Botë

Presidenti 92-vjeçar i Kamerunit që nuk humb asnjëherë

Paul Biya,

Presidenti 92-vjeçar i Kamerunit, Paul Biya, është rizgjedhur për mandatin e tij të tetë radhazi, duke forcuar më tej pushtetin e tij pas më shumë se katër dekadash në krye të vendit. Rezultati zyrtar prej 53.7% u prit me zhgënjim nga opozita dhe qytetarët që kishin shpresuar për ndryshim. Stili i tij i qeverisjes - i mbyllur, i përmbajtur dhe i distancuar ka krijuar pasiguri mbi drejtimin real të vendit. Ndërkohë, krizat e brendshme, veçanërisht ajo në rajonet anglishtfolëse, po thellojnë pyetjet mbi të ardhmen politike të Kamerunit dhe durimin e popullit ndaj regjimit të Biyas.

Pa ndonjë surprizë për askënd, Këshilli Kushtetues i Kamerunit ka shpallur rizgjedhjen e presidentit 92-vjeçar Paul Biya, kreut më të vjetër të shtetit në botë, për mandatin e tetë radhazi.

Mes thashethemeve për një rezultat të ngushtë dhe pretendimeve për fitore nga sfiduesi i tij kryesor, ish-ministri Issa Tchiroma Bakary, emocionet dhe tensionet ishin rritur në ditët para shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve. Për pak çaste u ndezën shpresat për një rezultat më ndryshe se zakonisht.

Për pasojë, edhe pse ishte pjesë e një modeli afatgjatë, rezultati zyrtar - fitorja e Biyas me 53.7%, përpara Tchiroma Bakaryt me 35.2% u prit me zhgënjim dhe ndjenjë boshllëku nga shumë kamerunas.

Vendimi i Biyas për të kandiduar për një tjetër mandat shtatëvjeçar, pas 43 vjetësh në pushtet, ishte pa dyshim i debatueshëm. Jo vetëm për shkak të qëndrimit të tij të gjatë në krye të shtetit, por edhe për shkak të mënyrës së tij të qeverisjes.

Qëndrimet e gjata jashtë vendit, zakonisht në hotelin “Intercontinental” në Gjenevë ose në vende të tjera më të fshehta pranë liqeneve zvicerane, kanë nxitur shpesh spekulime për shkallën në të cilën ai në fakt e drejton Kamerunin - apo nëse vendimet kryesore merren nga kryeministri, ministrat, apo sekretari i përgjithshëm me ndikim i presidencës, Ferdinand Ngoh Ngoh.

Vitin e kaluar, pasi mbajti një fjalim në Francë gjatë një ceremonie përkujtimore të Luftës së Dytë Botërore në gusht dhe mori pjesë në samitin Kinë-Afrikë në Pekin muajin pasues, presidenti u zhduk nga skena publike për gati gjashtë javë pa asnjë njoftim apo shpjegim, duke shkaktuar spekulime mbi shëndetin e tij.

Edhe pse zyrtarë të lartë thanë më vonë se ai ndodhej, edhe një herë, në Gjenevë dhe po punonte si zakonisht, nuk pati ndonjë lajm të qartë deri në njoftimin për kthimin e tij në kryeqytet, në Jaunde, ku u filmua teksa pritej nga mbështetësit.

Edhe këtë vit nuk ishte ndonjë surprizë e madhe kur ai shkoi në një vizitë tjetër parazgjedhore në Gjenevë, vetëm disa javë para ditës së votimit.

Udhëheqja e Biyas

Stili i Biyas në drejtimin e vendit, i fshehtë dhe i jotransparent - rrallëherë thërret mbledhje të plota të kabinetit ose flet publikisht për çështje të ndërlikuara. Biya krijon një mjegull pasigurie mbi qëllimet e administratës dhe mënyrën si formohet politika qeveritare.

Në aspektin teknik, ministrat dhe zyrtarët kompetentë zhvillojnë një sërë nismash dhe programesh. Por vizioni politik dhe ndjenja e drejtimit kanë munguar në mënyrë të dukshme.

Regjimi i tij ka treguar se është i gatshëm herë pas here të shtypë protestat apo të arrestojë kritikët më të zëshëm. Por kjo nuk është arsyeja e vetme - e ndoshta as më e rëndësishmja,  që e ka mbajtur atë në pushtet.

Sepse duhet pranuar se Biya ka luajtur edhe një rol të veçantë politik. Ai ka shërbyer si një figurë balancuese në një vend kompleks, me dallime të mëdha shoqërore, rajonale dhe gjuhësore -  për shembull, mes jugut ekuatorial dhe veriut me savana, apo midis shumicës frankofone dhe rajoneve anglishtfolëse në veriperëndim dhe jugperëndim, që kanë tradita të ndryshme arsimore dhe institucionale.

Në një shtet që në vitet e para pas pavarësisë u përball me debate mbi federalizmin dhe mënyrën e ndërtimit të unitetit kombëtar, ai ka formuar qeveri që përfshijnë përfaqësues nga shtresa dhe rajone të ndryshme.

Edhe pse ndonjëherë nën presionin e FMN-së (Fondit Monetar Ndërkombëtar) dhe kreditorëve ndërkombëtarë, administratat e tij kanë arritur të shmangin katastrofën e borxheve dhe, vitet e fundit, të konsolidojnë gradualisht financat kombëtare.

