Në kohën kur të gjithë njerëzit po e përdorin tastierën për të shkruar, rëndësia e shkrimit me dorë shpesh vihet në pikëpyetje. Por, këtë nuk e thotë edhe një gjykatë në Indi, sidomos kur bëhet fjalë për mjekët.
Gjykata e Lartë e Punjabit dhe Haryanas ka vlerësuar se receta e lexueshme mjekësore është një e drejtë themelore, duke theksuar se shkrimi i qartë mund të bëjë dallimin mes jetës dhe vdekjes.
Vendimi erdhi gjatë shqyrtimit të një kërkese për lirimin me kusht të një burri të akuzuar për përdhunim, mashtrim dhe falsifikim. Gruaja që e akuzoi pretendoi se burri i kishte premtuar një vend pune në administratën publike, kishte organizuar intervista të rreme dhe e kishte keqpërdorur seksualisht.
I dyshuari i ka mohuar akuzat, duke deklaruar se marrëdhënia kishte qenë konsensuale dhe se padia ishte rezultat i një mosmarrëveshjeje financiare.
Gjatë shqyrtimit të provave, gjyqtari Jasgurpreet Singh Puri tha se nuk kishte mundur të kuptonte raportin mjeko-ligjor të hartuar nga një mjek qeveritar që kishte ekzaminuar të dëmtuarën.
“Raporti ishte i pakuptueshëm. Asnjë fjalë apo shkronjë nuk mund të lexohej. Kjo e tronditi gjykatën”, thuhet në vendim.
Në Indi, ashtu si në shumë vende të tjera, janë të zakonshme batutat rreth shkrimit të palexueshëm të mjekëve, që zakonisht mund të kuptohet vetëm nga farmacistët. Ky vendim rikthen në fokus nevojën për dokumentacion të qartë mjekësor, për hir të sigurisë së pacientëve.
“Në kohën kur teknologjia dhe kompjuterët janë lehtë të qasshëm, është shokuese që doktorët ende shkruajnë receta me shkrim e të cilat nuk mund të lexohen nga askush përveç disa farmacistëve”, ka thënë gjykata.
Gjykata ka kërkuar që në shkollat e mjekësisë të hynë edhe orët për mësim të shkrimit të dorës.