Ndryshimet klimatike po ndikojnë ndjeshëm në Himalaje, duke zgjatur stinën e monsunit deri në vjeshtë, që sjell reshje ekstreme, stuhi bore dhe përmbytje në një periudhë që dikur ishte e qëndrueshme për alpinistët dhe turistët. Kjo ka bërë që moti të jetë gjithnjë e më i paparashikueshëm dhe i rrezikshëm, duke rritur ndjeshëm numrin e incidenteve dhe humbjeve njerëzore
Sipas meteorologëve, stina e monsunit tani po zgjatet deri në vjeshtë, pikërisht në sezonin tradicional të turizmit malor - duke e bërë motin gjithnjë e më të paparashikueshëm. Në dekadën e fundit, ata kanë regjistruar të paktën një episod reshjesh ekstreme çdo vit në fundin e kësaj stine të zgjatur të monsunit dhe në zonat malore kjo po shndërrohet në një rrezik të vërtetë.
Para disa ditësh një stuhi bore e papritur bllokoi qindra turistë pranë pjesës lindore të Everestit për disa ditë në temperatura të ngrira dhe në një lartësi prej më shumë se 4.900 metrash.
Atëkohë, sipas mediave shtetërore kineze, rreth 600 alpinistë u udhëhoqën drejt disa shtigjeve më të sigurta. Një person humbi jetën për shkak të hipotermisë dhe sëmundjes së lartësisë, por të tjerët raportohet se janë në gjendje të mirë shëndetësore.
Kjo ndodhi në anën tibetiane të Everestit, por një situatë e ngjashme u shfaq edhe në anën nepaleze, ku një alpinist nga Koreja e Jugut humbi jetën në Mera Peak. Bota mori vesh për këtë shumë më vonë, pasi linjat e komunikimit ishin dëmtuar nga shirat e rrëmbyeshëm dhe reshjet e dendura të borës. Zyrtarët në Nepal vlerësojnë se rrëshqitjet e dheut dhe përmbytjet e befasishme në vend kanë shkaktuar rreth 60 viktima gjatë ditëve të fundit.
“Kjo është jashtëzakonisht e pazakontë për muajin tetor, kur zakonisht presim që qielli të jetë i kthjellët”, thotë Riten Jangbu Sherpa, një ciceron me përvojë, duke shtuar se vitet e fundit turistët janë përballur gjithnjë e më shpesh me motin ekstrem dhe të papritur. Ai thekson se kjo është një goditje e madhe për industrinë e ecjeve dhe alpinizmit në rajon, veçanërisht sepse kjo është periudha më e parapëlqyer nga vizitorët për t’i eksploruar Himalajet.
“Çrregullimi perëndimor”
Stina e monsunit në Indinë veriore dhe në Nepal zakonisht zgjat nga qershori deri në mes të shtatorit. Por kjo nuk qëndron më. “Të dhënat tona tregojnë se në shumicën e viteve të dekadës së fundit monsuni ka zgjatur deri në javën e dytë të tetorit, gjë që është pa dyshim një ndryshim i qartë”, thotë Archana Shrestha, zëvendësdrejtoreshë e përgjithshme në Departamentin e Hidrologjisë dhe Meteorologjisë në Nepal.
Edhe më shqetësues janë shirat dhe bora e rëndë që sjell fundi i stinës së zgjatur të monsunit - siç ndodhi këtë vit, më 4 dhe 5 tetor. Shrestha e përshkroi këtë model si “reshje të dëmshme në një periudhë shumë të shkurtër kohe” - një fenomen që jo vetëm përbën rrezik për jetën e njerëzve, por edhe dëmton rëndë ekosistemin dhe turizmin malor në rajon.
Në përfundim, ndryshimet klimatike po u japin formë të re maleve që dikur ofronin një stinë të sigurt për eksploruesit. Me reshje ekstreme dhe stuhi të papritura që po bëhen gjithnjë e më të shpeshta, e ardhmja e turizmit në Himalaje duket më e pasigurt se kurrë më parë.
Në malin Cho Oyu, një tjetër majë e lartë që shtrihet mes Kinës dhe Nepalit, një ekip alpinistësh në lartësinë prej 8.201 metrash u detyrua të tërhiqej përkohësisht, pasi bora binte pa pushim.
“Tani janë rikthyer, pasi reshjet e dendura të borës përfunduan”, tha operatori i ekspeditës, Mingma Sherpa, ekipi i të cilit përbëhet nga gjashtë anëtarë.
Por për alpinistët që mbetën të bllokuar pranë faqes lindore të Everestit, kthimi në rrugë të sigurt ishte shumë më i rrezikshëm. Disa prej tyre i thanë BBC-së se luftuan me hipoterminë, edhe pse ishin të veshur ngrohtë, ndërsa ecnin me vështirësi përmes borës së madhe. Të tjerët thanë se nuk kishin fjetur fare nga frika se mos mbuloheshin nga bora, e cila binte aq shumë sa pjesën më të madhe të kohës e kalonin duke e pastruar atë.