Për më tepër, gjatë dekadës së fundit, Biya është shfaqur gjithnjë e më shumë si një monark kushtetues, një figurë simbolike që merr disa vendime kyç, por ua lë të tjerëve përcaktimin e drejtimit të politikave të përditshme.

Vazhdimi i tij në këtë rol është bërë i mundur falë rivaliteteve të brendshme mes figurave të larta brenda partisë në pushtet, Lëvizja Demokratike Popullore e Kamerunit (CPDM).

Sa kohë që Biya vazhdon të jetë në krye, çështja e pasardhësit nuk ka nevojë të zgjidhet - prania e tij e shtyn përherë vendimin për atë që do të vijë pas tij.

Megjithatë, pa ndonjë trashëgimtar të përcaktuar apo të preferuar politik, dhe me disa nga figurat dikur të quajtura “brezi i ri” brenda CPDM-së që tashmë edhe vetë po plaken, qëndrimi i Biyas në pushtet ka ushqyer vazhdimisht thashethemet për pasardhësin e tij.

Gjithnjë e më shpesh përmendet emri i djalit të tij, Franck, edhe pse ai vetë shfaq pak interes për politikën apo qeverisjen.

Ndërkohë, presidenti përballet me një sërë sfidash të zhvillimit dhe sigurisë, pavarësisht pasurisë së madhe natyrore që ka Kameruni.

A është e mundur që sot po shohim një erozion të dukshëm të durimit të popullit ndaj versionit të Biyas të një sundimi gjysmautoritar, por të qetë dhe të mbyllur në vetvete?

A janë lodhur kamerunasit nga një sistem që u ofron zgjedhje shumëpartiake, por pak shpresë për të ndryshuar realisht qeverisjen e tyre?

A e ka nxjerrë në pah kriza e përgjakshme në rajonet anglishtfolëse kufirin e qasjes së kujdesshme dhe të largët të presidentit?

Kur protestat për reforma shpërthyen për herë të parë në ato rajone në vitin 2016, Biya reagoi me vonesë. Deri në momentin që ai propozoi ndryshime të rëndësishme dhe një dialog kombëtar, dhuna kishte marrë hov dhe kishte ngushtuar hapësirën për kompromis të vërtetë.

Në të njëjtën kohë, me stilin e tij tepër të përmbajtur, ai nuk arriti kurrë të ofrojë një vizion të qartë për zhvillimin ekonomik dhe social të Kamerunit, as të zgjojë te qytetarët ndjenjën e ecjes përpara drejt një qëllimi të përbashkët.

Durimi “buzë gremine”

Biya kishte vënë tashmë në provë durimin e popullit me vendimin për të kandiduar për mandatin e tij të shtatë radhazi në vitin 2018.

Por në fund, arriti t’i bëjë ballë një sfide të fortë nga opozita, e udhëhequr nga Maurice Kamto, kreu i Lëvizjes për Rilindjen e Kamerunit (CRM)  dhe kur Kamto kundërshtoi rezultatet zyrtare që i jepnin vetëm 14% të votave, ai u arrestua dhe u mbajt për më shumë se tetë muaj në burg.

Këtë herë, megjithatë, kandidatura e Tchiromas ndryshoi ndjeshëm atmosferën dhe ndjenjën e mundësisë politike, në një mënyrë që asnjë sfidues tjetër nuk kishte arritur më parë - të paktën që nga viti 1992, kur edhe rezultatet zyrtare i dhanë John Fru Ndi nga Fronti Social Demokratik (SDF) 36% të votave, vetëm pak më pak se Biya me 40%.

Dhe këtë herë nuk bëhet fjalë vetëm për faktin që Biya është shtatë vjet më i moshuar dhe edhe më pak aktiv se më parë.

Ndryshe nga Kamto - i cili pati vështirësi të depërtonte përtej elektoratit të tij tradicional - Tchiroma, një mysliman nga veriu, ka tërhequr mbështetje nga shtresa të ndryshme të shoqërisë dhe nga rajone të ndryshme të Kamerunit, përfshirë edhe dy rajonet anglishtfolëse.

Ky ish-i burgosur politik, që më vonë pranoi të bashkëpunonte me Biyan dhe mori një post ministror, pati guximin të shkonte në Bamenda, qytetin më të madh anglishtfolës, dhe të kërkonte falje për rolin e tij në veprimet e qeverisë.

Në ditët e fundit, teksa tensionet po rriteshin në prag të shpalljes së rezultateve, Tchiroma qëndroi në Garoua, qytetin e tij të lindjes në veri, ku turma të mëdha të mbështetësve të rinj ishin mbledhur për ta mbrojtur nga rreziku i arrestimit nga forcat e sigurisë.

Tani, pas pritshmërive që ishin rritur aq shumë, në radhët e opozitës mbizotëron zhgënjim dhe zemërim i thellë ndaj rezultatit zyrtar, sado i parashikueshëm të ketë qenë ai.

Raportime nga terreni flasin se forcat e sigurisë kanë qëlluar mbi protestuesit në Douala, qytet në jug që është edhe qendra ekonomike e vendit. Ndërkohë, të shtëna janë raportuar edhe nga Garoua.

Për Kamerunin, vendosmëria e Biyas për të siguruar një mandat të tetë presidencial ka sjellë rreziqe të mëdha dhe kosto të dhimbshme.