Botë

SHBA-ja sanksionon kompanitë gjigante ruse të naftës: Moska ta pranojë armëpushimin

Vladimir Putin dhe Donald Trump

Foto: Associated Press

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur të mërkurën sanksione ndaj dy kompanive më të mëdha të naftës në Rusi, ndërsa i ka bërë thirrje Moskës të bie dakord për një armëpushim të menjëhershëm në luftën me Ukrainën.

Presidenti amerikan, Donald Trump, kishte sinjalizuar për javë të tëra se mund të vendoste sanksione kundër Rusisë për shkak të vazhdimit të luftës, por nuk i kishte marrë ato masa deri tash, raportoi CNN. 

"Tani është koha për të ndaluar vrasjet dhe për një armëpushim të menjëhershëm", ka thënë Sekretari i Thesarit, Scott Bessent, në një deklaratë të mërkurën teksa njoftoi për sanksionet.

"Duke pasur parasysh refuzimin e presidentit Putin për t'i dhënë fund kësaj lufte të pakuptimtë, Departamenti i Thesarit po vendos sanksione ndaj dy kompanive më të mëdha të naftës në Rusi që financojnë makinën e luftës së Kremlinit".

Bessent ka theksuar se SHBA-ja është e përgatitur të ndërmarra veprime të mëtejme nëse është e nevojshme për t’i dhënë fund luftës.

Pas shpalljes së sanksioneve, presidenti Trump ka thënë se ka anuluar një takim të planifikuar me presidentin rus, Vladimir Putin, në Budapest.

“Anuluam takimin me presidentin Putin. Thjesht nuk dukej e drejtë për mua. Nuk dukej se do të arrinim aty ku do duhej të arrinim. Kështu që e anulova”, ka thënë ai.