartë dhe shkencës. Si referente ajo bashkëpunoi me Bankën Botërore në zbatimin e programeve të ndryshme për rritjen e cilësisë në arsim dhe shkencë.
Najla Bouden, 63-vjeçare, nuk i përket asnjë partie. Kabineti i saj ka 24 anëtarë, tetë prej tyre janë gra. Bouden tha se synimi i saj është që vendit t’ia kthejë shpresën; prioritet, sipas saj, do të gëzojë lufta kundër korrupsionit. Sa do të arrijë t’i realizojë këto premtime Bouden, mbetet të shihet. Presidenti Saied ka kufizuar kompetencat e qeverisë dhe mund të pengojë punën e kryeministres së re. Nga opozita dhe mediat Saied akuzohet për sundim autokratik. Pa marrë parasysh se cili do të jetë fati i Bouden, ajo që tani është figurë historike duke u bërë gruaja e parë kryeministre jo vetëm e Tunizisë, por në mbarë botën arabe. Ndër detyrat e saj të para do të jenë negociatat me Fondin Monetar Ndërkombëtar për të evituar falimentimin e Tunizisë.