Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

SHBA-ja e Irani sinjalizojnë se marrëveshja e paqes është afër

SHBA-ja e Irani sinjalizojnë se marrëveshja e paqes është afër

Me ndërmjetësim të Islamabadit, SHBA-ja dhe Irani “nuk kanë qenë kurrë më afër” arritjes së një marrëveshjeje paqeje. Përderisa ende nuk ka qëndrime zyrtare se çka përmban një marrëveshje e tillë, të dyja palët kanë sinjalizuar përafrim qëndrimesh e ndërmjetësit kanë thënë se po bëhen hapat finalë. Po që se arrihet dakordimi i fundit, edhe nënshkrimi pritet të pasojë së shpejti

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Irani kanë sinjalizuar të premten se marrëveshja për t’i dhënë fund luftës është më afër se ndonjëherë më parë. Një zyrtar i lartë i administratës amerikane madje ka thënë se është përgatitur përmbajtja që u pëlqen të dyja palëve, ndërsa trupat vendimmarrëse të Iranit janë mbledhur për ta diskutuar memorandumin.

Pakistani, që për javë të tëra ka bërë përpjekje për të arritur një marrëveshje mes shteteve, ka paralajmëruar se ato janë dakorduar për një tekst final. “Pakistani tani po punon ngushtë me të dyja palët për t’i finalizuar hapat e mëtejmë”, ka thënë kryeministri Shehbaz Sharif, në një shkrim në “X.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Gjatë ditës është raportuar për rrjedhjen e memorandumit. Sipas raportimeve të “Reutersit” duke marrë për bazë burime nga Perëndimi, Pakistani e Irani, memorandumi e favorizonte Iranin. Por gjithçka u hodh poshtë nga presidenti amerikan Donald Trump. Në një postim në rrjetet sociale, Trumpi nuk ka thënë se çfarë ishte e pasaktë në raportet mbi marrëveshjen e propozuar, por ka shtuar se kushtet që u përmendën në raportime të bazuara mbi burime ndërkombëtare, nuk kanë asnjë lidhje me atë që është rënë dakord me shkrim mes palëve.

Ai gjithashtu i ka quajtur iranianët njerëz të pandershëm në negociata.

“Kushtet që Irani ua ka treguar mediave nuk kanë asnjë lidhje me kushtet për të cilat është rënë dakord me shkrim. Ajo që ata kanë thënë, përfshirë deklaratën e tyre të dobët dhe qesharake se është arritur një marrëveshje, nuk ka asnjë lidhje me të vërtetën. Janë njerëz shumë të pandershëm për të negociuar. Me ta nuk mund të ketë negociata me mirëbesim. E pabesueshme!”, ka shkruar Trump në Truth Social.

Ndërkaq, ministri i Jashtëm iranian, Abbas Aragchi ka theksuar se mediat duhet të përmbahen publikimi i spekulimeve.

“Memorandumi i Mirëkuptimit i Islamabadit nuk ka qenë kurrë më afër finalizimit. Deri në përfundimin e tij, mediat duhet të përmbahen nga spekulimet mbi përmbajtjen e tij. Në përputhje me qasjen tonë të përgjegjshme dhe transparente, të gjitha detajet do t’i bëhen të ditura publikut në kohën e duhur”, ka theksuar Araghchi.

Të gjitha burimet që i ka cituar “Reuters” për rrjedhjen e përmbajtjes së memorandumit kanë thënë se teksti nuk ishte përfundimtar, dhe një çështje kyç që ende duhej zgjidhur ishte ndalimi  i sulmeve në Liban.

Sipas raportimeve, Shtetet e Bashkuara do t’i jepnin menjëherë Iranit miliarda dollarë nga asetet e ngrira dhe do të hiqnin sanksionet mbi eksportet e naftës së tij, në këmbim që Irani të hiqte bllokadën e Ngushticës së Hormuzit.

Çdo diskutim mbi kërkesat kyç të SHBA-së për programin bërthamor iranian do të shtyhej për më vonë. Sa i përket politikës bërthamore, thuhej se Irani do të ripërsërisë zotimin se nuk do të kërkojë armë bërthamore, e që Teherani e ka bërë që nga nënshkrimi i Traktatit të OKB-së për Parandalimin e Përhapjes së Armëve Bërthamore në 1970.

Një burim perëndimor ka bërë të ditur se nëse mund të bien dakord mbi gjuhën e dokumentit, memorandumi mund të nënshkruhet që të dielën nga zëvendëspresidenti amerikan JD Vance dhe kryetari i parlamentit iranian, Mohammed Baqer Qalibaf, me Gjenevën si vendi më i mundshëm për tani.