Situata mund të kishte përfunduar tragjikisht nëse nuk do të ishte organizuar një operacion shpëtimi i mirëkoordinuar, ku u angazhuan edhe kuaj për ta hapur rrugën dhe për ta pastruar borën.
Megjithatë, një alpinist që kishte ngjitur këto male më shumë se njëzet herë i tha BBC-së se “kurrë nuk kishte përjetuar një mot të tillë”.
Sipas shkencëtarëve, një nga shkaqet kryesore të këtyre ndryshimeve është sasia më e madhe e lagështirës në ajër, si pasojë e ngrohjes globale.
Kjo ka sjellë reshje të rrëmbyeshme brenda një kohe shumë të shkurtër, shpesh pas periudhash të gjata pa shi - ndryshe nga më parë, kur shirat e monsunit shpërndaheshin në mënyrë më të barabartë gjatë katër muajve.
“Moti në këtë periudhë të vitit po ndryshon çdo vit kohët e fundit. Nuk mund t’u premtojmë më asgjë klientëve tanë”, tha Passang, një agjent udhëtimesh në kryeqytetin tibetian, Lhasa.
“Shtatori dhe tetori dikur ishin sezonet më të mira, me mot të butë dhe të qëndrueshëm, por këto ditë shohim mot ekstrem që shfaqet papritur, dhe temperaturat bien me shpejtësi të frikshme”.
Ekspertët e motit thonë se monsunet në Azinë Jugore, në disa raste, duket se janë bërë më të fuqishme, për shkak se gjithnjë e më shpesh po hyjnë në kontakt me një tjetër sistem moti - i njohur si “çrregullimi perëndimor” .
Ky është një sistem me presion të ulët që e ka origjinën në rajonin e Mesdheut dhe lëviz drejt lindjes - ai sjell ajër të ftohtë që shkakton reshje shiu dhe herë pas here edhe borë në Indinë veriore, Pakistan dhe Nepal.
Por kur ky sistem përplaset me ajër më të ngrohtë dhe më të lagësht - siç ndodh gjatë sezonit të monsunit, rezultati mund të jetë një mot shumë më ekstrem.
“Monsun super i ngarkuar”
Siç thotë Akshay Deoras, një shkencëtar i motit në Universitetin e Readingut në Mbretërinë e Bashkuar, “’çrregullimi perëndimor’ mund të krijojë një monsun shumë të ngarkuar”.
Këto sisteme atmosferike kanë qenë tradicionalisht një fenomen dimëror, që shfaqej në Indinë veriore dhe Himalaje nga dhjetori deri në mars.
Por meteorologët thonë se tani, ato po shfaqen më herët, gjatë sezonit të monsunit dhe në vjeshtë - duke u ndërthurur me reshjet ekzistuese dhe duke i përkeqësuar më tej.
Përmbytjet dhe reshjet masive të borës që goditën Nepalin lindor dhe rajonin e Everestit në fillim të tetorit, sipas autoriteteve të meteorologjisë në Nepal, ndodhën pikërisht për shkak të këtij fenomeni.
Ata shpjeguan se “çrregullimi perëndimor” fuqizoi një sistem me presion të ulët nga Gjiri i Bengalit, duke shtyrë retë drejt lindjes - ndërkohë që normalisht ato duhej të ishin zhvendosur drejt perëndimit.
Shkencëtarët kanë zbuluar gjithashtu se, në një botë që po ngrohet, bashkëveprimi mes “çrregullimeve perëndimore” dhe monsunit po sjell një tjetër pasojë të pazakontë:
Ajri më i ngrohtë po shtyn retë në lartësi më të mëdha, që do të thotë se tani këto sisteme moti po arrijnë t’i kalojnë Himalajet, duke prekur rajone si Tibeti, të cilat më parë nuk përjetonin kaq shumë reshje.
Një studim i publikuar në revistën “Nature” në qershor, tregon se “klima që po ngrohet dhe ndërveprimi mes çrregullimeve perëndimore dhe monsunit indian po e transformon pllajën Qinghai-Tibet në një klimë më të ngrohtë dhe më të lagësht”.
Tibeti ka qenë historikisht një rajon me klimë të thatë. Por shkencëtarët paralajmërojnë se një Tibet më i ngrohtë dhe më i lagësht mund të sjellë mot të paqëndrueshëm, stuhi bore të shpeshta dhe reshje ekstreme.
“Ajo që ka ndryshuar është besueshmëria e modeleve të motit - nuk mund të marrim më të mirëqenë se kushtet do të jenë të njëjta nga një sezon në tjetrin”, tha Logan Talbott, drejtues kryesor i ekspeditave në “Alpenglow Expeditions”, një kompani që sjell alpinistë në anën tibetiane të Everestit çdo vit.
“Kjo do të thotë se planifikimi fleksibil, vendimmarrja në kohë reale dhe drejtimi nga udhëheqës me përvojë në Himalaje janë bërë më të rëndësishëm se kurrë më parë”.