“Nëse e sheh botën si të bukur, emocionuese dhe misterioze, siç mendoj se e shoh unë, atëherë ndihesh vërtet i gjallë”, nuk qe thjeshtë një deklaratë e tij. Ishte maksimë jetësore që e ndoqi përherë në artin e tij. David Hockney, njëra prej figurave kryesore të artit bashkëkohor vdiq në moshën 88-vjeçare. Pavarësisht statusit të tij si ikonë njëherë kishte thënë se konsideronte veten më shumë si një punëtor i palodhur. Ai zgjohej shpesh që në agim, sepse e konsideronte dritën e mëngjesit të hershëm si diçka të veçantë
(Deutsche Welle) – David Hockney, njëri nga artistët më shquar të Britanisë, figurë e njohur botërore, qytetar i botës dhe bohem, “vdiq në paqe në shtëpinë e tij” në Londër të enjten, një muaj para ditëlindjes së tij të 89-të, ka njoftuar publicistja e tij, Erica Bolton, në një deklaratë për shtyp. I konsideruar si një nga emrat më të rëndësishëm të artit bashkëkohor të shekujve XX dhe XXI, Hockney mori famë fillimisht si një kontribuues i rëndësishëm në lëvizjen e pop-artit të viteve 1960.
I pangopuri “për të parë më shumë”
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoI lindur në Bradford në vitin 1937, David Hockney ishte fëmija i katërt nga pesë fëmijë. Kur ishte fëmijë, vendi i tij i preferuar ishte ulësja e përparme në katin e sipërm të autobusëve me dy kate. Prej aty ai kishte pamjen më të mirë të qytetit dhe të peizazhit përreth.
“Gjithmonë kam dashur të shoh më shumë”, kishte thënë në dokumentarin “Hockney”, të realizuar nga regjisori Randall Wright në vitin 2015.
Më vonë, Hockney fotografoi pa u lodhur gjithçka përreth tij, duke kapur skena të jetës së përditshme, vizatime të miqve, shtëpi, kalimtarë dhe çdo gjë që ia tërhiqte vëmendjen.
Kaloi gjithashtu dekada duke eksploruar mjete digjitale për artin e tij. Punoi me makina faksi dhe kopjues me ngjyra, përdori iPhone-in si bllok vizatimesh dhe madje pikturoi drejtpërdrejt në iPad.
Në vitin 2018, artisti krijoi një vitrazh për “Westminster Abbey”, duke e projektuar atë në iPad-in e tij. Shpesh ulej me pajisjen e tij në sallën e kishës, i frymëzuar nga loja e dritës.
Në vitin 2022, krijoi një portret të këngëtarit Harry Styles në të njëjtën pajisje, duke thënë se ishte veçanërisht sfiduese, pasi preferonte të portretizonte miqtë e tij. Interesi i Hockneyt për mediume dhe projekte të reja edhe në moshë të shtyrë, ishte i admirueshëm.
“Gjithmonë jam duke bërë diçka ndryshe”, kishte thënë Hockney për “The Guardian” në një intervistë të vitit 2022. “Po. Ata mund të debatojnë sa të duan për të kaluarën, por unë thjesht kaloj në diçka tjetër”.

Një yll me këmbë në tokë
Pavarësisht statusit të tij ikonik, Hockney njëherë kishte thënë se konsideronte veten më shumë si një punëtor i palodhur. Ai zgjohej shpesh që në agim, sepse e konsideronte dritën e mëngjesit të hershëm si diçka të veçantë.
“Më duket emocionuese të shoh se si bie shiu në një pellg dhe pastaj ta pikturoj atë”, kishte thënë artisti i cili kishte një pasion të veçantë për peizazhet.
Hockney ruajti kureshtjen artistike dhe shpirtin e zbulimit deri në fund të jetës së tij.
Realizoi rreth dy mijë piktura dhe mijëra fotografi e skica. Këto të fundit i përdorte shpesh si studime paraprake për piktura më të mëdha. Piktori britanik mori famë të madhe edhe në Shtetet e Bashkuara, ku jetoi prej viteve ‘60 deri në vitin 2000, kur u kthye pranë vendlindjes së tij në Angli. Ai jetonte herë pas here në rezidencat e tij në Angli dhe Kaliforni.
Hockney ishte mik me shumë artistë të mëdhenj, përfshirë Andy Warholin dhe Robert Rauschenbergun. Ashtu sikurse veprat e bashkëkohësve të tij, punimet e tij shumëngjyrëshe me akrilik shiteshin me çmime shumë të larta.
Në vitin 2018, vepra e tij “Portrait of an Artist (Pool With Two Figures)” u shit për 90,3 milionë dollarë (89 milionë euro), duke vendosur atëherë rekordin si piktura më e shtrenjtë e shitur në ankand nga një artist i gjallë.

Anarkisti me sens humori
Në intervistën për “The Guardian”, Hockney zbuloi anën e tij anarkiste me humorin që e karakterizonte. Gjatë një takimi në një restorant, ai nxori nga xhepi dy bishta të rrudhosur cigaresh, të cilët rezultuan të ishin skulptura të marra nga një galeri në Berlin.
Duhanpirës i pandërprerë gjatë gjithë jetës, gjatë pandemisë së COVID-19 Hockney madje pretendoi se duhanpirësit kishin zhvilluar një lloj imuniteti ndaj koronavirusit. Ai kishte shkruar një letër për “The Daily Mail”, duke cituar një studim në Kinë që, sipas tij, e mbështeste këtë ide.
Hockney pinte vetëm cigare “Davidoff”, të cilat shiten kryesisht në Gjermani dhe Zvicër. Për artistin, duhani mishëronte frymën e lirisë së viteve ‘60.
Duke folur për “The Guardian”, ai kishte thënë se ajo periudhë “ishte ndoshta koha më e lirë, që ka ekzistuar ndonjëherë”. Në vitet e fundit të jetës së tij, ai pranoi se e kuptonte që ajo epokë kishte marrë fund.
Megjithatë, artisti jashtëzakonisht produktiv, i cili u nderua me një retrospektivë madhore të veprave të tij në vitin 2025 në “Fondation Louis Vuitton” në Paris, mbeti gjithmonë entuziast i jetës:
“Nëse e sheh botën si të bukur, emocionuese dhe misterioze, siç mendoj se e shoh unë, atëherë ndihesh vërtet i gjallë”.
Marrë nga “Deutsche Welle” . Përktheu: KOHA