Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka deklaruar se shkelja e hapësirës ajrore të Polonisë nga dronët rusë të mërkurën, pavarësisht nëse ishte e qëllimishme apo jo, është e pamatur dhe e rrezikshme.
"Për Putinin, mesazhi im është i qartë: ndaloni luftën në Ukrainë, ndaloni përshkallëzimin e luftës, të cilën ai tani po e ngre në thelb mbi civilët e pafajshëm dhe infrastrukturën civile, dhe ndaloni shkeljen e hapësirës ajrore aleate. Dijeni se ne jemi të gatshëm, se jemi vigjilentë dhe se do të mbrojmë çdo centimetër të territorit të NATO-s”, ka deklaruar Rutte në reagimin e tij.
Ai ka thënë se e konsideron përgjigjen e mbrëmshme "shumë të suksesshme".
"Ne gjithmonë duhet të sigurohemi që jemi një hap përpara, por mendoj se mbrëmja e kaluar tregoi se jemi në gjendje të mbrojmë çdo centimetër të territorit të NATO-s, duke përfshirë, sigurisht, hapësirën ajrore të saj”, ka shtuar Rutte.
