Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, e ka mohuar se largimi i tij i hershëm nga samiti i shtatë vendeve më të industrializuara të botës (G7), që po mbahet në Kanada, ka pasur të bëjë me angazhimin për të siguruar marrëveshje të armëpushimit ndërmjet Izraelit dhe Iranit.
Trumpi gjithashtu e kritikoi homologun e tij francez, Emmanuel Macron, tek e kualifikoi si person “që kërkon publicitet”. Sipas presidentit amerikan, Macroni nuk ka pasur as idenë më të vogël se pse ai po kthehej në Washington dhe se arsyeja ishte shumë herë “më e madhe” sesa armëpushimi.
“Presidenti që kërkon publicitet, Emmanuel Macron i Francës, gabimisht tha se unë lashë Samitin e G7-ës, në Kanada, për t’u kthyer në Washington për të punuar për një “armëpushim” mes Izraelit dhe Iranit. Gabim!”, ka shkruar Trump në platformën “Truth Social”. “Ai nuk ka asnjë ide pse jam tani në rrugë për në Washington, por sigurisht që nuk ka të bëjë fare me një armëpushim. Është diçka shumë më e madhe se kaq. Qoftë me qëllim apo jo, Emmanuel gjithmonë e ka gabim. Qëndroni në pritje!”, ka shtuar ai.
